Friday, August 31, 2018

Jeto sikur do të vdesësh nesër dhe puno sikur do të jetosh përgjithmonë.

Vër re,mendo!

Fjalët, që më parë ishin të përditshme, tani janë të përdorshme; po ashtu edhe emrat e njerëzve të shquar, që më parë ishin të nderuar, tani kanë dalë, në njëfarë mënyre, jashtë përdorimit e më pas kjo do të ndodhë edhe me emrat e sotëm të famshëm, më pas edhe emrat që do të vinë, e pastaj gjithçka bëhet asgjë. Sepse shpejt giithçka fashitet dhe bëhet ëndërr: e shpejt varroset në një harresë të plotë. Këtë e them në lidhje me ata që jetuan në një shkëlqim të mrekullueshëm lavdie: nëse të tjerët, pasi nxjerrin grahmën e fundit, mbeten të panjohur, nuk lënë gjurmë. Tek e fundit ç’është, në thelb, një kujtim i përjetshëm? Zbrazëti e plotë. Por me çfarë duhet të merremi atëherë? Vetëm me këtë: një mendim të frymëzuar nga drejtësia, veprime që anojnë nga e mira e përgjithshme, një fjalë që të mos gënjejë asnjëherë dhe një prirje për të përqafuar me zemër gjithçka që ndodh, përderisa është e domosdoshme, e njohur tashmë,rrjedh nga një parim dhe nga një burim i tillë.

Dorëzoju me dëshirë rrjedhës dhe caktimit, duke lejuar që të të gërshetojë me çfarëdolloj ngjarjeje të dojë.
Gjithçka është kalimtare, si njeriu që kujton vetë, ashtu edhe njeriu që kujtohet nga të tjerët.

Vër re vazhdimisht se gjithçka lind nga shndërrimi dhe mësohu të mendosh se natyra e gjithçkaje nuk dëshiron asgjë më shumë sesa të shndërrojë gjërat ekzistuese dhe të prodhojë gjëra të reja të ngjashme me to. Gjithçka që është, në të vërtetë, në njëfarë mënyre, është farë e asaj që do të vijë më pas. Ndërsa ti përfytyron si farë vetëm atë që futet në tokë apo në mitër: por kjo do të thotë të mos kesh asnjë njohuri urtake!

Së shpejti do të kesh vdekur e nuk je ende i kthjellët, gjakftohtë, i bindur se nuk mund të pësosh dëm nga jashtë, dashamirës ndaj të gjithëve; e akoma nuk e përdor urtësinë vetëm për të vepruar me drejtësi.

Vër re parimin drejtues të njerëzve të urtë dhe cilat gjërave u shmangen ata e cilat përkundrazi ndjekin.

E keqja jote nuk mund të jetë në parimet drejtuese të një tjetri e as në ndonjë ndryshim dhe tjetërsim të gjërave që të rrethojnë. Po ku, atëherë? Në atë pjesë tënden, e cila përpilon mendime rreth të këqijave. E po mirë, kjo pjesë të mos përpilojë mendime dhe gjithçka do të shkojë mirë. Edhe sikur ai që ndodhet më pranë saj, pra trupi, të pritet, të digjet, edhe sikur ai të qelbëzohet a të kalbet, pjesa që përpilon mendime mbi të gjitha këto le të mbetet e qetë, pra, të mos gjykojë as për mirë as për keq asgjë që mund t’i ndodhë njësoj si një njeriu të lig ashtu edhe një të miri. Sepse gjërat që i ndodhin njëlloj si atij që jeton në kundërshtim me natyrën, ashtu edhe atij që jeton në përputhje me të nuk janë as në përputhje me natyrën as kundër saj.

