Friday, August 31, 2018

Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe puno sikur do të jetosh përgjithmonë.

Vër re,mendo!

Fjalët, që më parë ishin të përditshme, tani janë të përdorshme; po ashtu edhe emrat e njerëzve të shquar, që më parë ishin të nderuar, tani kanë dalë, në njëfarë mënyre, jashtë përdorimit e më pas kjo do të ndodhë edhe me emrat e sotëm të famshëm, më pas edhe emrat që do të vinë, e pastaj gjithçka bëhet asgjë. Sepse shpejt giithçka fashitet dhe bëhet ëndërr: e shpejt varroset në një harresë të plotë. Këtë e them në lidhje me ata që jetuan në një shkëlqim të mrekullueshëm lavdie: nëse të tjerët, pasi nxjerrin grahmën e fundit, mbeten të panjohur, nuk lënë gjurmë. Tek e fundit ç’është, në thelb, një kujtim i përjetshëm? Zbrazëti e plotë. Por me çfarë duhet të merremi atëherë? Vetëm me këtë: një mendim të frymëzuar nga drejtësia, veprime që anojnë nga e mira e përgjithshme, një fjalë që të mos gënjejë asnjëherë dhe një prirje për të përqafuar me zemër gjithçka që ndodh, përderisa është e domosdoshme, e njohur tashmë,rrjedh nga një parim dhe nga një burim i tillë.

Dorëzoju me dëshirë rrjedhës dhe caktimit, duke lejuar që të të gërshetojë me çfarëdolloj ngjarjeje të dojë.
Gjithçka është kalimtare, si njeriu që kujton vetë, ashtu edhe njeriu që kujtohet nga të tjerët.

Vër re vazhdimisht se gjithçka lind nga shndërrimi dhe mësohu të mendosh se natyra e gjithçkaje nuk dëshiron asgjë më shumë sesa të shndërrojë gjërat ekzistuese dhe të prodhojë gjëra të reja të ngjashme me to. Gjithçka që është, në të vërtetë, në njëfarë mënyre, është farë e asaj që do të vijë më pas. Ndërsa ti përfytyron si farë vetëm atë që futet në tokë apo në mitër: por kjo do të thotë të mos kesh asnjë njohuri urtake!

Së shpejti do të kesh vdekur e nuk je ende i kthjellët, gjakftohtë, i bindur se nuk mund të pësosh dëm nga jashtë, dashamirës ndaj të gjithëve; e akoma nuk e përdor urtësinë vetëm për të vepruar me drejtësi.

Vër re parimin drejtues të njerëzve të urtë dhe cilat gjërave u shmangen ata e cilat përkundrazi ndjekin.

E keqja jote nuk mund të jetë në parimet drejtuese të një tjetri e as në ndonjë ndryshim dhe tjetërsim të gjërave që të rrethojnë. Po ku, atëherë? Në atë pjesë tënden, e cila përpilon mendime rreth të këqijave. E po mirë, kjo pjesë të mos përpilojë mendime dhe gjithçka do të shkojë mirë. Edhe sikur ai që ndodhet më pranë saj, pra trupi, të pritet, të digjet, edhe sikur ai të qelbëzohet a të kalbet, pjesa që përpilon mendime mbi të gjitha këto le të mbetet e qetë, pra, të mos gjykojë as për mirë as për keq asgjë që mund t’i ndodhë njësoj si një njeriu të lig ashtu edhe një të miri. Sepse gjërat që i ndodhin njëlloj si atij që jeton në kundërshtim me natyrën, ashtu edhe atij që jeton në përputhje me të nuk janë as në përputhje me natyrën as kundër saj.

Mendo vazhdimisht për botën si për një qenie të vetme që përmban një qenie të vetme dhe një shpirt të vetëm dhe mendon se si gjithçka i afrohet një ndjenje të vetme, ndjenjës së shpirtit, se si kjo qenie bën gjithçka për një shtysë të vetme, se si të gjitha gjërat janë bashkëshkaqe të të gjitha ngjarjeve dhe ç’gërshetim e ç’lidhje ka mes tyre.

Je një shpirt i vogël që sjell një kufomë, siç thoshte Epiteti.

Tek ato gjëra të cilat janë në shndërrim e sipër nuk mund të ketë asgjë të keqe, ashtu siç nuk mund të ketë asgjë të mirë nga ato që lindin nga një shndërrim.

Koha është si një lumë i formuar nga ngjarjet dhe një rrymë e vrullshme: çdo gjë, në të vërtetë, sapo të kalon para syve, ka kaluar tashmë përtej dhe kalon pastaj një tjetër, e cila, kur t’i vijë radha, do të hidhet tej.

Gjithçka që ndodh është e zakontë dhe e njohur ashtu si trëndafili në pranverë dhe frutat në verë: e njëjta gjë vlen, në fakt, edhe për sëmundjen, vdekjen, shpifjet, intrigat dhe çdo gjë tjetër që gëzon apo hidhëron budallenjtë.

Pasoja ndjek shkakun nëpërmjet një lidhjeje ngjashmërie: sepse nuk bëhet fjalë për një sërë ngjarjesh të pavarura, që mbështeten vetëm nga një ligj i domosdoshëm, po për një lidhje të ngushtë të arsyeshme; e ashtu siç është i bashkërenditur realiteti i harmonishëm, ashtu edhe ngjarjet parashtrojnë jo një vazhdimësi të zbrazët, po njëfarë ngjashmërie të mahnitshme.

Mbaj mend gjithmonë mendimin e Eraklitit; “Vdekja e tokës është të bëhet ujë, vdekja e ujit të bëhet erë, e erës të bëhet ziarr dhe anasjelltas”. Mbaj mend edhe “ai që harron se për ku të shpie rruga”; dhe që “njerëzit janë në kundërshtim pikërisht me atë që kanë një lidhje më të vazhdueshme, me arsyen që sundon gjithçka dhe atyre u duken të huaja pikërisht ato gjëra me të cilat përballen përditë, dhe “nuk duhet të veprojmë e të flasim ashtu siç bëjmë edhe gjatë gjumit” (edhe atëherë, në të vërtetë, na duket sikur veprojmë dhe flasim); thjesht nuk duhet “si bij prindërish që jemi...”, domethënë në sajë të parimit të thjeshtë “ashtu siç kemi mësuar”.

Ashtu siç, po të thoshte një nga të urtët “Brenda ditës së nesërme ose e shumta pasnesër do të kesh vdekur”, ti nuk do t’i jepje shumë rëndësi faktit nëse do të vdisje pasnesër apo nesër, vetëm nëse je shpirtvogël deri në fund (ç’vlerë ka, në të vërtetë, një devijim i tillë kohe?”; kështu, mos mendo se është ndonjë punë e madhe të vdesësh pas shumë vjetësh dhe jo nesër).

Mendo vazhdimisht sesa mjekë kanë vdekur, pasi kanë ngrysur vetullat disa herë mbi pacientët e tyre; sa astrologë, pasi kanë parathënë vdekjen e të tjerëve, duke u kapardisur sikur kanë bërë ndonjë parashikim të rëndësishëm; sa filozofë, pas mijëra debatesh rraskapitëse për vdekjen apo për pavdekësinë; sa heronj, pasi kanë vrarë shumë burra, sa shtypës, pasi kanë ushtruar fuqinë e jetës dhe vdekjes me një kryelartësi të tmerrshme, a thua se ishin të pavdekshëm; e sa qytete të tëra, si të thuash, kanë vdekur :

Eliçe,Pompei,Erkolani,Grekët,Romakët,Persianët dhe të tjera perandori të panumërta të fuqishme. Sill në mendje edhe ato që di ti, njëri pas tjetrit: ky ka varrosur atë, pastaj është shtrirë në krevatin e vdekjes, ky tjetri ka bërë të njëjtën gjë me atë tjetrin e kështu me radhë: dhe e gjithë kjo në një kohë të shkurtër. Pra, shikoje gjithnjë realitetin njerëzor si diçka të çastit dhe pa vlerë.Dje pak mukus, nesër mumje ose hi. Këtë hapësirë kohe pafundësisht të vogël, pra, kaloje në përputhje me natyrën dhe përfundoje me qetësi, si ulliri që, tashmë i pjekur, bie duke lëvduar tokën që e ka prodhuar dhe duke falenderuar pemën që e ka krijuar.

ji si një gadishull, ndaj të cilit përplasen pa reshtur dallgët: qëndro i patundur dhe rreth e qark tij do të fashiten ujërat që ziejnë.

