Tuesday, August 28, 2018

Nuk mund të humbësh diçka që nuk e ke

Askush nuk është më fatkeq se ai që përshkon gjithë rrugën në një rreth dhe, siç thotë poeti, “hulumton thellësinë e tokës” e përpiqet të kuptojë atë që kanë në shpirt të tjerët,pa vënë re që mjafton t'i përkushtohet vetëm djallit që ka brenda vetes dhe t'i thurë atij një kult të sinqertë. Kulti që i takon të bëjë qëndron në llumin e kulluar nga pasioni, nga
mëndjelehtësia dhe nga pakënaqësia për gjërat që dhe nga njerëzit. Gjërat që vijnë idhujt imagjinarë, në të vërtetë, janë të admirueshme për virtytet e tyre, ndërsa ato që vijnë nga njerëzit janë të dhembshura për lidhjen tonë farefisnore me ta, e ndonjëherë, në njëfarë mënyre, meritojnë mëshirë sepse lindin nga mosnjohja e së mirës dhe së keqes
- verbëri kjo, jo më pak e rëndë se ajo që nuk të lejon të dallosh të bardhën nga e zeza.
Edhe sikur të jetoje tremijë vjet e dhjetë herë të tjera sa aq, sidoqoftë mos harro që askush nuk humb një tjetër jetë përveç asaj që po e jeton, as nuk jeton një jetë tjetër përveç kësaj që është duke e humbur. Prandaj jeta më e gjatë
dhe ajo më e shkurtra përputhen. Në të vërtetë e tashmja është e njëjtë për të gjithë, po ashtu edhe ajo që tretet është e njëjtë dhe humbja del, kështu, e pakuptimtë. Sepse askush nuk mund të humbë të kaluarën e as të ardhmen: si mund të të privojnë nga ajo që ti nuk e ke? Pra, mos harro asnjëherë këto dy pika: e para, se gjithçka që vjen nga përjetësia është e të njëjtit lloj dhe me radhë rikthehet, e nuk ka asnjë
ndryshim nëse do të shihen të njëjtat gjëra pas njëqind apo dyqind vjetësh apo në pafundësinë kohës: e dyta, se si ai që jeton për shumë vite me radhë ashtu edhe ai që vdes pasi ka
jetuar shumë pak kohë, njësoj humbasin. Në të vërtetë, ajo nga e cila mund të të privojnë, është vetëm e tashmja, pasi është e vetmja gjë që kemi dhe dikush nuk mund të humbë
atë që nuk ka.