Monday, September 5, 2016

Zemërimi I sinqertë

Para disa kohësh pashë dy fëmijë që grindeshin. Siç ndodh shpesh, hanin inat për çdo gjë. Bashkëbisedimi i tyre zhvillohej pak a shumë kështu:
- Budalla!
- Budalla je ti!
- Nuk jam budalla si ti!
- Ashtu të duket ty!
Pas këtij konflikti u larguan secili në punën e vet. Pas nja dhjetë minutash, kur kalova andej, i pashë duke luajtur përsëri me njëri-tjetrin. Kishin harruar gjithçka. Asnjë zemërim, asnjë fajësim, asnjë shpirtfyerje, asnjë qortim, asnjë dëshirë për të mbajtur mend ç'kishte ndodhur. Një shkëmbim i shkurtër dhe i sinqertë i ndjenjave të zemërimit dhe një interval, ende më i shkurtër për të fashitur shpirtrat dhe për të bashkëpunuar për çdo gjë. Nuk ka dyshim se fëmijët falin më lehtë se të rriturit. Mund të themi se në një fazë të rritjes të gjithë bëhemi të aftë të mbajmë inat me kokëfortësi, në kultivimin e egoizmave të brishta të natyrës tërë mllef të kryeneçësisë. Zhvillojmë një formë të kujtesës së menjëhershme, të mprehtë si tehu i thikës, falë së cilës mbartim me vete padrejtësitë e pësuara në të kaluarën të gatshëm që në rastin e parë t'i vierësojmë si argumente të besueshëm. Bëhemi polemizues dhe argumentues shumë të aftë dhe të pajisur me një ndjenjë të pagabueshme të drejtësisë. Të vendosur të fitojmë çdo betejë, dhe nëse nuk fitojmë, vemë në veprim menjëherë hakmarrjen tonë. Falja mbijeton vetëm kur vihemi në kushtet e identifikimit me të tjerët dhe duke njohur si papërsosmëritë tona, ashtu dhe aftësitë për të vepruar në mënyrë të gabuar.