“Mua fatziut, më ndodhi kjo.”. Aspak! Nëse ndodh ndonjë gjë: “Mua fatlumit, se edhe pse më ndodhi kjo e përballoj pa ndier dhimbje, pa m’u copëtuar zemra nga e tashmja dhe pa iu trembur së ardhmes.”. Në të vërtetë një gjë e tillë mund t’i ndodhte kujtdo, por jo të gjithë do kishin ditur të përballonin pa iu dorëzuar dhimbjes. Atëherë pse të shikosh atje një fatkeqësi në vend që të shikosh këtu një fatmirësi? Pra, quan fatkeqësi për një njeri atë që është një dështim apo gabim i natyrës njerëzore? E të duket një dështim i natyrës njerëzore ajo çka nuk bie në kundërshtim me vullnetin e kësaj natyre? Po pastaj? Kuptove se cili është vullneti i saj: mos vallë është faji i asaj çka të ka ndodhur që nuk të lejon të jesh i drejtë, zemërgjerë, i matur, i urtë, i parrëmbyer, i sinqertë, i përmbajtur, i lirë, i pajisur me të gjitha cilësitë e tjera të cilat, kur janë të pranishme të gjitha bashkë, i lejojnë natyrës së njeriut të zotërojë atë që i takon? Kujtohu pastaj të përdorësh parimin që vijon, për çdo ngjarje që të bën të vuash: “Kjo gjë nuk është fatkeqësi, ndërkohë që është fatmirësi ta durosh atë me fisnikëri”.

Është ndihmë jo filozofike, po sidoqoftë frytdhënëse për të përbuzur vdekjen, të sjellësh në mendje ata që u kapën me ngulm pas jetës. E po mirë, a mos kanë qenë vallë më të respektuar nga ata që kanë patur një fund të parakohshëm? Prehen sidoqoftë, diku,  të tjerë si ata, që kishin varrosur shumë njerëz e më pas u varrosën edhe ata! Kështu, pra, koha që mbetet është e vogël, e për më tepër, është për t’u kaluar me kaq vuajtje, në cilën shoqëri dhe në cilin trup! Pra mos e quaj të rëndësishme. Shiko, prapa teje humnerën e përjetësisë dhe përpara teje një tjetër pafundësi të gjelbër. Në këtë këndvështrim çfarë ndryshimi ka të jetosh tre ditë apo edhe tre herë ?

Rend gjithnjë në rrugën më të shkurtër, rruga më e shkurtër është ajo që përputhet me natyrën, që të flasësh dhe të veprosh gjithnjë në mënyrën më të mirë. Një qëllim i tillë, në të vërtetë, të liron nga mundimet e një fushate që i bën jetës tënde, nga çdo përgjegjësi që nuk të takon, nga sqima e tepruar, apo nga çdo frikë e shpresë të rreme e cila të ka robëruar,ndjenja të rreme këto të cilat kanë krijuar idhuj imagjinarë për të vjedhur kohën tënde për të cilën ke ardhur në jetë.

Wednesday, August 29, 2018

Duaje zanatin

Duaje zanatin që ke mësuar, qetësohu tek ai dhe kaloje pjesén më të madhe që të ka mbetur nga jeta si dikush që ia beson Zotit, me gjithë shpirt, çdo të mirë, pa u bërë shtypës apo rob i askujt.

Mendo, për shembull, për kohërat e lashta dhe do të shohësh të njëjtat gjëra: njerëz që martohen, rrisin fëmijët, sëmuren, vdesin, luftojnë, festojnë, bëjnë tregti, kultivojnë, miklojnë, mbyllen në krenarinë e tyre, dyshojnë, bëjnë dallavere, luten që dikush të vdesë, dërdëllisin për kushtet në të cilat ndodhen, bëjnë dashuri, mbledhin thesare, lakmnjnë kënaqësinë, fronin. E po mirë: ata njerëz nuk ekzistojnë më, asgjëkund. Kalo pastaj në kohërat e mesjetës : do të shikosh përsëri të njëjtat gjëra, pa përjashtim: edhe ai brez vdiq. Në të njëjtën mënyrë vrojto edhe shenjat e tjera nën të cilat regjistrohet historia e epokave dhe popujve të tërë dhe shiko sesa njeréz, pasi janë munduar shumë herë kanë rënë në një kohë të shkurtër dhe janë shpërbërë në elementë. Po mbi të gjitha duhet të sjellësh në mendje ata që ti vetë i ke parë të rraskapitur në mundime të kota, duke shpërfillur ato gjëra që nuk përputhen me formimin e tij, duke i mbajtur fort ato dhe duke u kënaqur me aq. Por. këtu, është e nevojshme të kujtosh se edhe vëmendja, që i
përkushtohet veprimit më të vogël e ka një vlerë dhe një masë të përshtatshme: nuk do të ndihesh i poshtëruar, në të vërtetë, vetëm nëse nuk do t’ua vesh veshin për më shumë kohë se ç'duhet gjërave që kanë më pak peshë.

Jeto në përputhje me veten

Mos u end kot, por në çdo shtysë bëj atë që duhet dhe në çdo përfytyrim ruaj aftësinë për të kuptuar.

Është në përputhje me mua çdo gjë që është në përputhje me ty, o botë; asgjë që për ty ndodh në çastin e duhur, nuk është e parakohshme apo e vonuar për mua. Është fryt për mua çdo gjë që sjellin stinët e tua, o natyrë: gjithçka prej teje, gjithçka tek ty, gjithçka për ty. Dikush thotë: “O qytet i dashur i imi "; e ti nuk do të thuash: “O qytet i dashur i shtetit  ”?

Bëj pak gjëra nëse do të jesh i qetë

“Bëj pak gjëra”, thonë “nëse do të jesh gjithnjë i qetë”. Nuk është vallë më mirë të bësh atë që është e domosdoshme dhe që përcakton arsyeja e një qenieje shoqërore nga natyra e në atë mënyrë që ta përcakton ajo? Kjo, në të vërtetë, sjell jo vetëm qetësinë që vjen nga mënyra e të vepruarit sipas aftësisë, por edhe atë që vjen nga të vepruarit pak. Sepse, nëse dikush zhduk pjesën më të madhe të fjalëve dhe veprimeve tona, pasi ato nuk janë të nevojshme, do të ketë më shumë kohë të lirë dhe një qetësi me të sigurt. Prandaj, në çdo rrethanë, duhet t’i kujtojmë vetes: “Mos vallë kjo është diçka e panevojshme.?”. E nuk duhen zhdukur vetëm veprimet e panevojshme, por edhe përfytyrimet e panevojshme: sepse kështu nuk do të ketë as veprime të tepërta.

Vërteto se si të duket jeta e një njeriu të virtytshëm, i kënaqur nga ajo që i ka rënë për pjesë nga gjërat e gjithësisë, i gëzuar për veprimet e tij të drejta dhe për prirjen e tij dashamirëse.

I pe ato gjëra? Shiko edhe këto! Mos e turbullo veten: lehtësohu. Dikush gabon? Dëm vetes i bën. Të ka ndodhur diçka? Mirë: gjithçka që të ndodh, ishte ruajtur për ty që në fillim, ndër gjërat e gjithësisë, që të të jepej ty dhe të ndërthurej me jetën tënde. Epo jeta është e shkurtër; duhet ta shfrytëzosh të tashmen me pjekuri dhe respekt ndaj drejtësisë. Ji i përmbajtur, por me zhdërvjelltësi.

Ose një botë e rregullt ose një çorbë e tërë: por, përsëri, një botë. Është vallë e mundur që tek ty të ketë rregull dhe në gjithësi rrëmujë, kur për më tepër të gjitha gjërat dalin kaq të qarta, të përhapura dhe të bashkuara?

Një natyrë e keqe, një natyrë e dobët, një natyrë e vështirë, e ashpër, shtazarake, fëmijërore, e plogësht, mashtruese, prej hokatari, prej xhambazi, prej shtypësi.

Nëse është i huaj ai që nuk di çfarë ka në botë, është jo më pak i huaj edhe ai që nuk di çfarë ndodh në të. Është i mërguar ai që largohet nga arsyeja mbi të cilën mbështetet shoqëria; i verbër ai që mbyll syrin e mëndjes; lypës ai që ka nevojë për dikë tjetër edhe nuk e nxjerr nga vetja gjithçka që duhet për jetën; absces i botës ai që heq dorë dhe shkëputet nga jeta, i pakënaqur nga ngjarjet, nga arsyeja e natyrës së  përgjithshme: është ajo që, në të vërtetë, të ka prodhuar edhe ty; është ashkël e qytetit ai që ndan shpirtin e tij nga ai i qenieve të arsyeshme, i cili është vetëm një.

