“Bëj pak gjëra”, thonë “nëse do të jesh gjithnjë i qetë”. Nuk është vallë më mirë të bësh atë që është e domosdoshme dhe që përcakton arsyeja e një qenieje shoqërore nga natyra e në atë mënyrë që ta përcakton ajo? Kjo, në të vërtetë, sjell jo vetëm qetësinë që vjen nga mënyra e të vepruarit sipas aftësisë, por edhe atë që vjen nga të vepruarit pak. Sepse, nëse dikush zhduk pjesën më të madhe të fjalëve dhe veprimeve tona, pasi ato nuk janë të nevojshme, do të ketë më shumë kohë të lirë dhe një qetësi me të sigurt. Prandaj, në çdo rrethanë, duhet t’i kujtojmë vetes: “Mos vallë kjo është diçka e panevojshme.?”. E nuk duhen zhdukur vetëm veprimet e panevojshme, por edhe përfytyrimet e panevojshme: sepse kështu nuk do të ketë as veprime të tepërta.
Vërteto se si të duket jeta e një njeriu të virtytshëm, i kënaqur nga ajo që i ka rënë për pjesë nga gjërat e gjithësisë, i gëzuar për veprimet e tij të drejta dhe për prirjen e tij dashamirëse.
I pe ato gjëra? Shiko edhe këto! Mos e turbullo veten: lehtësohu. Dikush gabon? Dëm vetes i bën. Të ka ndodhur diçka? Mirë: gjithçka që të ndodh, ishte ruajtur për ty që në fillim, ndër gjërat e gjithësisë, që të të jepej ty dhe të ndërthurej me jetën tënde. Epo jeta është e shkurtër; duhet ta shfrytëzosh të tashmen me pjekuri dhe respekt ndaj drejtësisë. Ji i përmbajtur, por me zhdërvjelltësi.
Ose një botë e rregullt ose një çorbë e tërë: por, përsëri, një botë. Është vallë e mundur që tek ty të ketë rregull dhe në gjithësi rrëmujë, kur për më tepër të gjitha gjërat dalin kaq të qarta, të përhapura dhe të bashkuara?
Një natyrë e keqe, një natyrë e dobët, një natyrë e vështirë, e ashpër, shtazarake, fëmijërore, e plogësht, mashtruese, prej hokatari, prej xhambazi, prej shtypësi.
Nëse është i huaj ai që nuk di çfarë ka në botë, është jo më pak i huaj edhe ai që nuk di çfarë ndodh në të. Është i mërguar ai që largohet nga arsyeja mbi të cilën mbështetet shoqëria; i verbër ai që mbyll syrin e mëndjes; lypës ai që ka nevojë për dikë tjetër edhe nuk e nxjerr nga vetja gjithçka që duhet për jetën; absces i botës ai që heq dorë dhe shkëputet nga jeta, i pakënaqur nga ngjarjet, nga arsyeja e natyrës së përgjithshme: është ajo që, në të vërtetë, të ka prodhuar edhe ty; është ashkël e qytetit ai që ndan shpirtin e tij nga ai i qenieve të arsyeshme, i cili është vetëm një.