Monday, March 30, 2020

Niçe 75

Le të quhet pra “qytetërim" ose "njerëzimim" ose "përparim" kjo gjë në të cilën tani kërkohet ajo që i dallon evropianët; ajo të përkufizohet thjesht me një formulë politike, pa e lëvduar dhe pa e qortuar, lëvizja demokratike evropiane; prapa çdo plani të parë moral dhe politik, i cili përmendet me formula të ngjashme, ndodh një proces fiziologjik i pafund që merrte rrugë gjithnjë e më shumë: procesi i një barazimi të evropianëve, shkëputja e tyre në rritje nga kushtet nën të cilat formohen racat e lidhura me klimën dhe me klasat, pavarësia e tyre në rritje nga ai mjedis i caktuar, të cilin do të dëshironte në rrjedhën e shekujve të brendashkruante në trup dhe në shpirt me kërkesa të barabarta, pastaj ngjitja e ngadaltë e një lloji të qenies njerëzore në thelb mbikombëtare dhe nomade që duke folur nga ana fiziologjike, ka një karakteristikë kryesore të sajën, një aftësi shumë të madhe dhe forcë përshtatjeje. Në këtë proces të evropianëve që do të bëhen, proces i cili mund të vonohet në ritmin e tij nga kthime prapa, por që ndoshta pikërisht për këtë fiton rull dhe thellësi dhe rritet, bën pjesë lëvizja e "ndjenjës kombëtare" ende të jombizotëruese "Sturm und Drang", njëlloj si anarkizmi i formuar kohët e fundit: ka të ngjarë që ky proces të synojë për përfundime mbi të cilat përkrahësit dhe lavdëruesit e tij naivë, apostujt e "ideve moderne", do të dëshironin të mbështeteshin sa më pak të ishte e mundur. Po ato kushte të reja, nën të cilat do të formohet afërsisht një rrafshim dhe mediokritetizim i qenies njerëzore (një qenie njerëzore e dobishme, punëdashëse, me zakone të larmishme dhe një kafshë e zellshme e kopesë), janë shumë të përshtatshme për t'u dhënë shkas njerëzve të jashtëzakonshëm, të llojit më të rrezikshëm dhe tërheqës. Ndërsa në të vërtetë çfarëdo aftësi përshtatjeje që provon
gjithmonë kushte të ndërrueshme dhe që në çdo brez, pothuajse në çdo dhjetëvjeçar, fillon një veprimtari të re, e bën gati të pamundur fuqinë e llojit; ndërsa përshtypja e përgjithshme, për evropianë të tillë të së ardhmes, ka të ngjarë që do të jetë ajo e punëtorëve të shumëllojshëm, fjalamanë, pak të vullnetshëm dhe jashtëzakonisht të gjithanshëm, të cilët kanë nevojë për pronarin, për atë që urdhëron, si për bukën e përditshme, ndërsa, siç thamë, demokratizimi i Evropės synon në krijimin e një lloji të përgatitur në kuptimin më të hollë për skllavërinë, në raste të veçanta të jashtëzakonshme qenia njerëzore e fortë do të duhet të bëhet më e fortë dhe më e pasur se ajo që ndosha nuk ka jetuar kurrë deri më sot: të gjitha këto në sajë të mungeses së paragiykimeve të edukimit të tij, në sajë të shumanshmërisë së pafund të veprimit, të artit dhe të maskës. Unë doja të thosha se demokratizimi i Evropës është në të njëjtën kohë një organizim i padëshirueshëm për
rritjen e tiranëve, duke e marrë fjalën në të gjitha kuptimet e saj, edhe shpirtërore.

Niçe