Tuesday, August 28, 2018

Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe puno sikur do të jetosh përgjithmonë

Mos jeto sikur duhet të jetosh mijëra vite. Vdekja të kercenon: derisa të jetë e mundur, bëhu njeri i virtytshëm
...sa kohë të lirë fiton ai që nuk vë re se çfarë thonë, bëjnë apo mendojnë të tjerët, por shikon vetëm punët e tij, që ato të jenë të drejta dhe të devotshme, domethënë në përputhje me njeriun e virtytshëm. Mos u kthe rreth e rrotull për të parë një njeri të lig, por vrapo drejt përgjatë përvijimit, pa i lejuar vetes që të ndërrosh rrugë.

Kujt i digjet zemra për lavdinë e tij pas vdekjes nuk mendon se edhe secili nga ata që do ta kujtojnë do të vdesë shumë shpejt e pastaj do ti vijë radha atij që i ka marrë vendin derisa kujtimi i tij, duke qarkulluar mes jetësh që ndizen dhe shuhen, do të zhduket plotësisht. Por le ta zëmë se janë të pavdekshëm ata që do të të kujtojnë dhe i pavdekshëm kujtimi: e pastaj, çfarë kuptimi ka e gjithë kjo për ty? Dhe nuk them vetëm se nuk ka kuptim për të ndjerin: por edhe për ata që jetojnë, ç’kuptim ka vepra e lavdishme? (duke përjashtuar rolin dytësor të saj). Tani, në të vërtetë, ti shpërfille edhe me ngulm po deshe dhuntinë e natyrës, duke iu përkushtuar një gjykimi tjetër; pastaj [.]

Gjithçka, që për çfarëdolloj arsye është e bukur, është e bukur vetvetiu dhe përmbyllet në vetvete, lavdia nuk është pjesë e saj. Pra ajo që lavdërohet nuk bëhet për këtë arsye as më e keqe e as më e mirë. Këtë e them edhe për gjërat që zakonisht quhen të bukura, si për shembull sendet materiale dhe prodhimet artistike. Ndërsa, ajo që është me të vërtetë e bukur për çfarë tjetër ka nevojë? Për asgjë, tamam si ligji, si e vërteta, si dashamirësia apo thjeshtësia. Cila nga këto gjëra zbukurohet nëse e lëvdojnë apo humb vlerën nëse e qortojnë? Mos vallë një smerald shëmtohet nëse e qortojnë? Po ari, fildishi, purpuri, një muze, një kamë, një lule e vogël, një pemë e vogël?

Nëse shpirtrat vazhdojnë të jetojnë, si mundet vallë ajri t’i mbajë ata të gjithë që nga përjetësia? Dhe si mundet toka të mbajë kufomat e atyre që janë varrosur prej shumë kohësh? Në të vërtetë, ashtu si këtu poshtë shndërrimi dhe shpërbërja e tyre, pasi zgjasin për një kohë të caktuar, ua lënë vendin të vdekurve të tjerë, ashtu edhe shpirtrat shtegtojnë në ajër, pasi ruhen për një periudhë të caktuar, shndërrohen, përhapen dhe shpërthejnë duke u përmbledhur në të drejtën e riprodhimit të gjithësisë, e në këtë mënyrë i bëjnë vend shpirtrave që vazhdojnë të shtohen në të. Kjo mund të jetë përgjigjja e hipotezës se shpirtrat vazhdojnë të jetojnë. Por nuk duhet marrë parasysh vetëm sasia e kufomave që varrosen në këtë mënyrë, por edhe ajo e kafshëve që çdo ditë hahen nga ne dhe nga të tjera kafshë. Sa i madh është, në të vërtetë, numri i kafshëve që hahen e kështu, në njëfarë mënyre, varrosen në trupin e atij që ushqehet me to? E megjithatë ka vend mjaftueshëm për t’i pranuar ato , falë përvetësimit në gjak, shndërrimit në përbërës ajrorë ose të zjarrtë. Në këtë rast, cila është rruga për të arritur tek e vërteta? Ndryshimi midis lëndës dhe shkakut.

Mos ji prej atyre që lexojnë...

Mos ji prej atyre të cilët lexojnë për të kënaqur egon e tyre,as për të përkëdhelur bindjet e tua,as për të shijuar fantazinë.
Nëse je prej tyre,dije se nuk ke lexuar asgjë!
Kur të kesh lexuar me frikën se mos të bien iluzionet që ke jetuar gjatë jetës,kur të kesh lexuar për të tronditur themelet e bindjeve që të kanë edukuar,kur të kesh lexuar për të trembur shpresat e rreme dhe për të përmendur shpirtin në mundësitë e së tashmes,kur të kesh lexuar për të luajtur me kritikat pa frikën se mos luan mendsh nga vendimet e paqarta në të cilat do gjendesh,kur të kesh lexuar për historinë e sajuar dhe për të vërtetat e vrara që kanë krijuar historinë, atëherë do bëhesh një lexues i mirëfilltë,një lexues i cili nuk do e pranonte kurrë faktin që është një lexues sepse në të vërtetë ajo çka lexon nuk është gjë tjetër veçse një jetë e sajuar!!!

Bota është ndryshim, jeta është mendim.

Të gjithë kërkojnë një vend ku të veçohen, fusha, vende bregdetare e male; edhe ti e ke zakon të dëshirosh fort një vetmi të tillë. Por e gjithë kjo është tipike për atë që nuk ka aspak dije filozofike, meqenëse është e mundur që të vcçohesh brenda vetes tënde, kur të duash ti; sepse njeriu nuk mund të veçohet në një vend më të qetë a të pashqetësuar se shpirti i vet, mbi të gjitha kush ka, brenda tij, parime të tilla që i mjafton të zhytë shikimin në to për të arritur mënjëherë mirëqenien e
plotë: me mirëqenie nuk nënkuptoj asgjë tjetër veçse rregullin e duhur shpirtëror. Pra, lejoja vetes vazhdimisht këtë veçim dhe ripërtërije atë; e le të jenë të shkurtra dhe të thjeshta parimet të cilat, sapo i ndesh mjaftojnë për të të liruar nga çdo neveri dhe për të të ndarë nga gjërat tek të cilat ti do të kthehesh përsëri në mënyrë të tillë që të mos ndiesh bezdi. Në të vërtetë, çfarë të bezdis ty ; shpirtligësia e njerëzve? Merr parasysh kufijtë e çështjes pra, që qeniet e arsyeshme ekzistojnë për njëra tjetrën; që durimi është pjesë e drejtësisë, që njerëzit gabojnë pa dashur e duke marrë parasysh se sa njerëz, pasi kanë ndjerë tashmë armiqësi, dyshim, urrejtje, dergjen të hidhëruar, të katandisur në hi, e po mjaft tani! Apo ndoshta bezdia jote ka të bëjë edhe me fatin që të është caktuar në rregullin e përbotshëm! Kthehu me mendje tek zgjidhja: “Ose provani ose atome.” dhe tek të gjitha argumentet me anë të të cilave u tregua se bota është si një qytet. Apo ndoshta do të ndihesh i lënduar nga gjërat e trupit. Mendo përsëri që mendja nuk përzihet me lëvizje të ëmbla apo të ashpra të frymës jetësore, pasi e ka veçuar veten dhe ka njohur pushtetin e saj; e pastaj mendo për të gjitha gjërat që ke dëgjuar mbi dhimbjen dhe kënaqësinë e për të cilat ke shprehur pëlqimin tend. Apo do të jetë ndoshta meraku për një famë të mjerueshme që do të të çojë në një drejtim të gabuar? Shiko shpejtësinë e harresës e cila prek gjithçka, humnerën e përjetësisë që shtrihet e pafund në të gjitha drejtimet, në zbrazëtinë e famës, paqëndrueshmërinë edhe mospërfilljen e atij që duket sikur të thur lëvdata, dhe në pamjaftueshmërinë e vendit në të cilin është e kufizuar fama. Sepse e gjithë toka është një pikë: po cila skutë kaq e vogël e tokës është kjo banesë? Dhe sa e cilët janë njerëzit që do të të lëvdojnë këtu? Mos harro, atëherë, se mund të veçohesh në këtë fushë të vogël, e mbi të gjitha mos u shqetëso dhe mos e ndëshko shumë veten, por ji i lirë dhe shikoje realitetin si burrë, si qenie njerëzore, si qytetar, si qenie e vdekshme. E ndër parimet që duhet të kesh gjithnjë parasysh kur të mbështetesh tek ata, le të jenë këta dy që vijojnë. I pari: gjërat nuk prekin shpirtin, po qëndrojnë të palëvizura nga jashtë, ndërsa turbullimet vijnë vetëm nga mendimi që krijohet nga brenda. I dyti: gjithçka që sheh, pas një çasti do të shndërrohet e do të zhduket; e mendon vazhdimisht për shndërrimin e të gjitha gjërave tek të cilat ke qenë i pranishëm.
Bota është ndryshim, jeta është mendim.

