Sunday, March 29, 2020

Niçe 72

Në asnjë epokë seksi i dobët nuk është trajtuar me kujdesin me të cilin trajtohet sot nga ana e burrave; kjo është pjesë e prirjes dhe e modës themelore të demokracisë, po ashtu siç është mungesa e respektit për pleqërinë: a ka për tu habitur që menjëherë është tepruar me një respekt të tillë? Ajo do më shumë, mësohet për të kërkuar, më në fund i duket pothuajse fyes ai detyrim vëmendjeje, dhe do të pëlqente të matej, madje edhe të luftonte, për të drejtat: në fund të fundit, gruas i pëlcet cipa. Menjëherë shtojmë se ajo humbet edhe kënaqësinë, harron t'i trembet burrit, por gruaja që “harron të trembet", heq dorë nga instinktet e saj më femërore. Fakti që gruaja guxon të ecë përpara kur elementi që tek burri ngjall frikë, ose më mirë, kur njeriu tek burri nuk është më i dashur dhe i edukuar, është mjaft i qartë dhe edhe i kuptueshëm; ajo që përkundrazi është më e vështirë për të kuptuar është fakti që me këtë gjë gruaja prishet. Kjo ndodh sot: të mos kemi iluzione për këtë gjë! Atje ku shpirti i industrisë ka mposhtur shpirtin ushtarak dhe aristokratik, gruaja synon pavarësinë ekonomike dhe juridike të një tregtari: "gruaja në rolin e një tregtari" është në pragun e derës së shoqërisë moderne në krijim e sipër. Ndërsa në ate mënyrë bën të vetat të drejtat e reja dhe synon të bëhet "pronare ndërsa në flamurët dhe flamurtarkat e saj shkruan “përparimi" i gruas, me një qartësi të frikshme ndodh e kundërta: gruaja bën prapa. 

Që nga epoka e Revolucionit Francez, në Evropë ndikimi i gruas është zvogëluar në çastin kur janë shtuar të drejtat e saj dhe kërkesat e saj; ndërsa "emancipimi i gruas", në masën në të cilën kërkohet dhe përkrahet nga vetë gruaja (dhe jo vetëm nga burrat e përciptë), rezulton për rrjedhim një pasojë e veçantë e dobësimit në rritje dhe e mpirjes së instinkteve më femërore. Në këtë lëvizje ka marrëzi, një marrëzi gati mashkullore, për të cilën një grua e suksesshme (që është gjithmonë një grua e zgjuar), si parim, duhej të turpërohej. Të humbasësh ndjenjën e vendit në të cilin arrihet fitorja me sigurinë më të madhe, të lësh pas dore të ushtruarit në mjeshtërinë tënde të veçantë të armëve, ta lejosh vetë që burri të paraprijë, ndoshta madje duke arritur "tek libri",
kur më parë kontrollohej me edukimin dhe me një përulësi të hollë dhe të shkathët; të luftosh me mendjemadhësi mjeshtërore besimin e burrit në një ideal krejtësisht të ndryshëm të fshehur tek gruaja, në njëfarë karakteri femëror të përjetshëm dhe të nevojshëm; të bindësh shprehimisht dhe me një rrëke fjalësh burrin që gruaja nuk mbahet, shikohet, mbrohet dhe trajtohet me kujdes si një kafshë shtëpiake e
brishtë; në mënyrë të mrekullueshme e egër dhe shpesh e këndshme; të kërkosh, me sjellje të vrazhdë dhe me inat, elementët e skllavërisë
dhe të robërisë që kishte dhe vazhdon të ketë në vetvete pozita e gruas në rendin e sotëm shoqëror (sikur skllavëria të ishte një arsye kundërshtare e çdo qytetërimi të lartë dhe jo më shumë një kusht i tij : Çfarë do të thotë e gjithë kjo përveç një copëzimi të instinktit femëror, një humbje e natyrës femërore?

Natyrisht, midis gomerëve të ditur të seksit mashkullor gjenden mjaft miq kokëtrashë të grave dhe punëprishës të tyre, të cilët e këshillojnë gruan të heqë dorë në këtë mënyrë nga natyra femërore dhe të shkëmbejë të gjitha marrëzitë me të cilat është sëmurur "burri" evropian, "natyra mashkullore" evropiane; këta do të kishin dëshirë ta ulnin gruan deri tek "kultura e përgjithshme", madje për të lexuar gazetën dhe për të bërë politikë.
Madje aty-këtu duan t'i shndërrojnë gratë në shpirtra të lirë dhe në letrare: sikur një grua pa nderim për fenë të mos ishte diçka plotësisht e neveritshme apo qesharake për një burrë të thellë dhe ateist; pothuajse kudo atyre u shkatërrohen nervat me muzikën më të sëmurë dhe më të rrezikshme që gjendet (muzika jonë e re gjermane) dhe i bën dita ditës më histerike dhe më të pazonja për të përmbushur detyrën e tyre të parë dhe të fundit: detyrën e lindjes së fëmijëve të fuqishëm. Atyre u duhet mbi të gjitha "të lërojnë" më shumë dhe, siç është zakon të thuhet, ta forcojnë “seksin e dobët" me kulturën: sikur historia të na mësonte në mënyrën më të gjallë të mundshme se "ta lërosh" qënien njerëzore dhe ta dobësosh (ta dobësosh me të, ta copëzosh dhe ta bësh, pra, të sëmuret forca e vullnet) nuk kanë ecur gjithmonë me hap të njëjtë dhe sikur gratë më të fuqishme dhe më ndikuese të botës (nuk është e fundit nëna e Napoleonit) të mos ia detyronin pushtetin e tyre dhe epërsinë e tyre mbi burrat pikërisht forcës së tyre të vullnetit dhe jo mësuesve të shkollës! 

Ajo gjë që tek gruaja ngjall respekt, dhe mjaft shpesh frikë, është natyra e saj, e cila është “më e natyrshme" se ajo e burrit: shkathtësia e saj e vërtetë, shtazarake dhe dinake, kthetrat e saj prej tigri poshtë dorezave, çiltërsia e saj në egoizëm, paedukatshmëria e saj dhe egërsia e saj e brendshme; pakapshmëria, shtirja, endjen e dëshirave të saj dhe të virtyteve të saj... Ajo gjë që, me gjithë frikën, ngjall dhembshuri për këtë mace “grua" të bukur dhe të rrezikshme, është se duket më e vuajtur, më e cënueshme, më nevojtare për dashuri dhe më të dënuar nga zhgënjimet se çfarëdo kafshë tjetër. 

Frikë dhe dhembshuri: ja ndjenjat me të cilat burri ka vështruar deri më sot gruan, gjithmonë me një këmbë brenda në tragjedinë e cila, ndërkohë që të magjeps, të bren. Si? Dhe e gjitha kjo po merr fund? Po mos vallë do të
bëhej zgjidhja e magjisë së gruas? Mos po vërtetohej shndërrimi i gruas në krijesë të mërzitshme? O Evropë, o Evropë! Është e njohur kafsha me brirë që për ty ka qenë gjithmonë më tërheqës, nga rreziku i së cilës gjithmonë je kërcënuar! Përralla jote e lashtë mund të shndërrohej edhe një herë në “histori" : edhe një herë mund të merrte pushtet mbi ty një marrëzi e përbindshme dhe mund të të largonte! 
Dhe poshtë saj nuk do të kishte asnjë zot, jo! Vetëm një “ide", një “ide të kohës"!

Niçe