Mos jeto sikur duhet të jetosh mijëra vite. Vdekja të kercenon: derisa të jetë e mundur, bëhu njeri i virtytshëm
...sa kohë të lirë fiton ai që nuk vë re se çfarë thonë, bëjnë apo mendojnë të tjerët, por shikon vetëm punët e tij, që ato të jenë të drejta dhe të devotshme, domethënë në përputhje me njeriun e virtytshëm. Mos u kthe rreth e rrotull për të parë një njeri të lig, por vrapo drejt përgjatë përvijimit, pa i lejuar vetes që të ndërrosh rrugë.
Kujt i digjet zemra për lavdinë e tij pas vdekjes nuk mendon se edhe secili nga ata që do ta kujtojnë do të vdesë shumë shpejt e pastaj do ti vijë radha atij që i ka marrë vendin derisa kujtimi i tij, duke qarkulluar mes jetësh që ndizen dhe shuhen, do të zhduket plotësisht. Por le ta zëmë se janë të pavdekshëm ata që do të të kujtojnë dhe i pavdekshëm kujtimi: e pastaj, çfarë kuptimi ka e gjithë kjo për ty? Dhe nuk them vetëm se nuk ka kuptim për të ndjerin: por edhe për ata që jetojnë, ç’kuptim ka vepra e lavdishme? (duke përjashtuar rolin dytësor të saj). Tani, në të vërtetë, ti shpërfille edhe me ngulm po deshe dhuntinë e natyrës, duke iu përkushtuar një gjykimi tjetër; pastaj [.]
Gjithçka, që për çfarëdolloj arsye është e bukur, është e bukur vetvetiu dhe përmbyllet në vetvete, lavdia nuk është pjesë e saj. Pra ajo që lavdërohet nuk bëhet për këtë arsye as më e keqe e as më e mirë. Këtë e them edhe për gjërat që zakonisht quhen të bukura, si për shembull sendet materiale dhe prodhimet artistike. Ndërsa, ajo që është me të vërtetë e bukur për çfarë tjetër ka nevojë? Për asgjë, tamam si ligji, si e vërteta, si dashamirësia apo thjeshtësia. Cila nga këto gjëra zbukurohet nëse e lëvdojnë apo humb vlerën nëse e qortojnë? Mos vallë një smerald shëmtohet nëse e qortojnë? Po ari, fildishi, purpuri, një muze, një kamë, një lule e vogël, një pemë e vogël?
Nëse shpirtrat vazhdojnë të jetojnë, si mundet vallë ajri t’i mbajë ata të gjithë që nga përjetësia? Dhe si mundet toka të mbajë kufomat e atyre që janë varrosur prej shumë kohësh? Në të vërtetë, ashtu si këtu poshtë shndërrimi dhe shpërbërja e tyre, pasi zgjasin për një kohë të caktuar, ua lënë vendin të vdekurve të tjerë, ashtu edhe shpirtrat shtegtojnë në ajër, pasi ruhen për një periudhë të caktuar, shndërrohen, përhapen dhe shpërthejnë duke u përmbledhur në të drejtën e riprodhimit të gjithësisë, e në këtë mënyrë i bëjnë vend shpirtrave që vazhdojnë të shtohen në të. Kjo mund të jetë përgjigjja e hipotezës se shpirtrat vazhdojnë të jetojnë. Por nuk duhet marrë parasysh vetëm sasia e kufomave që varrosen në këtë mënyrë, por edhe ajo e kafshëve që çdo ditë hahen nga ne dhe nga të tjera kafshë. Sa i madh është, në të vërtetë, numri i kafshëve që hahen e kështu, në njëfarë mënyre, varrosen në trupin e atij që ushqehet me to? E megjithatë ka vend mjaftueshëm për t’i pranuar ato , falë përvetësimit në gjak, shndërrimit në përbërës ajrorë ose të zjarrtë. Në këtë rast, cila është rruga për të arritur tek e vërteta? Ndryshimi midis lëndës dhe shkakut.