Wednesday, March 25, 2020

Niçe 65


Të më falet që kam zbuluar se deri sot çdo filozofi morale ishte e mërzitshme dhe futej në radhën e ilaçeve gjumëndjellëse, dhe se në shikimin tim asgjë nuk e ka dëmtuar më shumë "virtytin" se sa kjo mërzi e mbështetësve të saj; me këtë ende nuk kam ndër mend të mos e njoh dobinë e përgjithshme të saj. Është mjaft e rëndësishme që të jenë shumë të pakta qeniet njerëzore që mendojnë për moralin, si pasojë është shumë e rëndësishme që morali një ditë të mos bëhet interesant! Por të mos shqetësohemi! Gjërat janë edhe sot siç kanë qenë gjithmonë: unë nuk shikoj asnjë njeri në Evropë që të ketë idenë (ose të pranojë) se të mendosh për moralin mund të ndodhë të bëhet në mënyrë të rrezikshme, të ndërlikuar, joshëse, që mund të jetë një prapësi!
Për shembull, të vërehen utilitaristët e palodhshëm e të pashmangshëm anglezë të cilët, me ngathtësi dhe përnderim, shkojnë dhe vijnë mbi gjurmët e Jeremi Benthamit (një krahasim homerik do ta shprehte më mirë), po ashtu si ai vet endej mbi gjurmët e të nderuarit Helvetius (jo, nuk ishte një njeri i rrezikshëm ai Helvetiusi, ky senator Pococurante, siç e quan Galiani). Asnjë ide e re, asnjë ndryshim i hollë ose drejtim i ndonjë mendimi të lashtë, as edhe një histori e vërtetë për atë që është menduar
dikur: një letërsi globalisht e pamundur, meqenëse nuk dinë ta thartojne me ndonjë ligësi. Edhe tek këta moralistë, në të vërtetë (në rast se duhet ti lexoni, doemos që lexohen me qëllime të fshehta), është futur ngadalë-ngadalë ai vesi i vjetër anglez që quhet Cant dhe është tartafizmi moral, kësaj here i fshehur nën formën e re të karakterit shkencor; nuk mungon
as edhe një mospranim i fshehtë i brerjeve të ndërgjegjes, nga të cilat, pavarësisht çfarëdo përçapjeje shkencore drejt moralit, do të vuajë në mënyrë të pashmangshme raca e ish-puritanëve. (A nuk është vallë një moralist e kundërta e një puritani? Si një mendimtar që e merr moralin si të pasigurt, të denjë për pikëpyetje, me një fjalë si problem? A nuk duhet
të jetë e pamoralshme të moralizosh?) Së fundi, të gjithë duan që t’u jepet e drejtë parimeve morale angleze, në masën në të cilën ato i vlejnë më mirë njerëzimit, ose “dobisë kolektive", ose "lumturisë së shumicës", jo: fatit
të Anglisë! Ata do të dëshironin t’i vërtetonin vetvetes, me të gjitha forcat, se të synosh drejt lumturisë angleze, dua të them drejt comfort dhe fashion (dhe, mbi të gjitha, drejt një karrigeje në parlament), është në të njëjtën kohë rruga e duhur drejt virtytit, madje, se i gjithë virtyti deri më sot në botë është forcuar pikërisht në një tension të tillë. Asnjë nga të gjitha këto kafshë të ngadalshme të tufës me ndërgjegje të qetë (të cilat bëhen gati ta trajtojnë çështjen e egoizmit si çështje të mirëqenies së përbashkët) nuk dëshiron të dijë diçka për të dhe të nuhasë që “mirëqenia e përgjithshme" nuk është një ideal, një synim, një koncept në njëfarë mënyre i kapshëm, por vetëm një gjë që shkakton të vjellët: ajo që për njërin është e drejtë, nuk mund aspak të jetë për tjetrin, se nevoja për një moral të vetëm për të gjithë është pikërisht dëmi i qenies njerëzore më të lartë, se ka një hierarki midis një qenieje njerëzore dhe tjetrës dhe pra për pasojë edhe midis një morali dhe tjetri. Këta anglezë utilitaristë janë pothuajse një lloj i qenies
njerëzore të thjeshtë dhe kryesisht të rëndomtë, dhe, siç është thënë, në masën në të cilën janë të përzitshëm nuk mund të kesh një koncept mjaft të lartë për dobishmërinë e tyre. Atyre u duhet dhënë zemër, ashtu siç është përpjekur pjesërisht të bëjnë me rimat e mëposhtme.

"Tungjatjeta ju, karrocierë të guximshëm,
gjithmonë "sa më fjalëshumë, aq më mirë",
gjithmonë më kokëfortë dhe më gjunjëfortë,
pa entuziazëm, pa lodra,
mediokër të pathyeshëm,
pa prirje dhe pa shpirt."