Saturday, June 6, 2020

Kada dhe Kaderi

Do të doja t’ju tregoj dy ngjarje lidhur me fatin e caktuar. Në jetë shihni njerëz që janë të kënaqur me fatin e tyre dhe njerëz që kanë vuajtur mjerisht duke e mohuar atë. 

Thomas Bodley, shkrimtar i shkëlqyer amerikan, shkroi mbi 14 libra. Më 1918 ai u vendos në Afrikën veriperëndimore mes një grupi beduinësh. Ata ishin muslimanë që luteshin dhe agjëronin. Ai i tregoi disa nga përvoja e tija me ta, dhe mbi njërën prej ngjarjeve të paharrueshme, ai shkruan në një nga librat e tij : “Një ditë, një stuhi e fortë rëre filloi të shtohej. 
Erërat fshikëlluese shkatërruan shumëçka 
dhe nxehtësia ishte aq e madhe saqë ndjeva se po më digjte rrënja e lëkurës. Për çudinë time, beduinët nuk u ankuan aspak. Ata tundnin shpatullat me keqardhje dhe thonin se kjo ishte diçka e shkruar dhe e caktuar për ta. Ata iu kthyen punës së përditshme me zell. Kryetari i fisit tha : '‘Nuk kemi humbur shumë po të mendoni se mund të humbisnim gjithçka. Por falënderimi dhe lavdërimi i takon Zotit, akoma kemi rreth dyzet përqind të bagëtive dhe mund t’ia nisim sërish.” 

Ai tregoi në një incident tjetër, “Tek po kalonim përmes shkretëtirës me makinë, na u shpua goma, dhe për më keq, shoferi kishte harruar të merrte gomë rezervë. U kaplova nga zemërimi dhe shqetësimi. I pyeta shoqëruesit e mi beduinë se çfarë do të bënim. Ata më kujtuan me mirësjellje se nevrikosja nuk do ta  ndihmonte situatën, përkundrazi mund ta 
përkeqësonte. Po ecnim me ngadalësi irrituese në tre goma, dhe shpejt makina ndaloi për shkak se u mbarua benzina. Edhe kur ndodhi kjo, bashkëudhëtarët e mi qëndruan të pashqetësuar. Madje, ata e rifilluan udhëtimin në hare duke ecur dhe kënduar në kor. 

Pasi kalova vite në shkretëtirë me nomadët arabë, u binda plotësisht se problemet e përhapura të amerikanëve dhe evropianëve si: alkoolizmi, sëmundjet mendore, dhe depresioni ishin rezultate të jetës së shpejtë të qytetit. 

Nuk ndjeja aspak stres kur ndodhesha në shkretëtirë. Më dukej sikur isha në parajsë. Ndihesha sikur kisha zbuluar paqe, qetësi, dhe gëzim. 

Shumë njerëz i përqeshin bindjet ‘fataliste’ të arabëve. Por ku i dihet? Ndoshta arabët kanë me vete të vërtetën, sepse teksa kujtoj ngjarjet e së kaluarës, kuptoj se jeta ime përbëhej nga pjesë të palidhura që ishin fryt i ngjarjeve ose ndodhive që m’u imponuan pa patur ndonjë përzgjedhje timen. Arabët i quajnë këto kada dhe kader nga Zoti. 

Si përfundim, kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vite që kur kam lënë shkretëtirën, dhe akoma mbaj qëndrimin e arabëve lidhur me fatin. Ngjarjeve që janë jashtë kontrollit tim u përgjigjem me qetësi, vetëpërmbajtje dhe durim. Kjo cilësi që e 
kam mësuar nga arabët ka bërë më shumë për të m’i ka qetësuar nervat dhe ulur stresin se ç’mund të bëjnë mijëra receta me sedative.