Parimi themelor

Parimi i lartë brenda nesh, kur është në përputhje me natyrën, ka ndaj ngjarjeve një prirje të tillë, që mund ta ndryshojë gjithnjë fare lehtë në lidhje me atë çka është e mundur dhe e lejuar. Në të vërtetë nuk pëlqen asnjë çështje të përcaktuar, por ndjek, me mirëbësim, shtysën e tij në synimet më fisnike dhe nga gjërat që i kundërvihen ai merr shkas për veten, ashtu si zjarri kur e bën të tijën atë që ndodhet brenda tij një qiri do të ishte shuar: zjarri i ndezur, përkundrazi, aty për aty pushton gjithçka që i hidhet sipër, e përpin dhe pikërisht nga kjo merr ushqimin për të flakëruar akoma më shumë.

Natyra e të dobishmes nuk sjell gjë tjetër veçse dobi.

Ajo çka nuk e bën njeriun më të keq nga ç’është, nuk e bën të keqë as jetën e tij dhe nuk e dëmton atë, as nga
jashtë as nga brenda. Natyra e së dobishmës nuk mund të sjellë veçse dobi. Gjithçka që ndodh, ndodh me të drejtë: do ta vërtetosh këtë, nëse vëren me kujdes. Nuk them vetëm në kuptimin që ndodh si rrjedhim i duhur, po në kuptimin që' ndodh me drejtësi dhe si vepër e dikujt që të jep aq sa të takon. Pra ruaje këtë parim, ashtu siç ke nisur të bësh dhe çfarëdolloj veprimi bëje me kusht që të jesh i mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës“ ‘i mirë”. Ruaje këtë nëvojë në çdo veprim që bën.
Asnjë veprim të mos bëhet rastësisht apo në çfarëdolloj mënyre të papërputhshme me një parim që do të të ndihmojë për të zbatuar mjeshtërinë e të jetuarit.

Keq arsimimi

Nëse arsimimi yt të ka larguar nga të shijuarit e jetës, atëherë duhet të rikthehesh përsëri në arsimimin fillor,ose të largohesh nga ai lloj arsimimi dhe të gjesh tjetër formim arsimimi.Sepse qëllimi i arsimit nuk është të të largojë nga të shijuarit e jetës por të të mësojë si të jetosh jetën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Disa njerëz pretendojnë se kanë fituar të drejtën për të bërë analizën e një jetese dhe të këshillojnë të tjerët vetëm se e ndjejnë veten të arsimuar.

Marrin rolin kryesor,futin në kornizën e dijes së tyre jetën e tjetrit,mundohen të gjejnë një gabim,të japin një pamje tjetër sesi duhet të jesh,bëjnë rolin e psikologut dhe dijetarit, përpiqen të zënë vend duke lënë gjurmë në historinë e jetës tënde me motive diskriminimi. Dhe më pas,me mendjen e tyre  i thonë vetes në heshtjen hipokrite përgojimet më të ndyra për tjetrin,pastaj shprehin fjalë të tjera përballë teje,e kur veprojnë janë lojtarë në dy fronte.
Jeta e tyre është me të vërtetë e dëshpëruar sepse krijojnë ide të rreme në mendjen e tyre për veten duke menduar se e kanë fituar këtë të drejtë që të bëjnë lojra dhe role të ndryshme.

Iluzioni më i madh është t'i japësh vetes një ide që me të vërtetë nuk të përket.

Nuk mund të humbësh diçka që nuk e ke

Askush nuk është më fatkeq se ai që përshkon gjithë rrugën në një rreth dhe, siç thotë poeti, “hulumton thellësinë e tokës” e përpiqet të kuptojë atë që kanë në shpirt të tjerët,pa vënë re që mjafton t'i përkushtohet vetëm djallit që ka brenda vetes dhe t'i thurë atij një kult të sinqertë. Kulti që i takon të bëjë qëndron në llumin e kulluar nga pasioni, nga
mëndjelehtësia dhe nga pakënaqësia për gjërat që dhe nga njerëzit. Gjërat që vijnë idhujt imagjinarë, në të vërtetë, janë të admirueshme për virtytet e tyre, ndërsa ato që vijnë nga njerëzit janë të dhembshura për lidhjen tonë farefisnore me ta, e ndonjëherë, në njëfarë mënyre, meritojnë mëshirë sepse lindin nga mosnjohja e së mirës dhe së keqes
- verbëri kjo, jo më pak e rëndë se ajo që nuk të lejon të dallosh të bardhën nga e zeza.
Edhe sikur të jetoje tremijë vjet e dhjetë herë të tjera sa aq, sidoqoftë mos harro që askush nuk humb një tjetër jetë përveç asaj që po e jeton, as nuk jeton një jetë tjetër përveç kësaj që është duke e humbur. Prandaj jeta më e gjatë
dhe ajo më e shkurtra përputhen. Në të vërtetë e tashmja është e njëjtë për të gjithë, po ashtu edhe ajo që tretet është e njëjtë dhe humbja del, kështu, e pakuptimtë. Sepse askush nuk mund të humbë të kaluarën e as të ardhmen: si mund të të privojnë nga ajo që ti nuk e ke? Pra, mos harro asnjëherë këto dy pika: e para, se gjithçka që vjen nga përjetësia është e të njëjtit lloj dhe me radhë rikthehet, e nuk ka asnjë
ndryshim nëse do të shihen të njëjtat gjëra pas njëqind apo dyqind vjetësh apo në pafundësinë kohës: e dyta, se si ai që jeton për shumë vite me radhë ashtu edhe ai që vdes pasi ka
jetuar shumë pak kohë, njësoj humbasin. Në të vërtetë, ajo nga e cila mund të të privojnë, është vetëm e tashmja, pasi është e vetmja gjë që kemi dhe dikush nuk mund të humbë
atë që nuk ka.

 

Saturday, August 25, 2018

Në mendjen e një njeriu

Në mendjen e një njeriu të kthyer përsëri tek rregulli dhe tek dëlirësia nuk mund të gjesh asgjë të kalbur, asgjë të fëlliqur, asnjë plagë të brendshme. E, kur vjen vdekja, jeta e tij nuk është e papërfunduar, siç mund të thuhej përkundrazi në rastin e një aktori tragjik, i cili do të ndahej para se të kish mbaruar dhe recituar krejt dramën. E më tej, asgjë të shtirur, asgjë të hirshme, asnjë lidhje të tepruar, asnjë shkëputje të cunguar, asnjë dhënie llogarie të tjerëve, asnjë grackë.

Nderoje aftësinë për të kuptuar një opinion: varet tërësisht nga kjo gjë fakti që në parimin tënd drejtues të mos lindë më ndonjë mendim që s’ka të bëjë me natyrën dhe me përbërjen e qenies së arsyeshme. Dhe është kjo që jep shpresa për një sjellje të përmbajtur, për afërsi me njerëzit dhe bindje ndaj Zotit .

Pra, hidh tutje gjithçka dhe mbaj fort vetëm këto pak gjëra e mos harro as që secili jeton vetëm këtë të tashme, tej mase të shkurtër: pjesa që mbetet është e jetuar tashmë ose është e mbështjellë në pasiguri. Është e parëndësishme, pra, ajo që përjeton secili prej nesh, është e parëndësishme skuta e tokës në të cilën ai jeton; e është po ashtu e parëndësishme edhe forma më e qëndrueshme pas vdekjes: kjo formë e trashëguar brez pas brezi nga burracakë që kanë vdekur menjëherë e që nuk njohin as veten e tyre, jo më pastaj ata që kanë vdekur tashmë prej kohësh!

Një dhimbje

Një dhimbje mund të harrohet vetëm nëse përjeton një dhimbje më të madhe.
Një kënaqësi mund të kujtohet vetëm nëse përjeton një kënaqësi më të vogël prej saj!
Një jetë kujtohet kur vdekja nuk është fundi i jetës,por fillimi i një jete tjetër.
Një vdekje harrohet kur jeta është një kapitull i mbyllur pa domethënie!

