Sunday, March 22, 2020

Niçe 62

Ndjenja historike (ose aftësia për të parandier menjëherë rendin hierarkik të vlerësimeve të vlerave, në bazë të të cilave ka jetuar një popull, një shoqëri, një qenie njerëzore, për të parandier "instinktin parashikues" për marrëdhëniet e vlerësimeve të tilla, për marrëdhënien midis pushtetit të vlerave dhe pushtetit të forcave vepruese), kjo ndjenjë historike, mbi të cilën ne evropianët lavdërojmë të drejtat sikur të ishte një veçori e jona, na ka ardhur si pasojë e gjysmëbarbarisë të magjishme dhe të marrë në të cilën është katapultuar Evropa me shumëllojshmërinë demokratike të klasave dhe të racave: vetëm
shekulli XIX e di një kuptim të tillë, sikur të qe gati një shqisë e tij e gjashtë. E kaluara në çdo formë dhe mënyrë jetese dhe kulture të cilat
dikur ndodheshin njëra pranë tjetrës dhe sipër tjetrës, në sajë të një përzierjeje të tillë vërshon në “shpirtrat tanë të kohës", instinktet tona
kthehen tani gjithmonë prapa në të gjitha drejtimet, dhe ne vetë jemi një lloj rrëmuje: dhe si përfundim, siç e kemi thënë, “shpirti" nxjerr
nga kjo përfitimin e vet. Me anë të gjysmëbarbarisë sonë në trup dhe në dëshira kemi hyrje të fshehta për çdo vendim të cilat nuk i ka pasur kurrë një epokë fisnike, mbi të gjitha hyrjet në labirintin e kulturave të papërfunduara dhe në çdo gjysmëbarbari që ka ekzistuar ndonjëherë mbi tokë; dhe duke qenë deri më sot pikërisht gjysmëbarbare pjesa më
e rëndësishme e qytetërimit të kohës, ndjenjë historike përafërsisht do të thotë ndjenjë dhe instinkt për çdo gjë, me pak fjalë për çdo dëshirë dhe të folur: me këtë gjë vërtetohet menjëherë një ndjenjë jofisnike. Për shembull, ne e pëlqejmë përsëri Homerin: ndoshta epërsia jonë më e madhe është se dimë të shijojmë Homerin, gjë që njerëzit me një kulturë
fisnike (për shembull francezët e shekullit XVII si Saint-Edmond' , i cili e qorton për shpirtgjerësi, dhe deri edhe jehona e shekullit, Volteri) nuk dinë dhe nuk kanë ditur ta bëjnë me aq lehtësi, dhe që as nuk kanë pasur guximin ta shijojnë. Po-ja dhe jo-ja shumë e prerë e gjuhës
se tyre, neveria e tyre e lehtë, kryeneçësia e tyre e lëkundur në lidhje me gjithçka që është e huaj, përbuzja e tyre për mungesën vetjake të dëshirës për kureshtjen e gjallë dhe sidomos për atë dëshirë të keqe, tipike për çdo kulturë fisnike dhe të mjaftueshme për vetveten, për
të pranuar lakmi të reja, pakënaqësia për atë që ka, adhurimin meqë është e huaj: të gjitha këto i bëjnë dhe i parapërgatisin të jenë kundër deri edhe ndaj gjërave më të mira të botës që nuk janë pronë e tyre ose që nuk mundën të bëheshin plaçka e tyre; dhe asnjë ndjenjë nuk
është më pak e kuptueshme për qenie të tilla njerëzore se sa pikërisht ndjenja historike dhe kureshtja e tij e verbër prej plebeu. 

Gjërat nuk qëndrojnë ndryshe as me Shekspirin, kjo përmbledhje e mahnitshme me shije hispaniko-arabo-saksone me të cilën një athinas i lashtësisë i rrethit të Eskilit do të kishte qeshur ose do të ishte nxehur me të sa
do të vdiste; ndërsa ne e pranojmë plotësisht këtë shumëllojshmëri të vrazhdë ngjyrash, këtë rrëmujë të gjërave më delikate, më të trasha
dhe të sajuara me një mirëbesim dhe përzemërsi të fshehtë, kënaqemi me të si me një stërhollim të artit të rezervuar pikërisht për ne dhe, duke bërë këtë gjë, nuk shqetësohemi nga kundërmimet e neveritshme dhe nga afërsia me harbutërinë angleze, mes së cilës jetojnë arti dhe shija e Shekspirit; kjo është sikur të ishim, për shembull, në Chiara të Napolit : atje ne shkojmë nëpër rrugën tonë me të gjitha ndjenjat tona, të shtangur dhe me dëshirë, sadoqë ndihet në ajër era e ujërave të zeza të lagjeve popullore. Në qeniet njerëzore me “ndjenjën historike", si të tillë, kemi virtytet tona, kjo nuk mund të mohohet: jemi pa pretendime, të painteresuar, kokulur, të guximshëm, plot me fitore mbi veten tonë,
plot me devotshmëri, shumë mirënjohës, shumë të durueshëm, shumë pajtues; megjithatë, ndoshta, nuk jemi shumë “me shije të mirë". 
Më në fund ta pranojmë: ajo që për ne njerëzit e “ndjenjës historike" është gjëja më e vështirë për të kuptuar, për të perceptuar, që nuk na lë shije në gojë dhe dashuri, që në fund na gjen të mënjanuar dhe pothuajse kundërshtarë, është pikërisht pjekuria e plotë dhe përfundimtare e çdo kulture dhe arti, fisnikëria e vërtetë me vepra dhe qenie njerëzore, çasti i tyre me det të qetë dhe me pavarësi dashamirëse, pamja e praruar dhe e ftohtë e të gjitha gjërave që janë kryer. Ndoshta virtyti ynë më i madh i ndjenjës historike qëndron në një kundërshti të nevojshme 'ndaj shijes së mirë', të paktën ndaj shijes më të mirë, dhe ne arrijmë të riprodhojmë tek ne vetëm me zor, duke ngurruar, pikërisht të detyruar, formulat e vogla të betimit dhe lumturitë më të mëdhaja dhe shpërfytyrimet e jetës njerëzore, të cilat shkëlqejnë me të madhe aty-këtu: çaste dhe
mrekulli në të cilat një forcë e madhe në mënyrë të vetvetishme ndalet përballë të pafundes dhe të pakufizuarës, në të cilat u shijua një bollëk i madh kënaqësish të holla në lidhjen dhe në ngurtësimin e papritur, në ndalimin dhe në përforcimin mbi një tokë që ende vazhdon të dridhet.
Ta pranojmë, masa është e huaj për ne: ngacmimi ynë është pikërisht ngacmimi i të pafundës, i të pakufizuarës. Ne, ne njerëzit modernë, ne giysmëbarbarët, përpara të pafundës lëshojmë frerët, ashtu si kalorësi i
një hamshori që turfullon për t'u turrur përpara dhe arrijmë lumturinë tonë vetëm atje ku jemi më në rrezik.