Saturday, September 10, 2016

Femijet

Kishte qenë një ditë e gjatë, rraskapitëse, aq sa, të gjendesha midis miqve më dukej më shumë përmbushja e një detyre sesa një kënaqësi. Kur në orën e darkës shkova të bashkohem me miqtë, m'u lutën t'i lexoja diçka vajzës së tyre të vogël, që ishte vetëm katër vjeçe. Gjatë gjithë ditës vogëlushja më kishte pritur me ankth. Isha "xhaxhi" i saj më i dashur. Nuk mund të them se kjo gjë më pëlqeu, por nuk do të guxoja kurrë ta zhgënjeja një fëmijë. Karolina më dha librin e saj më të dashur. Ia kishin lexuar më shumë se njëqind herë. Por, kushedi, mbi fëmijët tregimet magjike nuk pushojnë kurrë së dhëni kënaqësi. Ishte historia e një kungulli që shndërrohet në automobil, dhe udhëton, në shoqëri të miqve më të dashur: bufit dhe hardhuckës. Së bashku përshkonin fushat me bar ngjyrë trëndafili dhe pemë plot me sheqerka dhe qirinj në mes të një mori personazhesh të çuditshëm dhe absurdë. Ndërkohë që lexonim dhe qeshnim me këto marrëzira të mrekullueshme, ndjeva që lodhja dhe humori i keq, si dhe tensioni nervor grumbulluar gjatë ditës, u zhdukën plotësisht.
M'u kujtua kështu, se fëmija që gjendet gjithnjë brenda nesh (apo që dëshirojmë të besojmë) ndien herë pas here nevojën të dalë jashtë dhe të bëjë një udhëtim nëpër botë, në shoqëri të një kungulli, të një hardhuce dhe të bufit. T'i japësh një lloj kuptimi kësaj botës sonë të çmendur dhe të mrekullueshme, kërkon nga ana jonë doza të mëdha qëndrueshmërie dhe maturie; por, herë pas here, pak humor dhe një braktisje e vogël nuk na dëmtojnë. Bota gëzohet nga çmenduria jonë, jo vetëm nga mençuria jonë.