"Shkenca e moralit" në Evropë
Ndjenja morale në Evropë është sot aq e brishtë, e ngadaltë, e larmishme, e ngacmueshme, e stërholluar, sa "shkenca përkatëse e moralit" është sot e re, fillestare, e ngathët dhe e paaftë: një antitezë tërheqëse që, herë pas here, shfaqet dhe mishërohet në vetë personin e një moralisti. Tashmë termi "shkenca e moralit", lidhur me atë që ai term emëron, është tepër i fryrë dhe i kundërt me shijen e mirë, që gjithmonë vazhdon të parapëlqejë fjalët e matura. Në gjithë rëndësinë e saj duhet t'i pohosh vetvetes se çfarë do të na shërbejë në këtë rast për shumë kohë, dhe 'çfarë', për çastin, ka një ligjshmëri të sajën të veçantë: domethënë mbledhjen e materialit, formulimin e konceptimit dhe organizimin e një mbretërie të pafund ndjenjash të holla dhe dallimesh të vlerave që jetojnë, rriten, lindin dhe vdesin (dhe ndoshta përpiqen t'i bëjnë të dukshme trajtat që përsëriten dhe janë më të shpeshta se ky kristalizim i gjallë), si përgatitje e një doktrine - tip të moralit; në ditët tona nuk kanë qenë kaq modestë. Filozofët, sapo filluan të merreshin me moralin si shkencë, të gjithë së bashku, me një seriozitet të rreptë që të bën të qeshësh, kërkuan nga vetja diçka shumë më të lartë, të fryrë dhe madhështore: kërkuan krijimin e moralit, dhe deri më sot çdo filozof ka besuar se ka krijuar moralin; por vetë morali vlente si datë. Sa larg ishte nga mendjemadhësia e tyre pa vend ajo detyrë, në dukje e pakuptim, e braktisur në pluhur dhe myk, për ta përshkruar: megjithese për atë duart dhe ndjenjat më të holla nuk mund të ishin të sterholluara! Përse pikërisht filozofët e moralit i njihnin faktet vetëm në mënyrë trashanike, në një përmbledhje arbitrare ose
shkurtim rastësor, si moral të mjedisit të tyre, të klasës së tyre, të kishës së tyre, të frymës së kohës së tyre, të klimës së tyre,të tokës së tyre?
Pikërisht për faktin që në lidhje me popujt, epokat,gabimet, ishin të informuar keq dhe ata vetë pak të dëshiruar për ta ditur, madje nuk arrinin as të shikonin në sy problemet e vërteta të moralit, si ata që shfaqen vetëm në krahasim me shumë morale. Në të gjitha "shkencat e moralit” që kanë ardhur deri këtu vazhdonte të mungonte sado që mund të tingëllojë e habitshme, problemi i vetë moralit, mungonte dyshimi se këtu kishte diçka problematike. Ajo që filozofët e quanin "themel i moralit” dhe e kërkonin nga vetvetja, ishte vetëm një formë e zgjuar mirëbesimi në moralin mbizotërues, një mjet i ri i shprehjes së saj, një gjendje e vetë faktit, kështu që, në brendësi të një morali të caktuar: madje, në analizë të fundit, një lloj mohimi që ky moral mund të shihej si problem dhe, në çdo rast, e kundërta e një kontrolli, i një shqyrtimi të imtë, i një analize kritike, i një hetimi pikërisht të këtij besimi! Të shikohet me kujdes, për shembull, se me sa çiltëri pothuajse të përnderuar edhe Shopenhauri parashtron vetë detyrën e tij dhe nxjerr përfundimet e veta për karakterin shkencor të një "shkence", mësuesit e fundit të së cilës flasin ende si fëmijët dhe si plakaruqet. “Parimi, thotë ai (faqe 137 tek " Probleme themelore të etikës"), teza themelore për përmbajtjen e së cilës të gjithë moralistët në fund të fundit janë të një mendjeje është: "Askush nuk dëmtohet, madje të gjithë, sa të munden, kënaqen." Kjo është pikërisht fjalia e së cilës të gjithë mësuesit e moralit kujdesen t'i japin një kuptim...kuptimin e vërtetë etik të kërkuar prej mijëra vjetësh si guri filozofal.”
Vështirësia për t'i dhënë një kuptim fjalisë së përmendur më sipër sigurisht që mund të jetë e madhe: dihet botërisht që as shopenhaurianët
nuk ia arritën dot; ndërsa kush ka pasur rastin të dëgjojë sesa kjo fjalë ka qenë e gabuar, e pashije dhe sentimentale, në një botë kur ekzistenca e së cilës është vullnet për pushtet, është më mirë të kujtojë që Shopenhauri, sado pesimist, në të vërtetë i binte flautit... Çdo ditë
pasi hante: të lexohen për këtë gjë jetëshkruesit e tij. Dhe, meqë ra fjala të pyesin: një pesimist, një mohues i Zotit dhe i botës, që ndalet perpara moralit, që i thotë po moralit dhe i bie flautit, që i thotë po moralit të tillë : "Askush nuk dëmtohet, madje të gjithë, sa të munden, kënaqen."...ky është me të vërtetë një pesimist?