Gjykimi dhe ndëshkimi moral janë hakmarrja e parapëlqyer e shpirtrave te kufizuara mbi ata që janë më pak të kufizuara, është pra një lloj shpagimi për faktin se kanë qenë pak të pajisur nga natyra dhe, më në fund, është një rast për të fituar shpirt dhe për t'u bërë të mprehtë: ligësia krijon karakter shpirtëror. Më në fund, zemrës së tyre u bën mirë fakti që të ketë një masë përpara së cilës edhe ata janë të barabartë me super të pajisurit me të mira dhe privilegje; ata luftojnë për "barazinë e të gjithëve përpara Zotit" dhe për këtë qëllim pothuajse kanë nevojë për besimin tek Zoti. Midis tyre gjenden kundërshtarët më të fuqishëm të ateizmit. Ai që do t'u thoshte atyre: "Një karakter i larte shpirtëror nuk mund të krahasohet me një ndershmëri dhe respektueshmëri çfarëdo të një qenieje njerëzore të pajisur edhe vetëm me ndjenjën morale" do t'i bënte të çmendeshin. Dhe unë do të ruhem për të mos e bërë një gjë të tillë. Më shumë dëshiroj t'u bëj qejfin duke
thënë që edhe një karakter i lartë shpirtëror mbahet në këmbë vetëm si prejardhje e fundit me cilësi morale; se është një përmbledhje e të
gjithë atyre rrethanave që i vishen qenies njerëzore “vetëm morale", pasi janë fituar veçanërisht me anë të një disipline dhe ushtrimi të gjatë, ndoshta për breza të tërë me radhë; se karakteri i lartë shpirtëror është pikërisht idealizimi i drejtësisë dhe i asaj rreptësie dashamirëse që dihet se është e ngarkuar për të mbajtur gjallë në botë rendin hierarkik midis vetë gjërave dhe jo vetëm midis qenieve njerëzore.