Të gjithë kërkojnë një vend ku të veçohen, fusha, vende bregdetare e male; edhe ti e ke zakon të dëshirosh fort një vetmi të tillë. Por e gjithë kjo është tipike për atë që nuk ka aspak dije filozofike, meqenëse është e mundur që të vcçohesh brenda vetes tënde, kur të duash ti; sepse njeriu nuk mund të veçohet në një vend më të qetë a të pashqetësuar se shpirti i vet, mbi të gjitha kush ka, brenda tij, parime të tilla që i mjafton të zhytë shikimin në to për të arritur mënjëherë mirëqenien e
plotë: me mirëqenie nuk nënkuptoj asgjë tjetër veçse rregullin e duhur shpirtëror. Pra, lejoja vetes vazhdimisht këtë veçim dhe ripërtërije atë; e le të jenë të shkurtra dhe të thjeshta parimet të cilat, sapo i ndesh mjaftojnë për të të liruar nga çdo neveri dhe për të të ndarë nga gjërat tek të cilat ti do të kthehesh përsëri në mënyrë të tillë që të mos ndiesh bezdi. Në të vërtetë, çfarë të bezdis ty ; shpirtligësia e njerëzve? Merr parasysh kufijtë e çështjes pra, që qeniet e arsyeshme ekzistojnë për njëra tjetrën; që durimi është pjesë e drejtësisë, që njerëzit gabojnë pa dashur e duke marrë parasysh se sa njerëz, pasi kanë ndjerë tashmë armiqësi, dyshim, urrejtje, dergjen të hidhëruar, të katandisur në hi, e po mjaft tani! Apo ndoshta bezdia jote ka të bëjë edhe me fatin që të është caktuar në rregullin e përbotshëm! Kthehu me mendje tek zgjidhja: “Ose provani ose atome.” dhe tek të gjitha argumentet me anë të të cilave u tregua se bota është si një qytet. Apo ndoshta do të ndihesh i lënduar nga gjërat e trupit. Mendo përsëri që mendja nuk përzihet me lëvizje të ëmbla apo të ashpra të frymës jetësore, pasi e ka veçuar veten dhe ka njohur pushtetin e saj; e pastaj mendo për të gjitha gjërat që ke dëgjuar mbi dhimbjen dhe kënaqësinë e për të cilat ke shprehur pëlqimin tend. Apo do të jetë ndoshta meraku për një famë të mjerueshme që do të të çojë në një drejtim të gabuar? Shiko shpejtësinë e harresës e cila prek gjithçka, humnerën e përjetësisë që shtrihet e pafund në të gjitha drejtimet, në zbrazëtinë e famës, paqëndrueshmërinë edhe mospërfilljen e atij që duket sikur të thur lëvdata, dhe në pamjaftueshmërinë e vendit në të cilin është e kufizuar fama. Sepse e gjithë toka është një pikë: po cila skutë kaq e vogël e tokës është kjo banesë? Dhe sa e cilët janë njerëzit që do të të lëvdojnë këtu? Mos harro, atëherë, se mund të veçohesh në këtë fushë të vogël, e mbi të gjitha mos u shqetëso dhe mos e ndëshko shumë veten, por ji i lirë dhe shikoje realitetin si burrë, si qenie njerëzore, si qytetar, si qenie e vdekshme. E ndër parimet që duhet të kesh gjithnjë parasysh kur të mbështetesh tek ata, le të jenë këta dy që vijojnë. I pari: gjërat nuk prekin shpirtin, po qëndrojnë të palëvizura nga jashtë, ndërsa turbullimet vijnë vetëm nga mendimi që krijohet nga brenda. I dyti: gjithçka që sheh, pas një çasti do të shndërrohet e do të zhduket; e mendon vazhdimisht për shndërrimin e të gjitha gjërave tek të cilat ke qenë i pranishëm.
Bota është ndryshim, jeta është mendim.