Mendo vazhdimisht për botën si për një qenie të vetme që përmban një qenie të vetme dhe një shpirt të vetëm dhe mendon se si gjithçka i afrohet një ndjenje të vetme, ndjenjës së shpirtit, se si kjo qenie bën gjithçka për një shtysë të vetme, se si të gjitha gjërat janë bashkëshkaqe të të gjitha ngjarjeve dhe ç’gërshetim e ç’lidhje ka mes tyre.

Je një shpirt i vogël që sjell një kufomë, siç thoshte Epiteti.

Tek ato gjëra të cilat janë në shndërrim e sipër nuk mund të ketë asgjë të keqe, ashtu siç nuk mund të ketë asgjë të mirë nga ato që lindin nga një shndërrim.

Koha është si një lumë i formuar nga ngjarjet dhe një rrymë e vrullshme: çdo gjë, në të vërtetë, sapo të kalon para syve, ka kaluar tashmë përtej dhe kalon pastaj një tjetër, e cila, kur t’i vijë radha, do të hidhet tej.

Gjithçka që ndodh është e zakontë dhe e njohur ashtu si trëndafili në pranverë dhe frutat në verë: e njëjta gjë vlen, në fakt, edhe për sëmundjen, vdekjen, shpifjet, intrigat dhe çdo gjë tjetër që gëzon apo hidhëron budallenjtë.

Pasoja ndjek shkakun nëpërmjet një lidhjeje ngjashmërie: sepse nuk bëhet fjalë për një sërë ngjarjesh të pavarura, që mbështeten vetëm nga një ligj i domosdoshëm, po për një lidhje të ngushtë të arsyeshme; e ashtu siç është i bashkërenditur realiteti i harmonishëm, ashtu edhe ngjarjet parashtrojnë jo një vazhdimësi të zbrazët, po njëfarë ngjashmërie të mahnitshme.

Mbaj mend gjithmonë mendimin e Eraklitit; “Vdekja e tokës është të bëhet ujë, vdekja e ujit të bëhet erë, e erës të bëhet ziarr dhe anasjelltas”. Mbaj mend edhe “ai që harron se për ku të shpie rruga”; dhe që “njerëzit janë në kundërshtim pikërisht me atë që kanë një lidhje më të vazhdueshme, me arsyen që sundon gjithçka dhe atyre u duken të huaja pikërisht ato gjëra me të cilat përballen përditë, dhe “nuk duhet të veprojmë e të flasim ashtu siç bëjmë edhe gjatë gjumit” (edhe atëherë, në të vërtetë, na duket sikur veprojmë dhe flasim); thjesht nuk duhet “si bij prindërish që jemi...”, domethënë në sajë të parimit të thjeshtë “ashtu siç kemi mësuar”.

Ashtu siç, po të thoshte një nga të urtët “Brenda ditës së nesërme ose e shumta pasnesër do të kesh vdekur”, ti nuk do t’i jepje shumë rëndësi faktit nëse do të vdisje pasnesër apo nesër, vetëm nëse je shpirtvogël deri në fund (ç’vlerë ka, në të vërtetë, një devijim i tillë kohe?”; kështu, mos mendo se është ndonjë punë e madhe të vdesësh pas shumë vjetësh dhe jo nesër).

Mendo vazhdimisht sesa mjekë kanë vdekur, pasi kanë ngrysur vetullat disa herë mbi pacientët e tyre; sa astrologë, pasi kanë parathënë vdekjen e të tjerëve, duke u kapardisur sikur kanë bërë ndonjë parashikim të rëndësishëm; sa filozofë, pas mijëra debatesh rraskapitëse për vdekjen apo për pavdekësinë; sa heronj, pasi kanë vrarë shumë burra, sa shtypës, pasi kanë ushtruar fuqinë e jetës dhe vdekjes me një kryelartësi të tmerrshme, a thua se ishin të pavdekshëm; e sa qytete të tëra, si të thuash, kanë vdekur :

