Tuesday, March 17, 2020

Niçe 49

Pra, meqë ndonjë pjesë në përfytyrimin e filozofëve të së ardhmes tẽ bên të hamendësosh që duhet të jenë skeptikë, në kuptimin që kemi përmendur tani së fundi, me këtë do të kujtohej vetëm një karakteristikë e tyre, dhe jo ata vetë. Me të njëjtën të drejtë do të mund të bëja që të më kërkonin kritikët, dhe me siguri ata do të bëhen njerëz të eksperimenteve. Përmes emrit me të cilin kam guxuar t'i pagëzoj, kam nënvizuar në mënyrë të qartë eksperimentimin dhe kënaqësinë
e eksperimentimit; kjo i detyrohet faktit që, si kritikë në trup dhe në shpirt, ata mos vallë duan ta përdorin eksperimentimin në një kuptim
të ri, ndoshta më të gjerë, ndoshta më të rrezikshëm? Në pasionin e tyre për njohjen mos vallë ata duhet të vazhdojnë me përpjekje më
të çmendura dhe më të dhimbshme se ato të pranueshme për shijen e zhburrnuar të një shekulli demokratik? Nuk ka dyshim, këta njerëz
të ardhshëm nuk do të mund të bëjnë pa ato karakteristika të ashpra dhe jo të parrezikshme që i dallojnë kritikët nga skeptikët: dua të them sigurinë e masave të vlerave, zbatimin e vetëdijshëm të një njësie metode, guximin e zgjuar, aftësinë për të qëndruar të vetëm dhe për të qenë të përgjegjshëm! Po, ata dallojnë në vetvete një kënaqësi për të thënë jo dhe të copëtojnë dhe njëfarë mizorie me mend në kokë që di të përdorë thikën me siguri dhe shkathtësi edhe në qoftë se zemra pikon
gjak. Do të jenë më të ashpër (dhe ndoshta jo gjithmonë vetëm kundër vetvetes) se sa nuk do të donin të ishin individë njerëzorë; ata nuk do
ta ushtrojnë “të vërtetën" sepse “u pëlqen" atyre apo i "lartëson" apo i "ngazëllen"; do të jetë shumë më i kufizuar besimi i tyre në faktin që "e vërteta" të sjellë kënaqësi të tilla për ndjenjën. Ata shpirtra të vrazhda do të buzëqeshin në qoftë se ndonjëri përpara tyre thotë: “Ai mendim më ngre lart dhe si mund të mos jetë i vërtetë?" Ose.: "Ajo veper më ngazëllen, si mund të mos jetë e bukur?" Ose: “Ai artist më çon peshë, si mund të mos jetë i madh?" Ndoshta ata nuk kanë vetëm një buzëqeshje, por një neveri të vërtetë për të gjitha ato lavdërime, ato idealizma, feminilizma, hermafroditizma, dhe kush do të ishte i zoti t'i ndiqte deri në dhomat e fshehta të zemrës së tyre, do ta kish të vështirë të gjente aty synimin për të pajtuar "ndjenjat e krishtera" me "shijen e lashtë" dhe ndoshta madje me "parlamentarizmin kohës (siç duket një shpirt i tillë pajtimi, në shekullin tonë shumë  të pasigurt dhe për pasojë shumë të prirur për pajtimin, shfaqet madje tek filozofët). Këta filozofë të së ardhmes nuk do të mjaftohen të kërkojnë nga vetvetja disiplinë kritike dhe çdo zakon që të çon në pastërtinë dhe rëndësinë në gjërat e shpirtit: mund t'i paraqesin ato madje si një lloj i zbukurimit të tyre, megjithatë pa dashur ende të quhen kritikë për këtë gjë. Atyre nuk u duket turp i vogël ajo digë mbi filozofinë kur shpallet siç duan të bëjnë sot: "Vetë filozofia është kritikë dhe shkencë kritike, dhe asgjë më shumë!" Sado të mundohet ky vlerësim i filozofisë për të pasur miratimin e të gjithë pozitivistëve francezë dhe gjermanë (madje mundet të ketë joshur edhe zemrën dhe shijen e Kantit, të sillet ndër mend titulli i veprave të tij kryesore), megjithatë filozofët tanë të rinj do të thonë që kritikët janë mjet i filozofëve dhe, pikërisht për këtë, si mjet, nuk janë ende shumë larg nga filozofët. Edhe kinezi i madh i Konigsbergut ishte vetëm një kritik.