Sunday, September 11, 2016

Thuhet se

Thuhet se të gjithë e dimë përsosmërisht atë që është më e mira për secilin prej nesh. Veç të hapim veshët për të zbuluar që pjesa më e madhe e gjërave që na thuhen, kanë formën dhe kuptimin e këshillave. Jemi stërvitur, qortuar, nxitur. Dëgjohet të thuhet shpesh se ç'duhet të bëjmë në jetën tonë, që duhet të mendojme për qëllimet tona. Gjithmonë është dikush i gatshëm të citojë mënyra, orientime, stile, dëshmi, të dhëna statistikore të mahnitshme, i prirur të pohojë mendimin e tij personal dhe të na shtyjë të pranojmë bindjet e tij.Çdo e dhënë e re ka vlerën e vet me kusht që: a- te njohim burimin, dhe b — të mos i pranojmë qorrazi të dhënat e të tjerëve, duke i quajtur të përshtatshme per ne. Secili prej nesh është një qenie e ndryshme dhe e pavarur. Jetët tona na përkasin dhe duhet t'i ruajmë nga ata që përpiqen t'i thyejnë. Nuk ka një mënyrë të vetme për të dashuruar. Të shumta janë mjetet për të shprehur dashurinë tonë. Lumturia jonë jeton brenda nesh. Ka çaste në të cilat pohojmë nevojën për t'u drejtuar ose nxitur, por për aq kohë sa na lejohet, pastaj të gjejmë ekuilibrin për të vazhduar më tej rrugën tonë.