Friday, August 24, 2018

Përmbaju asaj që është më e lartë

Nëse në jetën njerëzore gjen diçka më të lartë se drejtësia, se e vërteta, se vetëpërmbajtja, se burrëria, me një fjalë, se fakti që mendjes tënde i mjafton vetja e saj për veprimet që të bën të kryesh sipas gjykimit të drejtë dhe i mjafton ajo ç’është e shkruar për fatin që na kanë caktuar pavarësisht nga zgjedhja që kemi bërë ne; them pra, nëse shikon diçka më të lartë se kjo, drejtoju asaj me gjithë shpirt dhe shijoje këtë të mirë kaq të madhe që gjen në të. Nëse përkundrazi asgjë nuk të duket më e lartë se vetë djalli që jeton brenda teje dhe që ka nënshtruar tek vetja të gjitha shtysat e tua, që shoshit përfytyrimet e tua, që i ka përvetësuar (siç thoshte Sokrati) epshet e ndjenjave, që i është nënshtruar Zotit dhe kujdeset për njerëzit; nëse para kësaj gjithçka të duket më e vogël dhe më e ulët, mos lër vend për asgjë tjetër: sepse po fillove të anosh dhe të priresh nga diçka tjetër nuk do jesh më në gjendje të nderosh i pashqetësuar, mbi gjithçka tjetër, atë të mirë që është vërtet vetëm e jotja: të mirës së arsyes dhe të shoqërisë, në fakt, nuk është e drejtë t’i kundërvesh çfarëdolloj gjëje të një natyre tjetër, si lëvdatat e njerëzve, fajet, pasurinë ose qejfin e kënaqësive. Të gjitha gjëra, këto, që edhe nëse për një çast duket se i përgjigjen nië harmonie të brendshme, papritur të mposhtin dhe të çojnë në rrugë të gabuar. Po ti, them unë, zgjidh në mënyrë të pastër dhe të lirë atë ç’është më e mirë dhe mbështetu tek ajo. “Po më e mira është më e dobishmia.” Nëse e ke fjalën për të dobishmen e  qenies së arsyeshme, respektoje atë gjithmonë; përkundrazi, nëse e ke fjalën për të dobishmen e qenies frymore, zbuloje atë dhe ndale gjykimin tënd, pa
mendjemadhësi të kota; vetëm mundohu të përcjellësh
vlerësimin tënd me bindje të plotë.

Mos e lëvdo asnjëherë, sikur të ishte gjëja më e dobishme për ty, atë çka një ditë do të të detyrojë të mos mbash fjalën e dhënë, të jesh i pafytyrë, të urresh dikë, të dyshosh, të mallkosh, të shtiresh, të dëshirosh diçka që duhet të mos ia tregosh askujt. Sepse ai që ka zgjedhur në radhë të parë Zotin e vet, largon djallin e vet dhe adhurimin që i takon "virtytit" të këtij djalli, nuk bën tragjedi, nuk shpërthen në rënkime, nuk do të ndiejë nevojën të jetë i vetëm apo të jetë i rrethuar nga një turmë njerëzish: e gjëja më e rëndësishme është se do të jetojë pa ndjekur askënd dhe pa ia mbathur nga askush. E nuk i bëhet aspak vonë që të përfitojë për një hapësirë kohë më të madhe apo më të vogël se shpirti i mbështjellë në trupin e tij: në të vërtetë edhe nëse duhet të largohet nga jeta pas një çasti, është gati të shkëputet dhe të niset sikur të  jetë duke bërë çfarëdolloj veprimi tjetër nga ata që mund ti; bëhen pa turp dhe me dinjitet, duke u kujdesur, gjatë gjithë jetës, vetëm për këtë, që mendja e tij të mos kthehet në diçka të gabuar për një qenie të arsyeshme dhe shoqërore.