Arsys le ti shtojmë dhe një element

Arsyes le t’i shtojmë edhe një tjetër element : të përgatitesh gjithnjë për të përcaktuar apo për të njohur qëllimin e përfytyrimit, që ta shohësh kështu atë në thelb, të zhveshur në pastërtinë e tij shpirtërore dhe, një nga një, në çdo pjesë të tij e të shqiptosh me vete emrin e tij, emrat e elementëve që e përbëjnë atë dhe në të cilët ai do të shpërbëhet. Në të vërtetë, asgjë nuk mund ta lartésojé shpirtin tonë aq sa mund të bëjë fakti që të dish të shoshitësh rregullisht dhe realisht një nga një ngjarjet e jetës e t’u japësh gjithnjë rëndësi atyre në mënyrë që të kuptosh çfarë dobie ka një ngjarje e caktuar dhe për cilën botë, e si rrjedhojë çfarë vlere ka ajo në lidhje me gjithësinë dhe çfarë vlere në lidhje me njeriun si qytetar , në krahasim me të cilin qytetet e tjera janë si shtëpi; çfarë është, si është i përbërë dhe për sa kohë, sipas natyrës së tij, zgjat ky qëllim i cili tani krijon përfytyrimin tim, e cilat virtyte duhen përdorur në lidhje me të si për shembull: urtësia, burrëria, çiltërsia, ndershmëria, thjeshtësia, vetëmjaftueshmëria e të tjera. Prandaj në çdo rrethanë duhet të thuash: kjo gjë vjen nga Zoti, kjo tjetra del nga lidhjet e ngjarjeve, nga gërshetimi i lidhjeve dhe nga përputhjet e tyre të rastësishme, kjo tjetra pastaj vjen nga një qenie që mbështet racën time, fisin tim dhe bashkësinë time, megjithatë nuk e merr parasysh se çfarë është për të sipas natyrës. Por e marr parasysh unë: prandaj e përdor si ligjin natyror të bashkësisë, me zemërbutësi dhe drejtësi; ndërkohë që përpiqem të jap vlerësimin e duhur në fushën e gjërave të ndërmjetme.

Nëse e bën këtë detyrë duke ndjekur arsyen e drejtë, me zell, me gjallëri, me dashamirësi dhe nuk merresh me asnjë ngjarje dytësore, por e ruan "djallin" tënd në gjithë paprekshmërinë e tij, sikur do të të duhej ta dorëzoje atë nga një çast në tjetrin: nëse i përmbahesh këtij parimi pa shpresuar apo pa iu shmangur asgjëje, përkundrazi i kënaqur nga sjellja jote e tanishme në përputhje me natyrën dhe nga vërtetësia jote për ato që thua dhe shpreh, atëherë ti do të jetosh i lumtur. E askush nuk do të të ndalë dot për këtë.

Ashtu si mjekët që kanë gjithnjë në dorë mjetet dhe veglat për të ndërhyrë menjëherë, ashtu edhe ti mbaj gjithnjë gati parimet për të njohur njerëzoren dhe hyjnoren dhe për të bërë çdo gjë, edhe gjënë më të vogël si dikush që e ka shumë të qartë lidhjen e ndërsjelltë midis njërës dhe tjetrës. Sepse, duke mos marrë parasysh bashkëlidhien me gjërat hyjnore, nuk do mund të bësh dot mirë asgjë njerëzore dhe anasjelltas.

Mos u end më: nuk do arrish dot të lexosh shënimet e tua, as veprat e grekëve të lashtë, të romakëve të lashtë,të arabëve,indianëve,kinezëve  dhe pjesët e veprave që kishe vënë mënjanë për pleqërinë; shpresat për të arritur qëllimin, atëherë, lëri shpresat e kota dhe ndihmo veten, nëse të bëhet ndopak vonë për veten tënde, derisa të jetë e mundur.

Nuk dinë sesa kuptime ka të vjedhësh, të mbjellësh, të biesh, të qëndrosh i qetë, të shikosh gjërat që duhen bërë (Veprim ky që nuk bëhet me sy, por me një shikim tjetër).

Trup, shpirt, mendje. Nga trupi ; ndienja ; nga shpirti  shtysat; nga mendja ; parimet. Të tronditesh nga një përfytyrim është veti që e kanë edhe kafshët, të vihesh në lëvizje nga shtysat si marioneta është veti që e kanë edhe shtazët e egra, edhe androgjenët, edhe një Falarid, edhe një Neron; të kesh në mendje një udhërrëfyes për atë që duket se është detyra jonë, këtë veti e ka edhe ai që nuk beson tek Zoti , ai që tradhton atdheun dhe ai që.. çfarë nuk bën, pasi ka mbyllur derën! Tani, nëse ajo që mbetet është e rëndomtë për tipat e përmendur, veçoria që mbetet veti e njeriut të ndershëm është të dojë dhe të pranojë me gjithë zemër ngjarjet dhe gërshetimin e gjërave që i përkasin atij; e të mos e ndotë as të mos e trazojë të keqen që qëndron në kraharorin e tij me një sërë përfytyrimesh, por ta mbajë atë të qetë, të prirur për të ndjekur me bindje Zotin, pa thënë asgjë në kundërshtim me të vërtetën ose pa bërë asgjë në kundërshtim me të drejtën. Edhe pse i tërë njerëzimi nuk beson që ai jeton në mënyrë të thjeshtë, me dëshirë dhe optimizëm, nuk zemërohet me asnjë dhe nuk të nxjerr nga rruga që të çon në fundin e jetës, atje ku duhet të mbërrijmë të kthjellët, të qetë, gati për t’u shkëputur, në harmoni të natyrshme me fatin tonë.

Friday, August 24, 2018

Ruani energjinë

Mos e harxho atë pjesë jete që të ka mbetur duke përfytyruar gjëra që kanë lidhje me të tjerët, përveç rasteve kur veprimet që bën janë të dobishme për të gjithë: ose, përndryshe, do të heqësh dorë nga një punë tjetër [..] duke përfytyruar kështu se çfarë bën dikush dhe përse e bën atë, se çfarë thotë, çfarë mendon, çfarë bluan në mendje e gjëra të tjera të tilla: që të gjitha sjellje këto, të cilat nga përkujdesje kthehen në parim drejtues për jetën. Pra nuk duhet të lejosh që gjërat e rastësishme dhe ato të pabazuara të kenë lidhje me përfytyrimet, e mbi të gjitha nuk duhet të pranosh pafytyrësinë dhe ligësinë; dhe duhet të mësohesh vetëm me përfytyrime të tilla që, nëse papritur, dikush të pyet: “Për çfarë po mendon tani?”, t’i përgjigjesh menjëherë plot çiltërsi: “Për këtë e për atë”; kështu, nga fjalët e tua do të ishte menjëherë e qartë se çdo mendim i yti është i thjeshtë, dashamirës, se i shkon për shtat një qenieje që duhet të jetojë në shoqëri, i shpërfill vegimet që nxisin endje apo ndryshe, kënaqësi, është i pandjeshëm për ndonjë një lloj  armiqësie, zilie, dyshimi apo çfarëdolloj epshi tjetër për të cilin do të skuqeshin, nëse do të duhej të sqaroje se e ndien atë thellë brenda teje. Në të vërtetë një njeri i tillë, që nuk mendohet më gjatë për të bërë pjesë tek ata që janë pa dyshim më të mirët, është si një i urtë , është në raport  të ngushtë edhe me Zotin që ndodhet brenda tij : kjo e bën njeriun të mos përlyhet nga kënaqësitë, të mos cënohet nga dhimbjet, të mos preket nga asnjë padrejtësi, të mos jetë i ndjeshëm ndaj asnjë lloj ligësie, të jetë atlet në garën më të fortë - luftën për të mos u mundur nga asnjë epsh e bën të jetë thellësisht i nginjur me drejtësi, i gatshëm për të pranur me gjithë shpirt gjithçka që i ndodh dhe që i ka caktuar fati, e bën të mos mendojë shpesh, përveç rasteve kur mendimi i tij është i dobishëm për të gjithë, se çfarë thotë, bën apo mendon vallë dikush tjetër. Ky njeri, në të vërtetë, përsa i përket mënyrës se si sillet, shikon vetëm punët e tij dhe mendon vazhdimisht ngjarjet që ndodhin në botë, vetëm për ato që gërshetohen me të, e të parat i bën më fisnike ndërkohë që është i bindur se të dytat janë të thjeshta. Në të vërtetë fati që i është caktuar secilit prej nesh është pjesë e gjithçkaje dhe na bën të jemi pjesë të gjithçkaje. E nuk harron ky njeri as se çdo qenie e arsyeshme është e afërt me të dhe se të kujdesesh për të gjithë njerëzit është në përputhje me natyrën njerëzore, e megjithatë nuk duhet t’i përmbahesh mendimit të të gjithëve, por vetëm të atij që jeton në përputhje me natyrën. Përsa i përket pastaj atyre që nuk jetojnë kështu, ai e ka gjithnjë të qartë se çfarë lloj njerëzish ka në shtëpi dhe jashtë saj, çfarë njerëzish janë ata dhe me cilët njerëz ka të bëjë ai ditë e natë. E nuk merr parasysh pastaj as lëvdatat që mund t’i bëjnë, meqë ata nuk pëlqejnë as veten e tyre.

