Tuesday, January 28, 2020

Niçe 37

Në moralin e Platonit ka diçka që në të vërtetë nuk është e Platonit, por që prapëseprapë ndodhet në filozofinë e tij, mund të thuhet për inat të Platonit, domethënë sokratizmi për të cilin në fakt ai ishte tepër aristokratik. “Askush nuk do që të dëmtojë vetveten, prandaj çdo e keqe ndodh padashur. I keqi, në të vërtetë, i bën dëm vetvetes dhe këtë nuk do ta bënte sikur ta dinte që e keqja është e keqe. Për pasojë, i keqi është i tillë vetëm gabimisht në qoftë se i hiqet gabimi i tij, ai do të bëhet i mirë medoemos.” Kjo mënyrë për të arritur në një përfundim bie erë vegjëlie e cila në veprimet e këqia shikon vetëm pasojat e dhimbshme dhe në fakt gjykon: “Është marrëzi të veprosh keq". Ndërkohë pranon pa diskutim përputhjen e "mirë” dhe “e dobishme" dhe "e pëlqyeshme”. Mund të hamendësohet apriori se çdo utilitarizëm moral ka të njëjtën origjinë dhe të ecet sipas parandjenjës së vet: do të gabohet rrallë. 
Platoni ka bërë ç'është e mundur për të kapur në fjalën e mësuesit të tij diçka të stërhollë dhe të veçantë, mbi të gjitha vetveten,ai, më i guximshmi i të gjithë përkthyesve, që e mori nga rruga të gjithë Sokratin vetëm si një temë dhe si një këngë popullore, për ta ndryshuar
pa mbarim dhe sa nuk të besohet, domethënë në të gjitha maskat dhe larmishmëritë e tij. Ta themi me shaka, dhe për më tepër sipas mënyres së Homerit: 'çfarë është Sokrati platonik veç përpara Platoni, prapa Platoni dhe në mes Fantazia?