Sunday, March 29, 2020

Niçe 71

Të përdhosësh problemin themelor "burrë dhe grua", të mohosh ketu antagonizmin më të thellë dhe nevojën e një tendosjeje të perjetshme armiqësore, të ëndërrosh këtu ndoshta të drejta të barabarta, edukim të barabartë, kërkesa dhe detyra të barabarta është një shenjë tipike cektësie dhe një mendimtar që është treguar i përciptë në këtë pikë të rrezikshme (i përciptë në instinkt!) në përgjithësi mund e mendohet i dyshimtë, madje, mund të tradhtojë veten, mund të zbulojë veten. Ka të ngjarë që do të jete tepër “i kufizuar" për të gjitha çështjet themelore të jetës, edhe të jetës së ardhshme, dhe nuk do të arrijë të zbresë në asnjë thellësi. Përkundrazi, një njeri i thellë, si në shpirt ashtu dhe në dëshira, i thellë edhe në dashamirësinë që është e aftë për rreptësi dhe ashpërsi dhe me lehtësi ngatërrohet me to, për gruan arrin të mendojë gjithmonë vetëm në mënyrë orientale: është i detyruar ta kuptojë gruan si një pronë, si një plaçkë që mund të mbyllet me çelës, si diçka të paracaktuar për të shërbyer dhe se me atë ajo bëhet e plotë; është i detyruar, në këtë rast, të mbështetet në dijeninë e pafund aziatike, në epërsinë e instinktit aziatik, ashtu siç bënë dikur grekët, trashëgimtarët dhe nxënësit më të mirë të Azisë. Ata, siç është e ditur, nga Homeri deri në kohët e Perikliut, me shtimin e kulturës dhe të shtrirjes së fuqisë së tyre, hap pas hapi, u bënë edhe më të ashpër ndaj gruas, me një fjalë, më orientalë. Secili të mendojë për hesap të vet sa e nevojshme, sa e arsyeshme, madje sa nga ana njerëzore ishte e dëshirueshme kjo gjë!