Vlerësimi

Nuk duhet marrë parasysh vetëm fakti se jeta kalon çdo ditë dhe ngelet për të jetuar një pjesë gjithnjë e më e vogël e saj, por edhe fakti se, nëse dikush do të jetonte më gjatë, përsëri do të mbetej një paqartësi: aftësia e tij mendore,a do të ishte ende njësoj në gjendje për të kuptuar veprimet dhe teorinë që është e prirur për njohjen konkrete të gjërave hyjnore dhe atyre njerëzore? Në fakt, nëse do të fillojë të jermojë, ai - është e vërtetë -  nuk do të humbasë aftësinë për të marrë frymë, për t’u ushqyer, për të patur mbresa, për të ndier shtysa, e kështu me radhë: po do të humbasë aftësinë për të urdhëruar veten, kujdesin e përpiktë për të gjitha gjërat e domosdoshme, shqyrtimin me imtësi të ngjarjeve të ndryshme, vetëvlerësimin e nevojës për t’i dhënë fund jetës së tij e të tjera si këto që kërkojnë po ashtu një arsye të stërvitur mirë. Të gjitha këto shuhen para çdo gjëje tjetër. Pra duhet të shpejtosh jo vetëm sepse vdekja afrohet çdo çast e më shumë, por edhe sepse aftësia për të kuptuar dhe për të ndjekur realitetin shteron para se të vijë fundi.

Duhen vlerësuar edhe këto vërejtje: elementët përbërës të proceseve natyrore kanë diçka të këndshme dhe tërheqëse. Për shembull, ndërsa piqet buka, disa pjesë të saj plasariten dhe këto dellëzime që krijohen, e që, në njëfarë kuptimi, janë në kundërshtim me përfundimin që duhet të dalë nga gatuarja e bukës, kanë lezetin e tyre dhe janë një mënyrë e veçantë për të nxitur oreksin. E më tej: fiqtë tej mase të pjekur janë të hapur. Edhe ullinjtë e lënë akoma në pemë pasi janë bërë: është pikërisht fakti se janë afër prishjes që i jep pemës një bukuri të veçantë. Edhe kallinjtë, që përkulen drejt tokës, balli i rudhët i luanit, jarga që kullon nga goja e derrit të egër dhe shumë gjëra të tjera: po t’i vesh re një nga një nuk janë aspak të këndshme, e megjithatë, pikërisht për faktin se janë rrjedhoja të ngjarjeve natyrore, ndihmojnë për të hijeshuar dhe magjepsur, aq sa, nëse dikush ka një ndjeshmëri dhe botëkuptim më të thellë se gjërat që prodhohen në rruzull, nuk do të ketë pothuajse asgjë, as nga ato që ndodhin në varësi të dukurive të tjera, që të mund t’i duket e këndshme. Ky njeri, atëherë, edhe grykat e shqyera të egërsirave për së gjalli do t’i shohë me po aq kënaqësi sa sheh imitimin që i bëjnë atyre piktorët dhe skulptorët; dhe me sytë e tij të dëlirë do dijë të dallojë tek dy të moshuar një lloj pjekurie plot energji, hijeshinë që të tërheq tek fëmijët dhe do t’i jepet rasti të bëjë shumë vëzhgime të tjera të ngjashme me këto, të cilat nuk janë bindëse për cilindo, por vetëm për atë që ka arritur të afrohet me të vërtetë me natyrën dhe me veprat e saj.

Përmbaju asaj që është më e lartë

Nëse në jetën njerëzore gjen diçka më të lartë se drejtësia, se e vërteta, se vetëpërmbajtja, se burrëria, me një fjalë, se fakti që mendjes tënde i mjafton vetja e saj për veprimet që të bën të kryesh sipas gjykimit të drejtë dhe i mjafton ajo ç’është e shkruar për fatin që na kanë caktuar pavarësisht nga zgjedhja që kemi bërë ne; them pra, nëse shikon diçka më të lartë se kjo, drejtoju asaj me gjithë shpirt dhe shijoje këtë të mirë kaq të madhe që gjen në të. Nëse përkundrazi asgjë nuk të duket më e lartë se vetë djalli që jeton brenda teje dhe që ka nënshtruar tek vetja të gjitha shtysat e tua, që shoshit përfytyrimet e tua, që i ka përvetësuar (siç thoshte Sokrati) epshet e ndjenjave, që i është nënshtruar Zotit dhe kujdeset për njerëzit; nëse para kësaj gjithçka të duket më e vogël dhe më e ulët, mos lër vend për asgjë tjetër: sepse po fillove të anosh dhe të priresh nga diçka tjetër nuk do jesh më në gjendje të nderosh i pashqetësuar, mbi gjithçka tjetër, atë të mirë që është vërtet vetëm e jotja: të mirës së arsyes dhe të shoqërisë, në fakt, nuk është e drejtë t’i kundërvesh çfarëdolloj gjëje të një natyre tjetër, si lëvdatat e njerëzve, fajet, pasurinë ose qejfin e kënaqësive. Të gjitha gjëra, këto, që edhe nëse për një çast duket se i përgjigjen nië harmonie të brendshme, papritur të mposhtin dhe të çojnë në rrugë të gabuar. Po ti, them unë, zgjidh në mënyrë të pastër dhe të lirë atë ç’është më e mirë dhe mbështetu tek ajo. “Po më e mira është më e dobishmia.” Nëse e ke fjalën për të dobishmen e  qenies së arsyeshme, respektoje atë gjithmonë; përkundrazi, nëse e ke fjalën për të dobishmen e qenies frymore, zbuloje atë dhe ndale gjykimin tënd, pa
mendjemadhësi të kota; vetëm mundohu të përcjellësh
vlerësimin tënd me bindje të plotë.

Mos e lëvdo asnjëherë, sikur të ishte gjëja më e dobishme për ty, atë çka një ditë do të të detyrojë të mos mbash fjalën e dhënë, të jesh i pafytyrë, të urresh dikë, të dyshosh, të mallkosh, të shtiresh, të dëshirosh diçka që duhet të mos ia tregosh askujt. Sepse ai që ka zgjedhur në radhë të parë Zotin e vet, largon djallin e vet dhe adhurimin që i takon "virtytit" të këtij djalli, nuk bën tragjedi, nuk shpërthen në rënkime, nuk do të ndiejë nevojën të jetë i vetëm apo të jetë i rrethuar nga një turmë njerëzish: e gjëja më e rëndësishme është se do të jetojë pa ndjekur askënd dhe pa ia mbathur nga askush. E nuk i bëhet aspak vonë që të përfitojë për një hapësirë kohë më të madhe apo më të vogël se shpirti i mbështjellë në trupin e tij: në të vërtetë edhe nëse duhet të largohet nga jeta pas një çasti, është gati të shkëputet dhe të niset sikur të  jetë duke bërë çfarëdolloj veprimi tjetër nga ata që mund ti; bëhen pa turp dhe me dinjitet, duke u kujdesur, gjatë gjithë jetës, vetëm për këtë, që mendja e tij të mos kthehet në diçka të gabuar për një qenie të arsyeshme dhe shoqërore.

Mos i bëj gjërat me pahir

Mos i bëj gjërat me pahir, as në mënyrë individualiste pa i shqyrtuar ato me kujdes, apo duke lejuar që të të bëjnë për vete; mos e zbukuro mendimin tënd me fjalë të bukura; mos thuaj shumë fjalë, mos bëj shumë gjëra. E më tej: besimi që ndodhet brenda teje le të jetë prijëse e një qenieje burrërore, të pjekur, pjesëtar i bashkësisë qytetare, prijës i vetvetes , i një sunduesi, i një njeriu që është vënë në gjendjen shpirtërore të atij që pret shenjën për t’u tërhequr nga jeta, i gatshëm për të ndërprerë lidhjet, pa pasur nevojë për një amanet apo për dikë që të jetë dëshmitar. Brenda vetes, qetësi dhe nga jashtë asnjë nevojë për ndihmë, asnjë domosdoshmëri për paqe nga ana e të tjerëve. Duhet të jemi vetë të drejtë, jo të na ndreqin të tjerët.

Saturday, August 18, 2018

Të bësh atë që do dhe të duash atë që bën

Të bësh atë që do dhe ta duash atë që bën!

