Friday, November 15, 2019

Niçe 22

Mendimet tona më fisnike duken (dhe duhet të duken) marrëzira,ndërsa në disa raste krime: kur padrejtësisht arrijnë në veshë që nuk janë bërë për ta. Ekzoteriku dhe esoteriku, siç dallohej dikur midis filozofeve, indianëve apo grekë, persianë dhe myslimanë qofshin ata,me një fjalë kudo besohej në një hierarki dhe jo në njëjtësi dhe në barazi të drejtash, nuk dallohen njëri nga tjetri për faktin që ekzoteriku qendron jashtë dhe shikon, vlerëson, mat dhe gjykon nga jashtë: gjëja më thelbësore është se i shikon gjërat nga poshtë-lart, ndërsa esoteriku
nga lart-poshte! Ka lartësi të shpirtit që, duke vështruar nga to, deri edhe tragjedia pushon së qeni tragjike; dhe, sikur e gjithë e keqja e botës të mblidhej në një të keqe të vetme, kush do të mund të guxonte të vendoste që pamja e saj do të bindte dhe do të detyronte medoemos pikërisht për të pasur mëshirë dhe pra për të dyfishuar dhimbjen?...
Ajo që shërben si ushqim dhe gjallërim për tipin më të lartë të qenieve njerëzore, për një tip njerëzor shumë të ndryshëm dhe më të ulët duhet të jetë pothuajse një helm. Virtytet e njeriut të rëndomtë, tek një filozof, ndoshta do të thonë vese dhe dobësira; mund të ndodhë që tek një njeri i një dere të madhe, pasi çoroditet dhe bie në fund, arrin vetëm e ketë mënyrë në zotërim të cilësive të larta, për hir të të cilave ndihet nevoja, në botën e ulët ku është zhytur, për ta nderuar tashmë si një shenjtor. Ka libra që kanë për shpirt dhe shëndet një vlerë të kundërt,pas asaj që shërben shpirti më i ulët, forca më e ulët jetësore, ose perkundrazi ajo më e larta dhe më e fuqishmja; në rastin e parë ata janë libra të rrezikshém, që të lodhin dhe të prishin, në të dytin, janë thirrje e tellallit, që i shtyjnë më trimat në trimërinë e tyre. Librat për të gjithë janë gjithmonë libra të qelbët, atyre u ngelet ngjitur era e njerëzve pa rëndësi. Zakonisht, atje ku populli ha e pi, madje atje ku i thurr lavde nderimit të vet, bie erë e keqe. Në qoftë se deshirohet të thithet ajër i pastër, nuk duhet shkuar nëpër vende devijimesh.