Qoftë hedonizmi, qoftë pesimizmi, qoftë utilitarizmi, qoftë eudemonizmi, të gjitha këto mënyra të menduari që masin vlerën e gjërave në bazë të kënaqësisë dhe të vuajtjes, domethënë sipas gjendjesh bashkëshoqëruese dhe faktesh anësorë, janë mënyra mendimi dhe
thjeshtësie të përcipta, të cilat kushdo që është i vetëdijshëm për forcat strukturalizuese dhe me një ndërgjegje artisti do t'i vështrojë jo pa ironi dhe as pa dhembshuri. Dhembshuri për ju! Natyrisht, kjo nuk është dhembshuri si e kuptoni ju: nuk është dhembshuri për "varfërinë
shoqërore" për "shoqërinë" dhe për të sëmurët dhe të plagosurit, për të parregulltit dhe të këputurit e saj qysh nga fillimi që ndodhen mbi tokë përrëth nesh; akoma më pak është dhembshuri shtresash shoqërore me skllevër që pëshpërisin, të shtypur, kryengritës, të cilët synojnë principatën që e quajnë "liri". Dhembshuria jonë është një dhembshuri e lartë largpamëse: ne shikojmë se si zvogëlohet qenia njerezore, si e zvogëloni ju! Dhe ka çaste në të cilat jemi të pranishëm në dhembshurinë tuaj me një ankth të papërshkrueshëm, kur ne ngrejmë krye kundër kësaj dhembshurie, në të cilën gjejmë seriozitetin tuaj më të rrezikshëm se çfarëdo mendjelehtësie tjetër. Në qoftë se është e mundur, ju doni (dhe nuk ka “në qoftë se është e mundur" më të marrë) të zhdukni vuajtjen.
Po ne? Duket pikërisht që ne të parapëlqejmë ta kemi edhe më të thellë dhe të tmerrshme ca nuk ka qenë kurrë! Mirëqenia, siç e kuptoni ju, nuk është një qëllim, neve na duhet një 'mbarim' ! Një kusht që i bën qeniet njerëzore me shpejtësi qesharake dhe të përçmuara, që me këtë bën të dëshirueshëm shkatërrimin!
Edukimi i vuajtjes, i vuajtjes 'sënadhe': a nuk e dini që ka qenë vetëm 'ky' edukim që u dha shkas deri më sot të gjitha lartësimeve njerëzore? Çdo tension i shpirtit në fatkeqësi, që të bën të nxitësh forcën, rrëqethja pèrpara pamjes së gërmadhës së madhe, fantazia dhe guximi në durimin, përballimin, interpretimin, shfrytëzimin e fatkeqësisë dhe sa i është lejuar për thellësinë, fshehtësinë, maskën, shpirtin, dinakërinë, madhështinë: kjo nuk i është lejuar përmes vuajtjeve, nën formën edukative të dhimbjes së madhe? Tek qenia njerëzorë janë ribashkuar krijesa dhe krijuesi; tek qenia njerëzore gjen lëndë, copëz, bollëk të madh, baltë, llum, marrëzi, rrëmujë; por tek qenia njerëzore gjen edhe krijuesin, skulptorin, ashpërsinë e çekanit, natyrën hyjnore të shikuesit dhe ditën e shtatë: e kuptoni këtë antitezë? Po faktin që dhembshuria juaj të rishikojë “krijesën e tanishme tek qenia njerëzore", atë që duhet të thyhet, të shkrihet, të griset, të digjet, të përvëlohet, të pastrohet, atë
që patjetër duhet të vuajë dhe është me vend që të vuajë? Po dhembshuria jonë, nuk e kuptoni kujt i drejtohet dhembshuria jonë e kundërt kur ngre krye kundër dhembshurisë suaj njësoj si kundër më të keqes nga të gjitha zakonet e këqia dhe dobësitë? Pra dhembshuri kundër dhembshurisë? Por, për ta thënë edhe një herë tjetër, ka probleme që dalin mbi çfarëdo problemi të kënaqësisë, të vuajtjes dhe të dhembshurisë; dhe çdo filozofi që mbështetet vetëm mbi ato është papjekuri.