Në kundërshtim me "lëre të shkojë" , çdo moral njerëzor është një lloj tiranie kundër "natyrës”, dhe edhe kundër "arsyes", por kjo gjë nuk është ende një kundërshti ndaj moralit hyjnor: në të vërtetë do të duhej gjithashtu të vendosej gjithmonë, nga lartësia e ndonjë morali, që nuk është e lejuar asnjë lloj tiranie dhe paarsyeshmërie. Thelbësorja dhe e paçmuara
e një morali është fakti që ai është një detyrim i gjatë; për të kuptuar stoicizmin apo Port-Royal apo puritanizmin na duhet të sjellim ndërmend detyrimin me të cilin deri më sot çdo gjuhë ka arritur forcën dhe lirine: detyrimin e metrikës, tiraninë e rimës dhe të ritmit. Sa vuajtje u kanë shkaktuar poetëve dhe oratorëve të çdo populli! Nuk përjashtohen as disa prozatorë bashkëkohës në veshët e të cilëve banon një vetëdije mizore, nga "dashuria për një marrëzi”, siç thonë matrahulët utilitaristë,të cilët me këtë e quajnë veten të zgjuar, "nga nënshtrimi ndaj ligjeve të padrejta " siç thonë analistët, që në këtë mënyrë ëndërrojnë se janë “të lirë", shpirtra të lira. Por, megjithatë, fakti i veçante është se gjithçka është ose që ka qenë mbi tokë nga liria, shija e hollë, guximi, vallëzimi dhe siguria arsimore, qoftë në vetë mendimin qoftë në qeverisje ose në të folur apo në bindje, qoftë në artet apo në zakonet morale është zhvilluar në fillim nga "tirania e ligjeve të tilla të padrejta” dhe me gjithë seriozitetin nuk është e vogël mundësia që pikërisht kjo të jetë "natyrë" dhe "natyrale”, dhe jo ajo "lëre të shkojë" ! Çdo artist e di sesa larg është nga ndjenja e "lëre të shkojë” gjendja e tij "më natyrale",domethënë rregullimi, vendosja, përgatitja, ndërtimi i lirë në çastet e "frymëzimit"; dhe me sa rreptësi dhe mprehtësi ai u bindet pikërisht një mijë ligjeve të larmishme, të cilët përqeshin çdo shprehje me koncepte pikërisht për shkak të ashpërsisë dhe përcaktimit të tyre (edhe koncepti më i qëndrueshmë, përkundrazi, ka diçka që s'kapet, të shumëfishtë,shumëvalente). Me sa duket, thelbësorja, "në qiell dhe në tokë”, për ta thënë edhe një herë, është që të bindet për një kohë të gjatë dhe në një drejtim të vetëm: duke bërë këtë gjë, me kalimin e kohës, del në dritë dhe gjithmonë ka dalë në dritë diçka për të cilën ia vlen të jetosh mbi tokë,për shembull virtyti, arti, muzika, vallëzimi, arsyeja, fryma shpirtërore, diçka qartësuese, e stërholluar, e jashtëzakonshme dhe hyjnore. Mungesa
e gjatë e lirisë së shpirtit, detyrimi dyshues në ndërlidhshmërinë e mendimeve, disiplina që mendimtari i diktonte vetvetes në brendësi të një rregulli kishtar dhe të oborrit ose nën hamendjet e mendimit aristotelik,dëshira e gjatë shpirtërore për të interpretuar gjithçka që ndodh sipas një skeme të krishterë dhe për të rizbuluar e për të përligjur Zotin e krishterë përsëri në çdo ngjarje të rastit: gjithë kjo dhunë, arbitraritet,ashpërsi, frikë, paarsyeshmëri ka si përfundim mjetin përmes të cilit në shpirtin evropian u rrit forca e tij, kurreshtja e tij e pavëmendshme dhe lëvizshmëria e tij; po të pranojmë se, duke bërë këtë gjë, ishte e detyruar të shtypte, të mbyste dhe të prishte në mënyrë të pandreqshme shume forcë dhe shpirt (meqenëse, këtu si kudo, “natyra” zbulohet siç është, me të gjithë madhështinë e saj dorëlëshuar dhe mospërfillëse që përbuz, por qe është fisnike). Fakti që për mijëra vjet mendimtarët evropianë menduan vetëm të vërtetonin diçka (ndërsa sot, përkundrazi, çdo mendimtar qe "dëshiron të vërtetojë diçka” shihet me dyshim), fakti që atyre u dukej gjithmonë e vërtetuar ajo që 'duhej' të dilte si përfundim i mendimit të tyre më të thelluar, si për shembull dikur në astrologjinë aziatike ose sot në interpretimin e padëmshëm moralo të krishterë të ngjarjeve më te afërta vetjake “për hir të Zotit" dhe “për shpëtimin e shpirtit": kjo tirani, ky arbitraritet, kjo marrëzi e rëndë dhe madhështore kanë edukuar shpirtin.
Me sa duket, skllavëria si për intelektin më të trashë ashtu dhe për atë më të hollë është mjeti më i pazëvendësueshëm, edhe për qëllimet e disiplinës stërvities shpirtërore. Mund të analizohet çdo moral në këtë perspektivë: është "natyra” në atë që mëson për të urryer "lëre të shkojë ", liria e tëpërt dhe që vendos nevojën e horizonteve të kufizuara, e detyrave të menjëhershme, që mëson 'pakësimin e perspektivës' dhe pastaj, në njëfarë kuptimi, marrëzinë si kusht të jetës dhe të rritjes. “Duhet t'i bindesh,kujtdo dhe për shumë kohë, përndryshe more fund dhe humb respektin e fundit për veten tënde”. Ky më duket imperativi moral i natyrës, i cili natyrisht nuk është as "kategorik”, siç këmbëngulte plaku Kant(nga kjo vjen ajo “përndryshe”), as nuk u drejtohet njerëzve të veçantë (kush pyet për njeriun e veçantë!), por popujve, racave, epokave, klasave shoqërore,dhe mbi të gjitha gjithë kafshës "qenie njerëzore", qenieve njerëzore.