Kam dëgjuar, përsëri për herë të parë, 'uverturën' e “Mjeshtrave këngëtarë" të Rikard Vagnerit: një art i mrekullueshëm, i mbingarkuar, i rëndë dhe i vonuar, i cili ka krenarinë të marrë me mend nëpërmjet përmbajtjes së vet dy shekuj të tjerë jetë muzikore; u bën nder gjermanëve që një krenari e tillë nuk është gabuar në llogari! Çfarë esencash dhe forcash, çfarë stinësh dhe zonash "hyjnore" nuk janë përzier këtu! Herë na frymëzon një ndjenjë lashtësie, herë e huaj; e papjekur dhe tepër e re, ajo është sa arbitrare aq edhe në mënyrë të fryrë tradicionale, dhe më shpesh e ashpër dhe trashanike; ka zjarr dhe guxim dhe në të njëjtën kohë lëvorja e fishkur dhe e shpëlarë e frutave të pjekura tepër vonë. Ajo rrjedh e gjerë dhe e plotë: papritur një çast ngurrimi i pashpjegueshëm, pothuajse një zbrazëtirë që hapet.midis shkakut dhe pasojës, një shtypje që na shtyn të ëndërrojmë, gati një makth; por përsëri shpaloset dhe përhapet rrjedha e lashtë e kënaqësisë, e kënaqësisë më të larmishme, me lumturi të lashtë e të re, që përfshin gjerësisht lumturinë e artistit për vetveten, dhe që.ai nuk dëshiron ta fshehë, vetëdijën e tij të lumtur e të habitur dhe mjeshtërinë e mjeteve të përdorura këtu, të fituara para pak kohësh te paprovuara, që, siç duket, kështu na shfaqet. Si përfundim, asnjë bukuri, asnjë vend jugor, asnjë kthjelltësi e kulluar jugore e qiellit, asnjë hijeshi, asnjë vallëzim, pothuajse asnjë dëshirë për arsyetim;
perkundrazi, njëfarë ngathtësie e cila edhe theksohet sikur artisti të.kishte ndër mend të na thoshte: “Është pjesë e qëllimeve të mia"; një pispillosje e rëndë, dicka si barbare dhe madhështore me dashje, një pershkënditje ojnash dhe spitullimesh erudite dhe të nderueshme; diçka si gjermane në kuptimin më të keq dhe më të mirë të fjalës, dicka të larmishme, të paformë dhe të pashtershme në mënyrën gjermane: njëfarë bollëku dhe fuqie gjermane e shpirtit i cili nuk ka frikë të fshihet nën stërhollimet e periudhës së rënies dhe që ndoshta atje e ndien veten më mirë; një shenjë plotësisht e vërtetë e shpirtit gjerman i cili është në të njëjtën kohë i ri dhe shumë i vjetër, më shumë se sa i plogësht dhe shumë i pasur me të ardhme. Kjo lloj muzike shpreh më mirë atë që unë mendoj për gjermanët: ata janë të së pardjeshmes dhe të së pasnesërmes, ata ende nuk kanë një të sotme.
Niçe