Monday, November 18, 2019

Niçe 23

Kur je i ri nderon dhe përçmon pa mjeshtërinë e nuancës, e cila përbën dobinë më të mirë të jetës dhe me të drejtë duhet paguar shtrenjtë, në të njëjtën mënyrë ke sulmuar njerëz dhe vepra me një po dhe me një jo.Gjithçka është rregulluar në mënyrë që më e keqja e të gjitha shijeve,shija e absolutes, të ushqehet egërsisht dhe të shpërdorohet derisa qenia njerëzore të mësojë të fusë pak art, mjeshtëri në ndjenjat e saj dhe të parapëlqejë të tundojë me mjeshtërinë, ashtu siç bëjnë artistët e vërtetë të
jetës. Gjaknxehtësia dhe shpirti i nderimit, të cilat karakterizojnë rininë,duken se nuk rrinë të qeta në qoftë se më parë nuk i kanë falsifikuar në atë mënyrë qeniet njerëzore dhe veprat sa të mund të shpërthejnë tek ata: në vetvete rinia është diçka falsifikuese dhe mashtruese. Kur pastaj shpirti i sfilitur nga një sërë zhgënjimesh, fillon dhe ngre krye me dyshim kundër vetvetes, vazhdon të jetë i ndezur dhe i egër edhe në dyshimet e tij dhe në brejtjet e ndërgjegjes: si inatoset, si e bren brenda për brenda me padurim ndërgjegja, si hakmerret për vetëverbërinë e tij te gjatë, sikur të kishte qenë një verbëri me dashje! Në këtë fazë kalimtare ndëshkohet vetvetja me mosbesimin ndaj ndjenjave të veta,torturohet nga dyshimi dhe entuziazmi i vet, madje edhe ndërgiegja e paster merret si një rrezik, sikur të ishte një vetëmjegullim dhe një lodhje e ndershmërisë më të madhe; dhe sidomos merr vet vendim, vendm të plotë, kundër "rinisë" ! Dhjetë vjet më vonë do të kuptohet që edhe e gjithë kjo ishte rini!