Shumë e përhapur është bindja se ndryshimi ndërmjet individëve vjen nga pasuria, nga pasja e kësaj apo e asaj gjëje, dhe se vlera e çdo individi matet me sasinë e parave që ka. Harxhojmë energji të mëdha për të siguruar çdo lloj gjëje, derisa nuk mbetet më asnjë hapësirë boshe në dhomat tona, në garazhe, në zyrat tona. Por, nuk duhet shumë kohë për t'u bindur se problemet rriten barabar me rritjen e pasurisë. Dhe, duke filluar nga ky çast, duhet të drejtohemi tek avokatët, bankat, investimet financiare, që kujdesen për drejtimin e jetës sonë. Madje, jemi të detyruar të marrim masa mbrojtëse më të forta për pasurinë tonë. Nuk ka dyshim: shoqëria të cilës i përkasim, na nxit të kemi sa më shumë, gjithnjë më shumë, dhe pastaj të ngremë kultin e asaj që kemi grumbulluar. Nxitemi të blejmë, të riblejmë dhe pastaj të heqim dorë nga ajo që kemi blerë më parë, për një mall të ri, për një pronë të re, në sasi më të madhe dhe në cilësi më të lartë. Thuhet se vlera e dashurisë dhe e jetës njihen vetëm kur pësojmë dëme, apo i humbasim. Ky është një mësim shumë i vjetër, po aq sa historia e njerëzimit. E,megjithatë, më të shumtëve prej nesh u duhet një jete e tërë për ta besuar.