Friday, September 9, 2016

Edukimi

Më ka qëlluar të dëgjoj një edukator profesionist, që parashtronte këndvështrimin e tij me nota të dhimbshme mbi edukimin e sotëm. Vrojtimet e tij ishin drejtuar ndaj një publiku të rriturish, por me moshë të re dhe detyrës së tyre për t'ju përshtatur kërkesave të së ardhmes. Ajo që thoshte, ishte e arsyeshme, por, përgjithësisht, parashtrimi ishte jo i plotë, aq sa më la të pakënaqur dhe të dëshpëruar. Ai pohonte se njohja njerëzore dy-fishohet në tre vjet dhe edukatorët nuk ishin në gjendje të ecnin me këtë hap. Fatkeqësisht, la pa thënë se të rriturit e së nesërmes do të kenë nevojë më shumë se kurrë të mësojnë dhe të zhvillojnë dashurinë. Nuk tha asnjë fialë mbi nevojën për të kultivuar ndjeshmërinë, ndjenjën e përgjegjshmërisë, përkushtimin ndaj të tjerëve dhe ndaj vetë ambientit. Sipas mendimit tim, nëse dija jonë plaket kaq shpejt, Pjesa më e madhe e teorisë së tij fatalisht ka natyrë tranzitore. Ndoshta, duhet t'u hapim sytë fëmijëve tanë duke i informuar se jo të gjitha nocionet tona bëhen të pavlefshme për një natë, se disa të vërteta jane me të vlershme sesa besimet tona kalimtare. Një gjë është e qartë: të mësojmë zbulimet e fundit të shkencës e teknologjise e, si të kemi sukses në jetë, nuk na pengon të mësojmë edhe mirësjelljen, mirësinë, shpirtfisnikërinë, përkushtimin dhe dashurinë. Këto dhe vetëm këto mbeten të vërteta të pandryshueshme, thelbësore për mbijetesën njerëzore jo më pak sesa arritjet në fushën teknike, edhe në botën e sotme të prirur ndaj ndryshimeve kaq të shpeshta.