Virtytet tona? Ka të ngjarë që edhe ne vazhdojmë të kemi virtytet tona, edhe pse ndoshta nuk do të jenë ato virtyte të pafajshme
dhe hijerënda për të cilat i vlerësojmë me nderim, por edhe pak në largësi, të parët tanë. Ne evropianët e së pasnesërmes, ne prodhimet e hershme të shekullit XX, me të gjitha kureshtjet tona të rrezikshme, me shumëllojshmërinë tonë dhe artin e maskimit, me të gjithë mizorinë tonë të kalbur dhe në të njëjtën kohë të zbutur të shpirtit dhe ndjenjave, ka të ngjarë, në qoftë se do të na duhej të kishim ca virtyte, do të kishim vetëm ato që janë mësuar të pajtohen me prirjet tona më të fshehta dhe më të brendshme, me nevojat tona
më të gjalla. Hajt tani, t'i kërkojmë në labirintet tona! Por më pas, siç është e njohur, shumë gjëra gabojnë rrugë, shumë të tjera humbasin
krejtësisht. Po a ka diçka më të bukur që të kërkojë virtytet e veta? Mos do të thotë pothuajse të besosh në virtytet e veta? Po kjo "të besosh në virtytet e veta", në fund të fundit, a nuk është po ajo gjë që dikur quhej “ndërgjegja e pastër", tek aigërshet i nderuar konceptesh me bishtalec të gjatë që të parët tanë lidhnin prapa kokës dhe shpesh edhe prapa arsyes? Në bazë të kësaj del, sado pak që mund të quhet të vjetëruar dhe të respektueshëm sipas mënyrës së të parëve, se të paktën në një gjë jemi nipërit e tyre të denjë, ne evropianët e fundit me ndergjegje të pastër: edhe ne e kemi gërshetin e tyre. Ah! Sikur ta dinit sa shpejt, sa shpejt më në fund, gjërat do të ishin ndryshe!