Mund të ushtrojmë kontrollin mbi jetën tonë, ose mund të na ndodhë të humbasim kohën e çmuar duke u bërë viktima të rrethanave. Një mikesha ime shpreh ndjenjën e turbullimit, që kishte provuar, kur burri i saj e kishte braktisur. Ndjenja e sigurisë, që në vite e kishte shoqëruar, ishte copëtuar dhe para saj kishte vetëm të panjohur, veten e saj bosh dhe pa asnjë motivim. Ishte thyer e ofenduar në një pikë të tillë, saqë nuk mund të merrte as vendimet më të thjeshta. Dhe i merrte me tmerr këshillat e miqve dhe familjarëve, që e këshillonin të pranonte përvoja të reja dhe të vendoste marrëdhënie miqësie me njerëz të ndryshëm, që të gjente kënaqësi në simpatitë e vjetra artistike, prej kohe të përgjumura, madje që edhe e nxitnin për dashuri të reja. E burgosur nga ankthi steril për sa kishte ndodhur dhe me bindjen se ishte fajtore, nuk bënte asnjë përveçse në drejtim të depresionit psikik. Nuk donte të kuptonte se përfytyrimi negativ për vetveten, i ushqyer me mendimin e një dashurie të humbur, e pengonte të kthehej në jetën normale. U deshën rnuaj të energjisë së humbur për t'u bindur se të ecësh perpara ishte më nxitëse e prodhuese, se të rrish duarlidhur. Nuk ka arsye që ''fund'' dhe ''falimentim'' të jenë e njëjta gjë. Humbja e një dashurie është gjithnjë shkatërruese, por mund të jetë edhe çast i duhur për të hyrë ajri i freskët në dhomat e mbyllura dhe mbytëse, për të parë vlerat tona dhe për të filluar çdo gjë nga e para. Mund të ndodhë që marrëdhëniet të ndalen, të veniten dhe të vdesin, por jeta dhe dashuria vazhdojnë rrugën e tyre.