Saturday, March 14, 2020

Nexhib Mahfuz

Nga BBC dëgjova rreth përpjekjes për atentat të romancierit Nexhib Mahfuz, nobelistit të letërsisë. Duke dëgjuar lajmin, mendimet m’u ktyen tek librat e tij që kisha lexuar. U shtanga se si Nexhibi, megjithë zgjuarsinë e tij të dukshme, kishte mbetur injorant rreth së vërtetës - se realiteti e tejkalon imagjinatën dhe se përjetësia është më e madhe se kjo jetë kalimtare. Dhe mbi të gjitha, se parimet hyjnore janë më të rëndësishme dhe të larta se ato njerëzore.

Me fjalë të tjera, ai i shkroi veprat e tija nga imagjinata, duke përdorur aftësinë e tij të mrekullueshme për të vizualizuar, paraqitur dhe frymëzuar. Mirëpo, në fund ai nuk dha asgjë përveç se ngjarje të pabazuara në realitet. 

Pas leximit të jetëshkrimit të tij, nxora një përfundim të rëndësishëm: njeriu s'mund t’ia dalë duke gëzuar të tjerët në kurriz të lumturisë së tij. S’mund të quhet e drejtë, e ku më e shëndoshë, të kënaqësh të tjerët kur vetë je i mjeruar. 
Disa shkrimtarë kanë lavdëruar gjenitë, jo sepse arritën lumturi dhe paqe, por sepse e lejuan veten të digjen përbrenda për t’u sjellur ndriçim të tjerëve. Megjithatë, gjeniu i vërtetë në fillim ndriçohet përbrenda, e pastaj u tregon rrugën të tjerëve. Kështu, ai më parë ndërton 
themelin e udhërrëfimit dhe mirësisë për vete, e pastaj për të tjerët. 

Urtësitë hyjnore nuk do t’i gjeni në shkrimet e Nexhib Mahfuzit. Ajo që do të gjeni është një botë përfytyrimesh, vegimesh dhe përjetimesh; veprat e tij janë joshëse, ndaj edhe bëhen popullore e të suksesshme. 
Por ku janë qëllimet e larta dhe mesazhet fisnike që gjenden në veprat e mëdhaja? T’ju them të drejtën, këto nuk do i gjeni në librat e tij. 

Megjithatë, e shoh se Nexhib Mahfuzi e kuptoi atë që kishte për të bërë. Ai ndryshoi stilin e librave duke përcjellë mesazhe që rregullojnë veprimtarinë njerëzore mbi baza të urtësisë.

Gjithsesi, nuk mjafton që dikush të realizojë atë që do; ajo që kërkohet është realizimi i mirësive të përgjithshme. 

Dhe si përmbyllje, ç’përfitim do ketë njeriu nëse bëhet mbret ndërkohë që zemrën e ka të prishur dhe plot me të pavërteta? 
Nëse talenti dhe suksesi nuk shpiejnë në shpëtim dhe dobi, atëherë përse duhen ato?