Friday, August 24, 2018

Vlerësimi

Nuk duhet marrë parasysh vetëm fakti se jeta kalon çdo ditë dhe ngelet për të jetuar një pjesë gjithnjë e më e vogël e saj, por edhe fakti se, nëse dikush do të jetonte më gjatë, përsëri do të mbetej një paqartësi: aftësia e tij mendore,a do të ishte ende njësoj në gjendje për të kuptuar veprimet dhe teorinë që është e prirur për njohjen konkrete të gjërave hyjnore dhe atyre njerëzore? Në fakt, nëse do të fillojë të jermojë, ai - është e vërtetë -  nuk do të humbasë aftësinë për të marrë frymë, për t’u ushqyer, për të patur mbresa, për të ndier shtysa, e kështu me radhë: po do të humbasë aftësinë për të urdhëruar veten, kujdesin e përpiktë për të gjitha gjërat e domosdoshme, shqyrtimin me imtësi të ngjarjeve të ndryshme, vetëvlerësimin e nevojës për t’i dhënë fund jetës së tij e të tjera si këto që kërkojnë po ashtu një arsye të stërvitur mirë. Të gjitha këto shuhen para çdo gjëje tjetër. Pra duhet të shpejtosh jo vetëm sepse vdekja afrohet çdo çast e më shumë, por edhe sepse aftësia për të kuptuar dhe për të ndjekur realitetin shteron para se të vijë fundi.

Duhen vlerësuar edhe këto vërejtje: elementët përbërës të proceseve natyrore kanë diçka të këndshme dhe tërheqëse. Për shembull, ndërsa piqet buka, disa pjesë të saj plasariten dhe këto dellëzime që krijohen, e që, në njëfarë kuptimi, janë në kundërshtim me përfundimin që duhet të dalë nga gatuarja e bukës, kanë lezetin e tyre dhe janë një mënyrë e veçantë për të nxitur oreksin. E më tej: fiqtë tej mase të pjekur janë të hapur. Edhe ullinjtë e lënë akoma në pemë pasi janë bërë: është pikërisht fakti se janë afër prishjes që i jep pemës një bukuri të veçantë. Edhe kallinjtë, që përkulen drejt tokës, balli i rudhët i luanit, jarga që kullon nga goja e derrit të egër dhe shumë gjëra të tjera: po t’i vesh re një nga një nuk janë aspak të këndshme, e megjithatë, pikërisht për faktin se janë rrjedhoja të ngjarjeve natyrore, ndihmojnë për të hijeshuar dhe magjepsur, aq sa, nëse dikush ka një ndjeshmëri dhe botëkuptim më të thellë se gjërat që prodhohen në rruzull, nuk do të ketë pothuajse asgjë, as nga ato që ndodhin në varësi të dukurive të tjera, që të mund t’i duket e këndshme. Ky njeri, atëherë, edhe grykat e shqyera të egërsirave për së gjalli do t’i shohë me po aq kënaqësi sa sheh imitimin që i bëjnë atyre piktorët dhe skulptorët; dhe me sytë e tij të dëlirë do dijë të dallojë tek dy të moshuar një lloj pjekurie plot energji, hijeshinë që të tërheq tek fëmijët dhe do t’i jepet rasti të bëjë shumë vëzhgime të tjera të ngjashme me këto, të cilat nuk janë bindëse për cilindo, por vetëm për atë që ka arritur të afrohet me të vërtetë me natyrën dhe me veprat e saj.