Saturday, August 25, 2018

Arsys le ti shtojmë dhe një element

Arsyes le t’i shtojmë edhe një tjetër element : të përgatitesh gjithnjë për të përcaktuar apo për të njohur qëllimin e përfytyrimit, që ta shohësh kështu atë në thelb, të zhveshur në pastërtinë e tij shpirtërore dhe, një nga një, në çdo pjesë të tij e të shqiptosh me vete emrin e tij, emrat e elementëve që e përbëjnë atë dhe në të cilët ai do të shpërbëhet. Në të vërtetë, asgjë nuk mund ta lartésojé shpirtin tonë aq sa mund të bëjë fakti që të dish të shoshitësh rregullisht dhe realisht një nga një ngjarjet e jetës e t’u japësh gjithnjë rëndësi atyre në mënyrë që të kuptosh çfarë dobie ka një ngjarje e caktuar dhe për cilën botë, e si rrjedhojë çfarë vlere ka ajo në lidhje me gjithësinë dhe çfarë vlere në lidhje me njeriun si qytetar , në krahasim me të cilin qytetet e tjera janë si shtëpi; çfarë është, si është i përbërë dhe për sa kohë, sipas natyrës së tij, zgjat ky qëllim i cili tani krijon përfytyrimin tim, e cilat virtyte duhen përdorur në lidhje me të si për shembull: urtësia, burrëria, çiltërsia, ndershmëria, thjeshtësia, vetëmjaftueshmëria e të tjera. Prandaj në çdo rrethanë duhet të thuash: kjo gjë vjen nga Zoti, kjo tjetra del nga lidhjet e ngjarjeve, nga gërshetimi i lidhjeve dhe nga përputhjet e tyre të rastësishme, kjo tjetra pastaj vjen nga një qenie që mbështet racën time, fisin tim dhe bashkësinë time, megjithatë nuk e merr parasysh se çfarë është për të sipas natyrës. Por e marr parasysh unë: prandaj e përdor si ligjin natyror të bashkësisë, me zemërbutësi dhe drejtësi; ndërkohë që përpiqem të jap vlerësimin e duhur në fushën e gjërave të ndërmjetme.

Nëse e bën këtë detyrë duke ndjekur arsyen e drejtë, me zell, me gjallëri, me dashamirësi dhe nuk merresh me asnjë ngjarje dytësore, por e ruan "djallin" tënd në gjithë paprekshmërinë e tij, sikur do të të duhej ta dorëzoje atë nga një çast në tjetrin: nëse i përmbahesh këtij parimi pa shpresuar apo pa iu shmangur asgjëje, përkundrazi i kënaqur nga sjellja jote e tanishme në përputhje me natyrën dhe nga vërtetësia jote për ato që thua dhe shpreh, atëherë ti do të jetosh i lumtur. E askush nuk do të të ndalë dot për këtë.

Ashtu si mjekët që kanë gjithnjë në dorë mjetet dhe veglat për të ndërhyrë menjëherë, ashtu edhe ti mbaj gjithnjë gati parimet për të njohur njerëzoren dhe hyjnoren dhe për të bërë çdo gjë, edhe gjënë më të vogël si dikush që e ka shumë të qartë lidhjen e ndërsjelltë midis njërës dhe tjetrës. Sepse, duke mos marrë parasysh bashkëlidhien me gjërat hyjnore, nuk do mund të bësh dot mirë asgjë njerëzore dhe anasjelltas.

Mos u end më: nuk do arrish dot të lexosh shënimet e tua, as veprat e grekëve të lashtë, të romakëve të lashtë,të arabëve,indianëve,kinezëve  dhe pjesët e veprave që kishe vënë mënjanë për pleqërinë; shpresat për të arritur qëllimin, atëherë, lëri shpresat e kota dhe ndihmo veten, nëse të bëhet ndopak vonë për veten tënde, derisa të jetë e mundur.

Nuk dinë sesa kuptime ka të vjedhësh, të mbjellësh, të biesh, të qëndrosh i qetë, të shikosh gjërat që duhen bërë (Veprim ky që nuk bëhet me sy, por me një shikim tjetër).

Trup, shpirt, mendje. Nga trupi ; ndienja ; nga shpirti  shtysat; nga mendja ; parimet. Të tronditesh nga një përfytyrim është veti që e kanë edhe kafshët, të vihesh në lëvizje nga shtysat si marioneta është veti që e kanë edhe shtazët e egra, edhe androgjenët, edhe një Falarid, edhe një Neron; të kesh në mendje një udhërrëfyes për atë që duket se është detyra jonë, këtë veti e ka edhe ai që nuk beson tek Zoti , ai që tradhton atdheun dhe ai që.. çfarë nuk bën, pasi ka mbyllur derën! Tani, nëse ajo që mbetet është e rëndomtë për tipat e përmendur, veçoria që mbetet veti e njeriut të ndershëm është të dojë dhe të pranojë me gjithë zemër ngjarjet dhe gërshetimin e gjërave që i përkasin atij; e të mos e ndotë as të mos e trazojë të keqen që qëndron në kraharorin e tij me një sërë përfytyrimesh, por ta mbajë atë të qetë, të prirur për të ndjekur me bindje Zotin, pa thënë asgjë në kundërshtim me të vërtetën ose pa bërë asgjë në kundërshtim me të drejtën. Edhe pse i tërë njerëzimi nuk beson që ai jeton në mënyrë të thjeshtë, me dëshirë dhe optimizëm, nuk zemërohet me asnjë dhe nuk të nxjerr nga rruga që të çon në fundin e jetës, atje ku duhet të mbërrijmë të kthjellët, të qetë, gati për t’u shkëputur, në harmoni të natyrshme me fatin tonë.