Është e vështirë të përkufizosh lumturinë. Është një cilësi shumë personale. Disave ju jepet rrallë dhe është e lidhur vetëm me rrethana të jashtëzakonshme. Përsa më përket mua, më mjaftojnë disa ndodhi të vogla të zakonshme të më bëjnë të lumtur: një darkë mes miqsh, një shëtitje në park, një përqafim, një bisedë interesante. Meqënëse secili prej nesh është i veçantë dhe i papërsëritshëm, ajo që mund të bëjë të lumtur një person, mund të ketë efekt të kundërt për një tjetër. Në dashuri, lumturia është diçka më shumë se thjesht mirëqenia, më shumë se një paqe e lehtë. Ajo nuk do të gjendet kurrë në plotësimin e kënaqësive të rastit dhe as mund ta sigurojmë duke përvetësuar bindjen se këtë lumturi do të na e japin të tjerët. Lumturia që dy të dashuruar zbulojnë te njëri-tjetri, është krijuar nga ata vetë, falë nje përpjekje të vendosur dhe me durim.Shpesh dashuria përshkruhet si forca e pijes dehëse që na ndjell fuqishëm në mashtrim dhe menjëherë na josh në gabim. Flitet shumë për kënaqësi që zgjasin por shumë pak na jepen shëmbuj në këtë drejtim. Kjo nuk do të pushojë së qëni e vërtetë, deri kur lumturia të kuptohet si një përvojë kalimtare dhe asgjë më shumë. Nëse dëshirojmë që lumturia jonë të jetë shumë më tepër se një ndjenjë kalimtare dhe e trazuar, duhet të pajisemi me vendosmëri të madhe e të papërkulur për ta arritur, duke i krijuar vetë këto kushte. Për rrjedhojë, të dish se jemi në gjendje ta ndjellim dhe ta brumosim lumturinë është një përgjegjshmëri shumë e madhe. Duke ecur me një siguri të tillë, do të mësojmë ta pasurojmë jetën tonë me atë që mund të na bëjë të lumtur dhe ta ruajmë në kohë, në vend që të dorëzohemi duke pritur që lumturia të na vizitojë kur të dojë e kur t'i pëlqejë asaj.