Ka njerëz të cilët janë gati, pasi i kanë bërë një nder dikujt, t’ia kujtojnë atë. Ka edhe nga ata që nuk arrijnë deri këtu, por prapëseprapë brenda vetes e quajnë tjetrin borxhli dhe janë fare mirë të ndërgjegjshëm për atë që kanë bërë. Ka pastaj të tjerë që, në njëfarë mënyre, nuk janë as të ndërgjegjshëm për atë që kanë bërë, por ngjasojnë me vreshtin që, pasi prodhon bistakun dhe pasi ka prodhuar frutin e vet, nuk kërkon gjë tjetër ashtu si edhe kali që e ka bërë garën e tij, si langoi që ka punuar për të kapur gjahun, si bleta që ka bërë mjaltin. E një njeri që ka bërë një veprim të mirë nuk ia tregon gjithë botës atë që ka bërë, por kalon në një veprim tjetër, ashtu si vreshti që vazhdon të prodhojë akoma bistakun kur ka stinën. Tani, duhet të bëjmë pjesë në grupin e atyre njerëzve që veprojnë kështu: në njëfarë mënyre, pa e kuptuar. “Po, megjithatë do të thotë dikush pikërisht kjo është ajo që
duhet të kuptojmë, sepse është tipar dallues për qënien shoqërore të kuptojë se duhet të veprojë për shoqërinë, e, për Zotin, të kërkojë që këtë ta kuptojnë edhe pjestarët e tjerë të shoqërisë”. Ajo që thua është e vërtetë, ndërrojnë rrugë, në dukje, për shkak të një logjike. Por nëse do të kuptosh se për çfarë po bëhet fjalë vallë, mos ki frikë që për këtë arsye të lesh pas dore ndonjë veprim të dobishëm për shoqërinë.