Në mendjen e një njeriu të kthyer përsëri tek rregulli dhe tek dëlirësia nuk mund të gjesh asgjë të kalbur, asgjë të fëlliqur, asnjë plagë të brendshme. E, kur vjen vdekja, jeta e tij nuk është e papërfunduar, siç mund të thuhej përkundrazi në rastin e një aktori tragjik, i cili do të ndahej para se të kish mbaruar dhe recituar krejt dramën. E më tej, asgjë të shtirur, asgjë të hirshme, asnjë lidhje të tepruar, asnjë shkëputje të cunguar, asnjë dhënie llogarie të tjerëve, asnjë grackë.
Nderoje aftësinë për të kuptuar një opinion: varet tërësisht nga kjo gjë fakti që në parimin tënd drejtues të mos lindë më ndonjë mendim që s’ka të bëjë me natyrën dhe me përbërjen e qenies së arsyeshme. Dhe është kjo që jep shpresa për një sjellje të përmbajtur, për afërsi me njerëzit dhe bindje ndaj Zotit .
Pra, hidh tutje gjithçka dhe mbaj fort vetëm këto pak gjëra e mos harro as që secili jeton vetëm këtë të tashme, tej mase të shkurtër: pjesa që mbetet është e jetuar tashmë ose është e mbështjellë në pasiguri. Është e parëndësishme, pra, ajo që përjeton secili prej nesh, është e parëndësishme skuta e tokës në të cilën ai jeton; e është po ashtu e parëndësishme edhe forma më e qëndrueshme pas vdekjes: kjo formë e trashëguar brez pas brezi nga burracakë që kanë vdekur menjëherë e që nuk njohin as veten e tyre, jo më pastaj ata që kanë vdekur tashmë prej kohësh!