Wednesday, March 10, 2021

Liria e shprehjes

Shumë gjëra të këqia, të ndyra, të ulëta e të degjeneruara janë lejuar në shoqëri në emër të lirisë. Po cila është ajo logjikë e shëndoshë që lejon dhe argumenton se për të mbrojtur gjoja të drejtat dhe liritë njerëzore duhet të mos frenojmë imoralitetin dhe pervesitetin? 

Cila logjikë e shëndoshë ka pranuar ta quajë si një dhunues i të drejtave njerëzore atë person i cili nuk dëshiron të bëhet palë, apo të lejojë një ves të ndyrë e cila nuk prodhon shëndet, mirësi, familje, dhe pozitivitet, por prodhon shkatërrim total të mirësisë, familjes dhe shoqërisë?

E keqja mes nesh jeton sepse e kemi lejuar vetë ne duke na hedhur hi syve me parime të shtrembëruara në emër të lirisë.

Liria nuk nënkupton të lejojmë të qarkullojë e keqja por të mos vritet e mira.

A nuk e keni vënë re se shumë virtyte të mira janë vrarë apo që kanë frikë të dalin hapur nga ata që trumbetojnë demokracinë?

E mira po bëhet e keqe dhe e keqja po bëhet e mirë duke keqpërdorur konceptet e drejtësisë, lirisë dhe mirësisë.

Nëse njeriu nuk mëson cila është fytyra e vërtetë e së keqes, sigurisht që ka për tu mashtruar lehtë dhe kështu do pranojë të keqen si të mirë dhe të mirën do e mohojë si të keqe.