Wednesday, November 6, 2019
Niçe 12
Përsa i takon besëtytnise se logjikëve nuk kam për t'u lodhur të vazhdoj së nënvizuari një fakt të vogël, të shkurtër, i cili pranohet me pahir nga këta besëtytë: një mendim vjen kur do "ai" dhe jo kur dua "une", kështu që është një falsifikim i gjendjes së fakteve të thuash që subjekti "unë" është kusht i predikatit "mendoj". Ai mendon: por që ky ai të jetë ai i famshmi "unë", për ta thënë me lezet, është vetëm një hamendje, një pohim, mbi të gjitha nuk është një "bindje e menjëhershme". Së fundi, edhe kjo "ai mendon" është tepër: pra kjo "ai" përmban një interpretim të procesit dhe nuk bën pjesë në vetë procesin. Këtu arrihet sipas rregullave gramatikore: "Të mendosh është një veprimtari, çdo veprimtari nënkupton dikë që vepron, për pasojë..." Eshtë pak a shumë sipas të njëjtës skemë që atomistika e lashtë kërkonte "forcën", forcën që vepron edhe në atë grimcë materieje, tek atomi, në të cilin ajo qëndron dhe nga e cila zhvillon veprimin e saj; më në fund, mendje më të thjeshta kanë mësuar tia dalin mbanë pa këtë "një çikë tokë" dhe ndoshta një ditë do të mësohemi, dhe madje edhe logjikët, tia dalin mbanë pa atë "ai'' të vogël (në të cilin ka avulluar uni i ndershëm dhe i vjetër).