" Të dish është tjetër gjë, të kuptosh është tjetër gjë, prandaj më mirë është të kuptosh sesa të dish."
Njerëzit shpesh herë, kur diskutojnë apo kur mendojnë për diçka ngatërrojnë arsyetimin me njohuritë.
Njohuritë nuk janë arsyetime apo kuptimi i asaj që del nga njohuritë teorike apo praktike!
Njohuri mund të kenë 10 veta në mënyrë të barabartë por ajo çfarë kuptojnë prej tyre apo mënyra si arsyetojnë janë vetitë që bëjnë dallimin midis tyre.
Shpesh ndodh të debatohet midis dy njerëzve duke garuar se kush di më shumë por fakti se dikush di më shumë nuk do të thotë se kupton dhe më shumë apo më mirë se tjetri!
Mençuria nuk matet me bagazhin e memories së mbushur me njohuri por me aftësinë për të kuptuar, arsyetuar dhe llogjikuar me mençuri e me takt !
Pra, vlera e njohurive bie poshtë nëse mungon aftësia e arsyetimit.
Mirëpo nga ana tjetër, aftësia e arsyetimit ka për të çaluar dhe ka për të patur dobësi nëse mungojnë njohuritë e duhura rreth asaj që arsyetohet!
Kemi parë dhe dëgjuar shumë njerëz të cilët pretendojnë se kuptojnë më shumë e më mirë pa patur asnjë dije rreth diçkaje, pa lexuar kurrë diçka rreth asaj gjëje. Këta lloj njerëzish janë më të rrezikshmit për veten dhe shoqërinë sepse dëmi i tyre mund të jetë shumë i madh pasi veprojnë pa dije !
Atëherë, çfarë duhet të bëjmë !?
Ajo çka duhet bërë është të shtojmë njohuritë dhe të arsyetojmë mbi baza të tyre. Të kombinojmë njohuritë me arsyetimin e shëndoshë, të shmangim arsyetimin pa njohuri dhe debatin me njohuri pa kuptuar më parë njohuritë !
Të mos bëhemi mekanikë duke përcjellë thjesht njohuri sepse këtë gjë mund ta bëjë dhe një objekt si psh celulari. Por as të mos lodhemi të kuptojmë pa patur njohuri duke futur veten në imagjinata të sëmura.