Saturday, September 1, 2018

Jeto me natyrën

Në të gdhirë, kur të zgjohesh me përtesë, ki parasysh këtë mendim: “Po zgjohem për të kryer detyrën time si njeri; dhe ende kundërshtoj që të filloj atë për të cilën kam lindur dhe për të cilën kam hyrë në gjithësi? Apo ndoshta jam krijuar për të ndenjur në shtrat e të rri ngrohtë nën batanije”. “Po, kjo ama, është e këndshme”. Atëherë ke lindur për të bërë qejf? Gjë që, në fund të fundit, a nuk do të thotë vallë: për të qenë pasiv? Apo ndoshta ke lindur për të qenë aktiv? Nuk e shikon se bimët, harabelët, milingonat, merimangat, bletët kryejnë detyrën e tyre, duke bashkëpunuar për të marrë pjesë në jetën e gjithësisë? Po ti, atëherë, nuk do të bësh atë që është tipike për njeriun, nuk avitesh drejt asaj që është në përputhje me natyrën? “Por është e nevojshme edhe që të pushosh”. Është e nevojshme, këtë e them edhe unë: por natyra ka caktuar një masë edhe për këtë, ka caktuar një tjetër edhe për të pirë e për të ngrënë: e ti prapëseprapë, e kalon masën, e kalon atë që është e mjaftueshme? Por nuk sillesh më kështu kur është fjala për të vepruar: në këtë rast qëndron “brenda kufijve të mundshëm”! Ti nuk do veten: sepse atëherë do të doje edhe natyrën tënde edhe vullnetin e saj. Të tjerët, që e duan punën e tyre, shpenzojnë çdo energji me të, rrinë pa bërë banjë, rrinë pa ngrënë: mos vallë e nderon natyrën më shumë se skalitësi daltën me të cilën gdhend, më shumë se vallëtari vallen e tij, më shumë se kopraci paranë, më shumë se mburraveci lavdinë e tij të mjerë? E megjithatë këta njerëz, kur jepen pas diçkaje, janë gati të mos hanë e të mos flenë që të shohin të hedhë shtat puna pas së cilës janë dhënë: ndërsa ty, veprimet që marrin shkas nga e mira e shoqërisë, të duken me më pak vlerë, të duket se nuk meritojnë përkujdesje?

Sa e lehtë që është të hedhësh poshtë e të fshish nga kujtesa çdo përfytyrim torturues dhe të gabuar e të ndjesh menjëherë një qetësi të plotë.

Quaje veten të denjë për çdo fjalë dhe veprim që është në përputhje me natyrën dhe mos iu dorëzo mendimit që mund të vijë si pasojë e vërejtjeve apo thashethemeve të disave, por, nëse është mirë që diçka të bëhet a të thuhet, mos e gjyko veten të padenjë për të. Ata, në të vërtetë, e kanë një parim drejtues dhe ndjekin një shtysë: ti mos e merr parasysh këtë, por arrije qëllimin nëpërmjet një rruge të drejtë, duke ndjekur natyrën tënde dhe atë të të tjerëve: që të dyja një rrugë kanë.

Vazhdoje rrugën duke ndjekur atë që është në përputhje me natyrën, derisa, i mposhtur do të pushoj duke lëshuar grahmën e fundit në atë vend nga i cili çdo ditë marr frymë, duke u plandosur në atë vend nga i cili im atë gjeti spermën, ime më gjakun e mëndesha ime qumështin, ai vend nga i cili përditë, prej shumë vitesh marr ushqim dhe pije, ai që më mbështet ndërsa i shkel përsipër dhe e shfrytëzoj për shumë gjëra.

Në rregull, nuk mund të sodisin dot mprehtësinë tënde, por mund të sodisin shumë dhunti të tjera, për të cilat s’mund të thuash dot: “Natyra nuk më ka dhënë këtë cilësi”. Vëri në dukje, pra, ato që varen krejtësisht nga ty: çiltërsinë, seriozitetin,qëndrueshmërinë ndaj mundimeve dhe dhimbjeve, mospërfilljen ndaj kënaqësisë, pranimin e plotë të atyre që të sjell fati, përmbajtjen ndaj nevojave, dashamirësinë, lirinë, thjeshtësinë, neverinë ndaj thashethemeve, zemërgjërësinë. Nuk të bie ndër mend sesa dhunti për të cilat nuk mund të nxjerrësh si shkaqe se nuk ke prirje natyrore apo aftësi je në gjendje të shfaqësh, e prapëseprapë, vazhdon të mos u nënshtrohesh zotësive tua? Apo është ndoshta për faj të prirjes natyrore, e cila të detyron të pëshpëritësh, të jesh shpirtvogël, t’ia bësh qejfin vetes, të ankohesh për trupin tënd të mjerë, të tregohesh i nënshtruar, të mburresh, të jesh i pavendosur në shpirt? jo, për Zotin, përkundrazi, të ishte për to do ishe liruar prej kohësh nga këto sjellje ose ndoshta mund të ishe gjykuar vetëm si jo shumë i shkathët dhe jo shumë i zgjuar. Duhet të stërvitesh edhe për këtë në vend që ta lesh pas dore gabimin dhe të rrekesh në plogështi.