Psikologët e Francës (po në cilin vend tjetër gjenden ende psikologë?) vazhdojnë ende ta marrin kënaqësinë e tyre të hidhur dhe të larmishme nga budallallëk borgjez sikur... e lëmë me kaq, me këtë gjë tradhtojnë diçka. Për shembull, Flober, qytetari i guximshëm i Ruenit, në fund nuk pa, nuk dëgjoi dhe nuk shijoi më asgjë tjetër: ishte sistemi i tij i vetëtorturimit dhe lloji i tij i mizorisë së hollë. Tani, për të ndryshuar (meqenëse kjo gjë po bëhet e mërzitshme) unë këshilloj një mënyrë tjetër për të ngelur gojëhapur: dinakëria e pavetëdijshme
me të cilën të gjithë shpirtrat e mirë, të dobishëm, të guximshëm të mediokritetit vihen në lidhje me shpirtrat më të lartë dhe me detyrat e tyre; ajo dinakëri e hollë, e ngatërruar, jezuite që është një mijë herë më e hollë se arsyeja dhe shija e kësaj klase mesatare në çastet e saj më të mira, madje edhe më shumë se intelekti i viktimave të tij: një provë e përsëritur e faktit që, midis të gjitha llojeve të inteligjencës të zbuluara deri më sot, "instinkti" është ai më inteligjenti. Me një fjalë, ju psikologët studioni filozofinë e "rregullit" në luftë me "përjashtimin": ajo përbën një dramë të denjë të idhujve imagjinarë dhe të një ligësie hyjnore e shpikur nga njeriu! Ose, për të folur edhe më qartë, operojeni “njeriun e mirë", njeriun...bonae voluntatis….tek vetja juaj!