"Koha e mirë" e lashtë ka ikur, kënga e saj e fundit mbaroi me Moxartin; sa me fat jemi ne që stili i saj rokoko vazhdon ende të na flasë që “shoqëria e mirë" e tij, dalldisja e tij delikate, dëshira e tij fëminore për çikërrima dhe për lulka, mirësjellja e tij e përzemërt, kërkesa e tij për atë që është e brishtë, e dashuruar, vallëzuese, e lumtur deri në lot, besimi i saj tek jugu ende mund t'i bëjnë thirrje ndonjë mbeturine që gjendet tek ne! Ah, një ditë e gjitha kjo do të marrë fund; por kush mund të dyshojë që aftësia për të kuptuar dhe shijuar Bethovenin nuk do të marrë fund edhe më shpejt? Ai që vetëm përfundimi i një kalimi dhe i një thyerjeje të stilit dhe jo, si Moxarti, përfundimi i një shijeje të madhe evropiane që zgjati me shekuj. Betoveni është ngjarja e ndërmjetme midis një shpirti të lashtë të kalbur, i cili shkatërrohet vazhdimisht, dhe një shpirti të ardhshëm shumë të ri, i cili është në ardhje të vazhdueshme; mbi muzikën e tij flatron ajo dritë e vagëlluar e humbjes së përjetshme dhe e shpresës së përjetshme endacake, vetë drita në të cilën mbytej Evropa kur ëndërronte me Rusonë, kur vallëzonte përreth pemës së lirisë të revolucionit dhe kur më në fund gati adhuronte Napoleonin. Por me sa shpejtësi i del boja tani pikërisht kësaj ndjenje, sa e vështirë është sot vetëdija për një ndjenjë të tillë; sa e çuditshme tingëllon në veshët tanë gjuha e Rusoit, Shilerit, Shellit, Bajronit; fati i Evropës kishte gjetur tek të gjithë ata rrugën për t'u shprehur, vetë fatin që tek Betoveni arrinte të këndonte! Ajo që erdhi më pas nga muzika gjermane i përket romantizmit, domethënë, nga pikëpamja historike, një lëvizjeje edhe më të shkurtër, më fluturake dhe më të përciptë se sa kishte qenë ajo intermexo e madhe, ajo fazë kalimtare e Evropës nga Rusoi tek Napoleoni dhe në lindjen e demokracisë.
Weberi: po çfarë janë për ne sot "Gjahtari i lirë" dhe "Oberoni"? Ose “Hans Heiling" dhe "Vampiri" të Marschnerit? Apo deri edhe "Tannhauser" i Wagnerit? Është muzikë e zhdukur, megjithëse jo ende e harruar. Përveç kësaj, e gjithë kjo muzikë romantike nuk ishte sa duhet e hollë, nuk ishte sa duhet muzikë që të mund të pranohej edhe në vende të ndryshme nga teatri dhe përpara turmës; që nga fillimi ajo qe një muzikë e dorës së dytë : pak e vlerësuar midis muzikantëve të vërtetë. Ndryshon puna me Felix Mendelsonin, me këtë mjeshtër këngëtar i cili u nderua me shpejtësi dhe gjithashtu po me shpejtësi u harrua për shkak të shpirtit të tij më të lehtë, më të pastër, më të talentuar: ai qe intermexoja më e bukur e muzikës gjermane. Ndërsa përsa i takon Robert Shumanit, i cili e merrte me gjithë mend muzikën dhe që ai vetë, që nga fillimi, u mor gjithashtu me gjithë mend (është i fundit që themeloi një shkollë): a nuk vlerësohet sot fat, një frymëmarrje lehtësuese, një çlirim që pikërisht ky romanticizëm i Shumanit është tejkaluar? Shumani, i strehuar në "Zvicrën saksione" nga shpirti i tij, është gjysmë Verter dhe gjysmë Jean Paul, por sigurisht jo Betoven! Sigurisht jo Bajron! Muzika e operës së tij “Manfred" është një marrëzi dhe një keqkuptim
deri në padrejtësi. Shumani me shijen e tij, e cila në fund të fundit ishte një shije fëmije (domethënë një prirje e rrezikshme, dyfish e rrezikshme midis gjermanëve, ndaj lirikës së heshtur dhe ndaj dehjes së ndjenjës), gjithmonë duke ecur anash, duke u shpërndarë dhe duke u tërhequr me druajtje, një fisnik i sjellshëm që lundronte në lumturi dhe dhimbje plotësisht të paemër, një lloj vajze dhe noli me tangere që nga fillimi, ky Shuman ishte tashmë vetëm një ngjarje muzikore gjermane, jo më evropian siç ishte Betoveni, siç ka qenë në një masë edhe më të gjerë Moxarti: me atë muzika gjermane u kërcënua nga rreziku i saj më i madh, ai i humbjes së zërit të shpirtit evropian dhe të katandisej për të qenë një zë i thjeshtë atdhetar.
Niçe