Ka një dallim të theksuar midis asaj që bën me dëshirë dhe asaj që bën i detyruar.
Mirëpo jo gjithmonë zgjedhim në jetë atë që duam sepse kjo nuk varet gjithnjë nga ne,prandaj jeta na detyron të zgjedhim diçka të detyruar.
Do ishte fat i madh të bësh në jetë atë që ti do por akoma më mirë do të ishte të doje atë që ke zgjedhur të bësh.
Edhe pse në jetë nuk zgjedhim gjithnjë atë që duam,të paktën ta duam atë që bëjmë!
Mirëpo kjo është shumë e rrallë sepse duke qenë se zgjedhim të detyruar,si mund t'a duam atë gjë të detyruar?
Jeta është e tillë!
Dhe ne duhet të pranojmë jetën siç na vjen me një kënaqësi.Duke qenë të kënaqur me çfarë na sjell jeta,ne e jetojmë jetën e tashme me kënaqësi,duke futur ndjenja pozitive në të!
Është shumë e veshtirë të gjesh dikë sot që të bëjë një jetë duke i patur të dyja opsionet,kjo sepse të bësh atë që do,duhet të punosh fort për të arritur aty tek ajo që do.
Por jo të gjithë e duan më pas atë që kanë arritur edhe pse e kanë dashur.
Pse ndodh kjo?!
Sepse nuk është ai që ka zgjedhur për jetën e tij,por kanë zgjedhur të tjerë për të.
Prandaj nuk gjejnë kënaqësi në atë që bëjnë.
Por nëse gjen kënaqësi në diçka tjetër edhe pse nuk ke punuar për të arritur aty,kjo do të thotë se ti e do atë që bën.Kjo që ti do,përcakton se kush je në të vërtetë.

Dikush mund të thotë : Punën që unë bëj nuk e dua por e bëj me dëshirë sepse më sjell fitim më të lartë se ajo që unë dua të bëj me dashuri!

Këtij i themi : " Fitimi nuk është gjithçka, fitimi është thjesht një çështje siguracioni.
Puna që bën pa dashuri rrezikon të të sjellë herët a vonë,një çekuilibër psikologjik,mungesë pozitiveti në jetë,në familje,në shoqëri pasi aty ku nuk je vetvetja,kurrë s'ke për të jetuar,por duke mbijetuar"!

Prandaj,nëse doni një shëndet dhe harmoni në veten dhe rrethin ku jetoni,bëni atë që doni dhe duajeni atë që bëni.
Dashuria për punën dhe puna e bërë me dashuri krijojnë jetën e dëshiruar!

"Nuk do jenë këpucët ato që do gjykohen për rrugët ku kanë shkelur por këmbët e tua"

Ai që është i pasur i thotë të varfërit : " vetë e ke fajin që je në gjendje të tillë"!
Ai që është në punë thotë të papunëve : " pse nuk punon?"
Ai që është i martuar i thotë beqarit : " pse nuk martohesh, kështu do rrish?!"
Ai që është lart i thotë atij që është poshtë : " pse nuk më jep dorën të ngrihesh,unë do përkulem të t'a jap?!"
Ai që është i thotë atij që nuk është : " pse je kshu,pse nuk je ashtu,pse bën këtë,pse nuk bën atë...etj...

Jeta e çdo kujt nuk është e jotja,prandaj ti bëj atë që ke për të bërë pa bërë gjykatësin e jetës së tjetrit.Sepse ti nuk do gjykohesh për atë që bën tjetri por për atë që bën vetë.
Qëllimi i jetës tënde nuk justifikohet duke gjykuar jetën e tjetrit por duke vepruar në përputhje me kërkesat e qëllimit të jetës tënde!

"Nuk do jenë këpucët ato që do gjykohen për rrugët ku kanë shkelur por këmbët e tua"

Mbretëria e zemrës

Sa mirë është të jesh mbret/ëreshë por jo në mbretërinë e botës,as në mbretërinë e të pasurve por në mbretërinë e një zemre të pasur me dashurinë për ty ; e një nëne plot dhembshuri, përkujdesjeje,mëshire, dhembshurie, sakrifice, edukimi dhe lutjesh për ty.
E një zemre të pasur me dashurinë për ty si njeri ; e një gruaje/burri  me zemër të pastër në shpirt,që nuk mund ta ndërtojë jetën pa praninë e tjetrit,që zemra nuk jeton pa gjysmën tjetër të saj.
Sa mirë është të jetosh në një mbretëri të tillë ku pasuria e vërtetë nuk janë gjërat por njeriu,jo jeta por mënyra e jetesës.

Wednesday, August 15, 2018

Për çfarë të shkruash...

Për çfarë të shkruash kur jemi një popull që prodhon mashtrime dhe më pas i beson?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili shet diploma për të shkatërruar të ardhmen?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili e vret inteligjencën me anë të mjerimit Migjenian?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili merret me histori të lashta për të nxitur luftë,ndërkohë nuk jemi të aftë të shkruajmë historinë e sotme duke nxitur paqen?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili i djeg librat në turrën e druve për të përhapur fanatizmin sektar?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili vret vendin e tij për interesat e kulishëve të Rusisë dhe Evropës?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili dashurinë e sheh si degjenerim dhe degjenerimin si kulturë?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili është një zjarr  për atdheun por një tym për jetën e tyre?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili fle gjumë për hallet e tyre dhe zgjohet për interesat e bandave në qeveri?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili tallet me vetveten dhe qan kur qeshin të tjerët me ne?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili është shumë i pasur por jeton në varfëri?
Për çfarë të shkruash kur jemi një popull i cili është i lashtë por pa popullsi?
Çfarë t'i thuash një populli kur e di mirë gjendjen e tij por nuk bën asnjë përpjekje për të ndryshuar këtë gjendje?
Çfarë të thuash më kur s'ka më gjë për të thënë?

Sunday, August 12, 2018

Çfarë është drejtësia?

Çfarë është drejtësia?

Shpesh herë dëgjojmë nga individë, shoqëri,grupe të mëdha e të vogla,nga shoqata,shtete e fe të ndryshme të cilat thonë :
" Është e drejta jonë të bëjmë këtë e atë gjë,të themi këtë e atë gjë.
Është e drejta jonë të mbrojmë apo sulmojmë këtë e atë gjë.
Është e drejta jonë të ndërtojmë e shkatërrojmë këtë e atë gjë.
Është e drejta jonë të jemi kështu e ashtu.
Është e drejta jonë të jetojmë kështu e ashtu.
Është e drejta jonë...etj!"

Po çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara?
Mbi ç'baza ndërtohen këto pretendime të drejtash?
Kush e ka monopolin për të përcaktuar,ndërtuar dhe mohuar të drejta apo të gabuara?

Nëse jeta ndërtohet mbi këto të drejtash, atëherë ku gjenden këto te drejta?
Nëse i referohemi drejtësisë për të ngritur një pretendim,ku gjendet kjo referencë dhe kush e ka përcaktuar këtë drejtësi për t'u zbatuar nga të tjerët?

Cila është natyra e drejtësisë dhe të gabuarës?!
Nëse natyra e drejtësisë dhe të gabuarës është përcaktuar, atëherë pse duhet të ndryshojë kjo natyrë herë pas here,kohë pas kohe,vit pas viti,shekuj pas shekulli?
Nëse duhet të ndryshojë herë pas herë kjo natyrë, atëherë drejtësitë e mëparshme,a kanë qenë të padrejta?
Kush garanton dhe mbi cilat kritere vendos se natyra e re e drejtësisë që po zëvendësohet qenka më e mira,më e sakta dhe më e duhura?!

A është drejtësia një koncept njerëzor?
Nëse po,pse nuk ka një drejtësi e cila është e pranueshme për të gjithë?!
Pse çdokush pretendon se është më i drejti?

Dhe në fund një pyetje : Mbi cilat kritere duhet të vendosim se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar?!

Monday, August 6, 2018

Leximi dhe dëgjimi

Shpesh,disa njerëz binden më lehtë nga ajo çka lexojnë se sa nga ajo që dëgjojnë.
Kjo ndodh kështu sepse leximi nuk jep debat,nuk ka konkurencë egoiste,nuk ka fitues apo humbës por thjesht një lexues i cili hesht,mendon dhe mëson.
Ndërsa dëgjimi rrallë sjell bindje pasi çdokush kërkon të dëgjohet nga tjetri,të duket bindës dhe më i mençur se tjetri.
Prandaj,më shumë shohim llafazanë,debatues e sherrxhinj se sa lexues,diskutues,këshillues,dëgjues e mirëkuptues.
Këtë gjë e tregon dhe fakti se faqet e ndryshme të botës virtuale në të cilat preferohet një pjesëmarrje e madhe  ka lindur mundësia për të sulmuar dikë si injorant.
Ndërsa faqet ku lexohet dituri,numri qenka shumë i vogël pasi sulmet nuk ju mundësojnë të tregojnë "dijen" e tyre.