Eliçe,Pompei,Erkolani,Grekët,Romakët,Persianët dhe të tjera perandori të panumërta të fuqishme. Sill në mendje edhe ato që di ti, njëri pas tjetrit: ky ka varrosur atë, pastaj është shtrirë në krevatin e vdekjes, ky tjetri ka bërë të njëjtën gjë me atë tjetrin e kështu me radhë: dhe e gjithë kjo në një kohë të shkurtër. Pra, shikoje gjithnjë realitetin njerëzor si diçka të çastit dhe pa vlerë.Dje pak mukus, nesër mumje ose hi. Këtë hapësirë kohe pafundësisht të vogël, pra, kaloje në përputhje me natyrën dhe përfundoje me qetësi, si ulliri që, tashmë i pjekur, bie duke lëvduar tokën që e ka prodhuar dhe duke falenderuar pemën që e ka krijuar.

ji si një gadishull, ndaj të cilit përplasen pa reshtur dallgët: qëndro i patundur dhe rreth e qark tij do të fashiten ujërat që ziejnë.

“Mua fatziut, më ndodhi kjo.”. Aspak! Nëse ndodh ndonjë gjë: “Mua fatlumit, se edhe pse më ndodhi kjo e përballoj pa ndier dhimbje, pa m’u copëtuar zemra nga e tashmja dhe pa iu trembur së ardhmes.”. Në të vërtetë një gjë e tillë mund t’i ndodhte kujtdo, por jo të gjithë do kishin ditur të përballonin pa iu dorëzuar dhimbjes. Atëherë pse të shikosh atje një fatkeqësi në vend që të shikosh këtu një fatmirësi? Pra, quan fatkeqësi për një njeri atë që është një dështim apo gabim i natyrës njerëzore? E të duket një dështim i natyrës njerëzore ajo çka nuk bie në kundërshtim me vullnetin e kësaj natyre? Po pastaj? Kuptove se cili është vullneti i saj: mos vallë është faji i asaj çka të ka ndodhur që nuk të lejon të jesh i drejtë, zemërgjerë, i matur, i urtë, i parrëmbyer, i sinqertë, i përmbajtur, i lirë, i pajisur me të gjitha cilësitë e tjera të cilat, kur janë të pranishme të gjitha bashkë, i lejojnë natyrës së njeriut të zotërojë atë që i takon? Kujtohu pastaj të përdorësh parimin që vijon, për çdo ngjarje që të bën të vuash: “Kjo gjë nuk është fatkeqësi, ndërkohë që është fatmirësi ta durosh atë me fisnikëri”.

Është ndihmë jo filozofike, po sidoqoftë frytdhënëse për të përbuzur vdekjen, të sjellësh në mendje ata që u kapën me ngulm pas jetës. E po mirë, a mos kanë qenë vallë më të respektuar nga ata që kanë patur një fund të parakohshëm? Prehen sidoqoftë, diku,  të tjerë si ata, që kishin varrosur shumë njerëz e më pas u varrosën edhe ata! Kështu, pra, koha që mbetet është e vogël, e për më tepër, është për t’u kaluar me kaq vuajtje, në cilën shoqëri dhe në cilin trup! Pra mos e quaj të rëndësishme. Shiko, prapa teje humnerën e përjetësisë dhe përpara teje një tjetër pafundësi të gjelbër. Në këtë këndvështrim çfarë ndryshimi ka të jetosh tre ditë apo edhe tre herë ?

Rend gjithnjë në rrugën më të shkurtër, rruga më e shkurtër është ajo që përputhet me natyrën, që të flasësh dhe të veprosh gjithnjë në mënyrën më të mirë. Një qëllim i tillë, në të vërtetë, të liron nga mundimet e një fushate që i bën jetës tënde, nga çdo përgjegjësi që nuk të takon, nga sqima e tepruar, apo nga çdo frikë e shpresë të rreme e cila të ka robëruar,ndjenja të rreme këto të cilat kanë krijuar idhuj imagjinarë për të vjedhur kohën tënde për të cilën ke ardhur në jetë.