Te më falet, si një filolog i vjetër që nuk mund të shmanget nga shpirtligësia për të thënë fjalën e vet për mjeshtërinë e të bërit interpretime dashakeqe; por ajo "normë e natyrës", për të cilën ju fizikanët flisni me krenari, sikur të ekzistonte vetëm në sajë të shpjegimit tuaj dhe të "filologjisë" suaj të keqe, nuk është një e dhënë,një "tekst', por vetëm një zgjidhje e patëkeq-humanitare dhe nje shtrembërim i kuptimit me të cilin ju u kundërviheni fort instinkteve demokratike të shpirtit të sotëm. "Gjithandej barazi përballë ligjit; në këtë gjë natyra nuk ka kushte të ndryshme dhe më të mira nga tonat një mënyrë e mirë kjo me të cilën edhe një herë tjetër, sipas kriterit të një ateizmi të dyrë dhe më të hollë, maskohet armiqësia e vegjëlisë për çdo privilegj dhe sovranitet. Ni Dieu, ni maître(As Zot as mjeshtër) kështu doni edhe ju,dhe prandaj "rroftë ligji i natyrës", apo nuk është e vërtetë? Por, si kam thënë, ky është interpretim, jo tekst; dhe mund të vijë dikush i cili, me qellim dhe me aftësi shpjeguese të kundërt, në të njëjtën natyre dhe duke pasur parasysh të njëjtat shfaqje, të arrijë të lexojë pikerisht detyrimin tiranik e të parespektueshëm dhe pohimin e pamëshirshëm të kërkesave të pushtetit: një shpjegim që tju vinte në këtë mënyrë përpara syve pakundërshtueshmërinë dhe domosdoshmërinë të lindura në çdo "vullnet për pushtet" ku pothuajse çdo fjalë, madje dhe fjala "tirani'', në fund do të dukej e papërdorshme ose edhe një metaforë e dobët dhe e zbutur, deri shumë njerëzore; por që prapëseprapë nga kjo botë të arrinte në perfundimin për të pohuar të njëjtën gjë
që pohoni ju, domethënë që ka një rrjedhë "të nevojshme" dhe "të parashikueshme", 'jo' sepse është e sunduar nga ligjet, por sepse ligjet
mungojnë plotësisht dhe, ne çdo çast, çdo pushtet përfiton rrjedhojën e saj më të fundit. Meqë edhe kjo ishte vetëm shpjegim (dhe ju do të jeni mjaft të zellshëm për ta kundërshtuar), e pra, aq më mirë.