Wednesday, March 18, 2020

Niçe 50

Unë ngul këmbë që më në fund të mos ngatërrohen punëtorët e filozofisë dhe në përgjithësi njerëzit e shkencës me filozofët, sepse pikërisht në këtë fushë t'i jepet me saktësi “secilit të tijën" dhe jo tepër atyre, ndërsa këtyre tepër pak. Për edukimin e filozofit të vërtetë mund të jetë e nevojshme që ai të kalojë përmes të gjitha këtyre fazave në të
cilat ndalen shërbëtorët, shkencëtarët punëtorë të filozofisë, në të cilat kanë qenë të detyruar të ndalen; ai vetë ndoshta duhet të ketë qene dhe
kritik, dhe skeptik, dhe dogmatik, dhe historian dhe, përveç kësaj, poet dhe koleksionist, udhëtar dhe zgjidhës enigmash, dhe moralist e  "shpirt i lirë", dhe pothuajse gjithçka për të përshkuar rrethin e vlerave njerëzore dhe të ndjenjave me vlerë, për të qenë në gjendje për të vështruar, me shumë sy dhe shumë vetëdije, nga lart drejt çdo largësie, nga thellësia drejt çdo lartësie, nga skaji drejt çdo hapësire. 
Por të gjitha këto janë vetëm kushte paraprake të detyrës së tij: vetë kjo detyrë kërkon tjetrën, kërkon krijimin e vlerave. Ata punëtorë té filozofisë, sipas modelit të zgjedhur të Kantit dhe të Hegelit, duhet të vendosin dhe të mbajnë në formula njëfarë rasti të madh në fjale me vlerésime, domethënë me vlerësime të lashta të vlerave, të bëra tani mbizotëruese, dhe që për njëfarë periudhe quhen "e vërtetë", qoftë në mbretërinë e logjikës qoftë në atë të politikës (morale) ose të artit. Këtyre kërkuesve u takon të bëjnë të qartë, të kuptueshme, të prekshme, të përdorshme gjithë sa ka ndodhur dhe ka qenë vlerësuar deri më sot, të shkurtojnë çdo gjë të gjatë, edhe "kohën" dhe të pushtojnë gjithë të kaluarën: një detyrë e pafund dhe mahnitëse nën shërbimin e së cilës çdo krenari e hollë, çdo vullnet këmbëngulës me siguri do të ketë mundësi të gjejë kënaqësi. Megjithatë filozofët e vërtetë janë njerëz që urdhërojnë dhe bëjnë ligje; ata thonë: "Duhet të jetë kështu!", ata vendosin më parë ku dhe me ç'qëllim të qenieve njerëzore, duke caktuar radhën për punën paraprake të të gjithë punëtorëve të filozofisë, të të gjithë pushtuesve të së kaluarës; ata kapin tani me dorë krijuese të ardhmen, dhe gjithçka që është dhe që ishte u shërbën atyre dhe si mjet, dhe si vegël, dhe si çekan. 
"Njohja" e tyre është të krijojnë, krijimi i tyre është të bëjnë ligje, vullneti i tyre për të vërtetën është vullnet për pushtet. A ka sot filozofë të tillë? A ka pasur vallë filozofë të tillë? A duhet të ketë filozofë të tillë?...