Monday, November 11, 2019

Niçe 16

E gjithë psikologjia deri më sot ka ngelur e varur nga paragjykimet,nga shqetësimet morale. Ajo nuk ka guxuar të zbresë në thellësi. Ta konceptosh si morfologji dhe si teori zhvillimore të vullnetit  të forcës, siç bëj unë, askush nuke ka çuar as në mend. Në të vërtetë, brenda mundësisë në të cilën është dhënë, mund të dallohet në atë që është shkruar deri këtu një shenjë e asaj që deri këtu nuk është thënë.Pushteti i paragjykimeve morale ka hyrë thellë në botën intelektuale,në dukje më i ftohtë dhe më pa hamendje, dhe, ashtu siç mund të kuptohet me lehtësi, në mënyrë të dëmshme, ndaluese, verbuese dhe shtrembëruese. Një fizio-psikologjii e vërtetë duhet të luftojë me
pengesa të pavetëdijshme të pranishme në zemrën e kërkuesit, ajo ka kundër vetes "zemrën". Prandaj një teori e kushtëzimit të ndërsjellë të instinkteve "të mira" dhe "të këqija", ashtu si imoraliteti më i hollë,në një vetëdije të fuqishme dhe të guximshme shkakton vuajtje dhe neveri, dhe ca më shumë një teori e prejardhshmërisë së të gjitha instinkteve të mira nga ato të këqija. Por meqë dikush i merr shtytjet shpirtërore të urrejtjes, të zilisë, të lakmisë për pronë, për sundim,madje deri dhe për pasione jetëdhënëse, si diçka themelore që patjetër duhet të jetë e pranishme në ekonominë e përgjithshme të jetës, diçka qe më pas duhet të fuqizohet më tej atëherë kur duhet të jetë fuqizuar më tej jeta, ai do të vuante nga një drejtim i tillë i arsyetimit të tij ashtu
si ai që torturohet kur e zë deti. Megjithatë edhe kjo hipotezë nuk eshte shumë më e dëmshme dhe më e çuditshme në këtë mbretëri të pafund, gati edhe të re, me njohuri të rrezikshme: dhe në të vërtetë ka njëqind arsye të mira që, nga ajo, gjithkush të qëndrojë sa më larg që mundet! Nga ana tjetër: në qoftë se janë shtyrë deri këtu me anijen e vet, mirë kanë bërë! Jepini! Tani duke shtrënguar dhëmbët me guxim! Me sytë hapur të lundrojmë drejt duke u shtrënguar fort pas timonit dhe përtej moralit, le të shkelim, ndoshta le të përzëmë, duke vepruar kështu, tepricën e moralit, ndërkohë që përmbushim dhe ndërmarrim me guxim udhëtimin tonë atje poshtë.. por që të vlejë për ne! Asnjëherë deri më sot një botë më e thellë e njohjes nuk u është hapur lundërtarëve dhe aventurierëve të frikshëm; dhe psikologu që në këtë parim "sakrifikon" (nuk është sakrifica e intelektit, përkundrazi) si më të pakten mund të kërkojë në shkëmbim që psikologjia të njihet përsëri si zonja e shkencave, në shërbimin dhe në përgatitjen e së cilës qëndrojnë shkencat e tjera. Psikologia, në të vërtetë, është tashmë përsëri rruga për të arritur tek problemet e thella.