Monday, September 5, 2016

Dhimbja dhe kenaqesia

Shpesh e kemi të vështirë të kuptojmë se edhe dhimbja mund të ketë një të mirë. Në çastin që na bie e keqja, shpejtojmë që të kërkojmë shpëtim. Pijmë ilaç, mbytemi në alkool, flemë pak ose nuk fiemë fare, mohojmë vuajtjen dhe bëjmë çdo gjë, që t'i shmangemi asaj, që na shkakton kaq dhimbje. Të fillosh një marrëdhënie, do të thotë të shkosh drejt dhimbjes. Kjo është kaq e vërtetë kur u afrohemi të tjerëve, duke u nisur nga shpresa dhe paragjykime personale. Thuajse të gjithë aspirojmë të dashurojmë një njeri, që të jetë miku (mikesha) më e mirë, më i (e) besuari, që të jetë burimi parësor i lumturisë, që të na kuptojë, gjithnjë në gjendje të na zbavitë dhe i (e) gatshëm, të na falë. Dëshirojmë të jetë besnike, nxitëse dhe seksi. Por njerëz me këto cilësi së bashku gjenden, zakonisht, vetëm në romane. Ose në parajsë. Në tokë janë vërtet shumë të rrallë. Kur ta pranojmë këtë të vërtetë, do të dimë të mos u japim kaq shumë rëndësi dhimbjeve dhe ndodhive që nuk na shpërblejnë. Megjithatë, dhimbja di të jetë një mësuese e çmuar. Ajo që është e vërtetë për vuajtjen fizike, është njëlloj edhe për atë të ndjenjave. Vuajtja vë në lëvizje mbrojtjen tonë dhe na shtyn të hetojmë në problemet më të vështira. Qëllimi i saj është të na hapë sytë, të na bëjë të kuptojmë se ka diçka të gabuar në jetën tonë.Duke mohuar vuajtjet tona të brendshme, sigurisht që humbasim kontrollin e vetvetes. Kur të jemi të gatshëm të pranojmë vuajtjet, fatkeqësitë dhe zhgënjimet, ashtu siç pranojmë gëzimet, do të fillojmë të kuptojmë se ç'do të thotë vërtet te dashurosh dhe të jesh i dashuruar.