Kohë e lirë

Më parë kisha shumë kohë të lirë për të shkruar por që kur ti erdhe në jetën time,koha ime nuk është më e lirë.Jo sepse nuk mund të shkruaj por sepse ti je koha ime dhe shkrimi më i bukur që nuk mund të shkruhet nga asnjë shkrimtar,poet apo filozof.
Në vend që të shkruaj,kam zgjedhur të lexoj atë që Zoti ka shkruar tek ty dhe për ty,sot, nesër e përgjithnjë,në këtë botë dhe në tjetrën.

Lumturia e rremë

Sot është shumë e vështirë të gjesh dikë që të të kuptojë dhimbjen,ndoshta sepse çdo kush gjykon me dhimbjen e vetë.
Mungesa e këtij mjekimi e shton çdo ditë e më shumë dhimbjen,ndoshta sepse askush nuk mund të kuptojë dhimbjen e tjetrit se sa vetë personi që e vuan.
Ndoshta mjekimi i dhimbjes nuk është të gjesh dikë që të të kuptojë dhimbjen,por t'a fshehësh atë dhe t'a mbulosh me një maskë kënaqësie.
Por, fatkeqësisht do prodhohet një lidhje e shtirur e cila çdo njeri do ndihet i/e vetmuar në praninë e tjetrit.
Po pse duhet të jetojmë me idenë se maska e kënaqësisë prodhon siguri nga lëndimi?!
Po sikur fshehja e dhimbjes të jetë më lënduese,dmth vetelëndim nga frika e lëndimit?
Në mendjen tonë ne sajojmë imazhe për sigurinë dhe pasigurinë,por çfarë është ajo që kemi sajuar?
Kush na siguron se kemi krijuar "një vend të sigurt" nga lëndimi?
Mendojmë se realiteti është i dhimbshëm dhe për këtë arsye krijojmë një botë tjetër ku strukemi në "lumturinë e pacënuar" të mendjes tonë.
Po çfarë është lumturia e rremë?!
A mund të themi që kemi jetuar në të vërtetë nëse "shijojmë" lumturinë e rremë që kemi ndërtuar vetë?

Iluzionet

Ndonjëherë unë,
bie pre e iluzionit,
me një vështrim,
me një buzëqeshje,
nga një fjalë e thjeshtë,
ndonjëherë kam nevojë
për të marrë nga realiteti
dhe nga ëndrra e pamundur.
Ndonjëherë dua të jetoj
me fantazite e mia
në anën e pasme të kësaj bote
të pabesueshme,
ndonjëherë
nuk dua të ekzistoj
në këtë absurd
dua të bëhem
i padukshëm nganjëherë
për të marrë rrugën, larg
me qëllimin për të mos u kthyer, përsëri
disa herë rikthehem ngadalshëm,
por gjithnjë e më shumë
janë pasojat e të qënit i lirë
ato që më trembin
ato që më zgjojnë nga iluzionet.

Sunday, August 5, 2018

Askush

Askush nuk e di se cila është rruga, pavarësisht se sa i qartë është horizonti, askush nuk e di se çfarë është më mirë ose më keq në këtë lojë të një kohe të vetme, askush nuk mund të bëjë asgjë, përveçse të jetojë, nuk ka asgjë tjetër që të ketë rëndësi.

Friday, August 3, 2018

Frymëzimi i çastit

Në këtë shi që po bie,po më vjen një frymëzim i fortë për të shkruar por fjalët nuk po më vinë e nuk e di pse.
Hera e parë që më ndodh të mos gjej dot fjalët për të shprehur frymëzimin.
Ndoshta ngaqë fjalët janë sosur,a ndoshta dëshira për të shkruar po shuhet ngadalë për shkak se nuk gjenden lexes të mirëfilltë të cilët dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur për atë çfarë duhet të lexojnë.
Ndoshta frymëzimi është një botë e cila nuk duhet shfaqur,ose ndoshta duhet gjetur lexuesi/sja që ka etje për të lexuar,ose duhet gjetur ai lloj njeriu që shpesh shprehet se gjen vetveten në atë çka lexon.
Ndoshta diku,dikush lexon dhe pret me padurim të lexojë diçka prej frymëzimit por në heshtje ushqen veteven pa dhëne asnjë shenjë jete.
Ndoshta...ka shumë ndoshta!
E rëndësishme është të mos ikë frymëzimi pa u shprehur në letër!

Koha kalon dhe...

Koha kalon dhe pak nga pak gjithçka që ne kemi thënë me shaka apo seriozisht, gënjeshtër me shaka apo jo,një ditë bëhet e vërtetë për mendjet e cekëta të cilat marrin gjithçka për të mirëqenë dhe,jo vetëm kaq, por e bëjnë atë një detyrim për të gjithë sikur të ishte një e vërtetë absolute.
Ka shumë mendje të tilla të cilat i njohim nga fama e tyre,nga librat,media...etj!
Populli i thjeshtë i dëgjon me një dëshirë të flaktë këta,jo sepse thonë diçka që është e vërtetë apo e qëndrueshme si argument por sepse ata janë figurat e njohura që janë zgjedhur për të manipuluar popullin.
Koha kalon,një brez po ikën dhe një brez tjetër po vjen.Brezi i ri ka për të jetuar me ato ç'ka lë brezi i vjetër.Duke qenë se mentaliteti popullor është i tillë që dëgjon për të vërtetë atë çka është thënë nga të vjetrit, atëherë ky manipulim ka për t'u trashëguar përsëri.E kështu,krijojmë një brez dhe një popull të verbër i cili merret vetëm me ç'ka thuhet e u tha!

Thursday, August 2, 2018

Në jetë ka njerëz...

Në jetë ka njerëz që e ndiejnë veten të pakuptuar,të padashuruar, të vetmuar, të lindur për të keqen e tyre, sepse kështu janë me të vërtetë. Ka nga ata pastaj që janë të vetëdijshëm që nuk janë në gjendje as të
dëgjojnë, as të shikojnë, kujtojnë se janë largpamës, të kuptueshëm, të tjerët i gjykojnë nga pamja e jashime,nuk duan t'ia dinë për ndërlikimet psikologjike, njohin vetëm ndjenja të prera, të qarta, atë që nuk e kuptojnë e mohojnë ose e quajnë të stuhishme,mospërfilljen e çojnë deri në mizori, s'e marrin kurrë mundimin ta vënë veten në vend të të tjerëve, jetojnë në botën e ngushtë
të paragjykimeve të tyre, me një fjalë janë të kënaqur ,jashtë mase me vetveten. Në të vërtetë ata zëre se s'jetojnë. Ç'fatkeqësi është për ato qenie njerëzore që jetojnë midis këtyre gjysmë të vdekurve!

Shkruaj

Shkruaj,gjithnjë shkruaj diçka,qoftë dhe një shprehje,një ndjenjë,një mesazh,një urtësi,një fjalë a një shkronjë të vetme.Sepse diçka ngelet,një gjurmë ke për ta lënë diku,tek dikush.
Mos u tremb nga kritikat,qortimet,talljet,ofendimet, përbuzjet...etj!
Gjithnjë shkruaj sepse ke diçka për të shkruar,për të krijuar a për të dhuruar nga vetja dikujt i cili ka nevojë për atë që ti shkruan.
Shkruaj si të duash,si të të vijë për mbarë,pa imituar askënd apo për t'i lënë përshtypje dikujt.
Shkruaj... për të ushqyer dikë që është i uritur për ndjenja të reja.
Shkruaj...për të mjekuar dikë që është plagosur në shpirt.
Shkruaj... për dikë që i mungon motivimi për të jetuar jetën që dëshiron, jo thjesht për të jetuar.
Shkruaj...për dikë i cili fshin lotët e dhimbjes me shkrimet e tua.
Shkruaj... për të gjithë ata që s'kanë kohë të jetojnë,por që kanë vdekur nga uria për të jetuar.
Shkruaj... për të gjithë ata që nuk dinë të vdesin,por që vdekja i kap sikur nuk kanë jetuar kurrë.
Shkruaj diçka o të rraftë e mira, shkruaj qoftë edhe për të bërë dikë të qeshë më budallallëqet që ti shkruan sepse..."një njeri që qesh është një njeri i shpëtuar nga burgu i dhimbjes."
E ti mos u trishto nga e qeshura e tij por bashkoju dhimbjes së tij që e fsheh nëpërmjet së qeshurës.
Shkruaj për të gjithë por mbi të gjitha,shkruaj për veten tënde.
Sepse vetja jote është portreti që ti ke vendosur të pikturosh me shkronja të ylberta!

Wednesday, August 1, 2018

Disa gjëra nuk fitohen ndryshe veçse duke kontrolluar disa gjëra :


Nëse frenon lakminë do fitosh kënaqësinë.
Nëse kontrollon zemërimin do fitosh paqen.
Nëse shuan zilinë do fitosh respektin.
Nëse lë urrejtjen do fitosh dashurinë.