Thursday, March 19, 2020

Niçe 55

Të duash armiqtë e tu? Besoj se kjo është kuptuar mirë. Sot vërtetohet në një mijë mënyra, qoftë në përpjesëtim të vogël qoftë në përpjesëtim të madh, dhe nganjëherë madje ndodh edhe diçka më e lartë dhe më e madhërishme: ne mësojmë të përçmojmë, kur dashurojmë, dhe pikërisht kur parapëlqejmë. Por e gjitha kjo është e pavetëdijshme, pa zhurmë, pa bujë, me atë turp dhe atë fshehtësi të së mirës që pengon në gojë fjalën madhështore dhe shprehjen e virtytit.
Morali si qëndrim sot ndeshet me shijen tonë. Edhe ky është një hap përpara, ashtu siç qe hap përpara i stërgjyshërve tanë fakti që më në fund feja si qëndrim përplasej me shijen e tyre, përfshi armiqësinë dhe hidhërinë e Volterit kundër fesë (dhe me gjithçka që dikur bënte pjesë në gjuhën mimike të mendimtarëve të lirë). Është muzika e vetëdijes sonë, vallja e shpirtit tonë, me të cilën nuk përkon asnjë litani puritane, asnjë predikim moral dhe asnjë konformizëm.