Dje i kishim zemrat të pasura me butësi dhe dashuri, prandaj i bashkoheshim halleve të tjetrit, jo sepse kishim shumë pasuri por sepse ajo pak që kishim na dukej e mjaftueshme për të jetuar në harmoni me të tjerët. Më e rëndësishme për ne ka qenë të shtonim gëzimin e njëri tjetrit e të përgjysmohej hidhërimi e brenga që kishim. Shokun e kishim shok sepse ishim rritur bashkë, sepse ndanim bashkë gjithçka që kishim e nuk kishim...etj.
Sot jemi ashpërsuar më shumë se guri, na mungon dashuria dhe butësia për tjetrin, nuk kujtohemi për brengat dhe mërzitë e njëri tjetrit, jo sepse nuk kemi kohë për ta apo pasuri për të dhënë por sepse ajo që kemi na duket shumë pak dhe kohën mundohemi ta shesim si kapital që na varfëron nëse mendojmë tja kushtojmë dikujt 5 minuta për ta qetësuar ndopak, apo për tja lehtësuar ndonjë brengë, apo për ti dhënë qoftë dhe një fjalë të mirë që i shton gëzimin dhe optimizmin. Sot nuk e kemi më atë shok që jemi rritur sepse atij i eci në jetë dhe u bë dikush dhe kështu që i duhet të ketë në krah shokë të tjerë që i kanë ecur njësoj. Ndërsa atij që nuk i eci në jetë për arsye të shumta, shihet si një relike e harruar !
Sot nuk jemi më ata që kemi qenë sepse frika e ka pushtuar zemrën, zilija dhe smira ka shtuar urrejtjen, fatkeqësia e tjetrit është lumturi për ne, varfëria e tjetrit është pushtet për ne, brenga dhe hallet e tjetrit është bërë bezdi dhe objekt thashethemi për të tjerë në kafene, miku shihet si mjet për qëllimet e tua...e të gjitha këto fenomene përdoren për propagandë politike dhe fetare për të tërhequr sa më shumë pasues dhe servilë.