Thursday, November 21, 2019

Niçe 28

Askush nuk ka për ta quajtur me shumë lehtësi të vlefshme një teori, vetëm sepse sjell lumturi apo virtyt: ndoshta përveç "idealistëve" të dashur që ëndërrojnë të mirën, të vërtetën, të bukurën dhe që në moçalet e tyre bëjnë të lundrojnë me rrëmujë çdo lloj idealizmash lara
lara, të shëmtuar dhe dashamirës. Lumturi dhe virtyt nuk janë argumenta të vlefshëm. Por harrohet me dashje, edhe nga ana e njerëzve me mend në kokë, që të bësh fatkeqë dhe të bësh të këqij janë kundërargumenta po aq pak të vlefshëm. Një gjë mund të jetë e vërtetë, megjithëse është e dëmshme dhe e rrezikshme në shkallën më të lartë: madje mund ti përkasë karakteristikës themelore të pranisë së faktit që të shkohet deri në fund për ta njohur plotësisht: pra, forca e një mendjeje do të matej nga sa të vërtetë duron ende, ose, më qartë, nga shkalla se deri ku ka pasur nevojë për ta holluar, fshehur, zbutur, qetësuar, falsifikuar. Por nuk ka asnjë dyshim se me qëlim për të zbuluar pjesë të caktuara të së vërtetës, të këqijtë dhe fatkeqët janë ndihmuar dhe kanë një mundësi
më të madhe për tia dalë mbanë, për të mos folur për të këqijtë që janë të humbur, një racë kjo që lidhet në heshtje nga moralistët. Ndoshta
ashpërsia dhe dinakëria krijojnë kushte më të mira për zhvillimin e një shpirti të fortë dhe të pavarur, ca më tepër të filozofit, ndërsa ajo dashamirësi e ëmbēl, e hollé, e nënshtruar dhe arti për ti marrë lehtë e lehtë gjërat çmohet, dhe me të drejtë, tek një njeri i ditur. Me kusht, dhe kjo qëndron para çdo gjëje, që të mos katandiset koncepti i "filozofit" në filozof qé shkruan libra, apo që fut në libra filozofinë e tij! Stendali i shton përfytyrimit të filozofit me shpirt të lirë një pjesë të fundit të cilen nuk dua ta lë pa nënvizuar nga dashuria për shijen gjermane :
Pour ètre bon philosophie " thotë ky psikolog i madh i fundit " .
Për të qenë filozof i mirë nevojitet të jesh i prerë, i qartë, pa iluzione. Një bankier që ka qenë i suksesshëm, ka një pjesë të karakterit që kërkohet për të bërë zbulime në filozofi, domethënë për të parë qartë në atë gjë që ai ështe.