Kam një kolege, që sjell në jetën time gjithnjë një lloj flladi të freskët. Është një nga ata persona të rrallë, që e jetojnë jetën me aq pasion, saqë i bëjnë ta duan të gjithë ata, që kanë fatin ta takojnë e ta njohin. Prania e saj është e veçantë, e çmuar dhe e besueshme, por, në te njëjtën kohë, gjithnjë e paparashikueshme; në shumë aspekte është e ekuilibruar, por edhe me një lloj dalldie; gjithnjë e gatshme për të ndihmuar të tjerët, por pa harruar përgjegjësinë për vetveten; vazhdimisht e gjallë dhe në veprim duke u dhënë të tjerëve nga jeta e vet; e përkushtuar të mbajë gjallë marrëdhënie intime, me dashuri të madhe, por jo më pak e hapur ndaj nismave qe e çojnë shumë larg. Që prej shumë kohe kam hequr dorë të hetoj mbi shumëllojshmërinë e aspekteve, që karakterizojnë personalitetin e kësaj mikeshe të vjetër. Ndoshta, edhe ajo vetë nuk i llogarit. Ajo e di me mirë se të gjithë se i qëndron besnike instinkteve të veta, thellësisht të ndjeshme. Nuk dëshiron të humbe kohën duke u shqetësuar se si mund të kishin shkuar gjërat. Në jetën e saj nuk di të qahet për atë që mund të ishte bërë dhe nuk është realizuar. E kaluara e shtyp atë shumë më pak sesa ajo që do të vijë. Ajo i përkushtohet jetës dhe dashurisë me pasion dhe energji të plotë, dhe nuk e njeh moshën. Nëse do të vijë një ditë që nuk do të jetë e aftë fizikisht të përballojë këtë jetë, jam i sigurt se ajo do të gjejë gjëra të tjera për të bërë, botë të reja për të eksploruar, të tjerë njerëz për të dashuruar. Shpesh jam shtyrë të reflektoj për fatin që kam një mikeshë të tillë dhe jo vetëm për gëzimin që më sjell, por edhe për shembullin e jashtzakonshëm nga ajo, e mëshiruar në një kujtesë kaq madhështore, në jetën që ajo jeton me mësimet e dashurisë.