Tuesday, March 17, 2020

Niçe 48

Tani për tani dëshiroj të shprehem vetëm me një metaforë, të cilën miqtë e historisë evropiane do ta kuptojnë, për masën në të cilën epoka e re luftarake, në të cilën në mënyrë të dukshme kemi hyrë ne evropianët, ndoshta mund të jetë e përshtatshme edhe për zhvillimin e një lloji tjetër e më të fortë të skepticizmit. Ai entuziasti pa ngurime për granatierët e bukur shtatlartë i cili, si mbret i Prusisë, i ka dhënë jetë një gjeniu ushtarak dhe skeptik (dhe bashkë me të, në fund, atij tipi të ri të gjermanit i porsashpallur në mënyrë fitimtare), babai i dyshimtë, i jashtëzakonshëm i Frederikut të Madh, vetëm mbi një pikë pati ai vetë pamjen dhe kthetrat fatlume të gjenisë: e dinte atë që i mungonte atëherë Gjermanisë dhe cila mangësi ishte njëqind herë më frikësuese dhe më e ngutshme se sa, për shembull, jo mungesa e kulturës dhe e formave shoqërore, dhe mospëlqimi i tij për Frederikun e ri vinte nga frika e një instinkti të thellë. Mungonin burrat, dhe me keqardhjen e tij shumë të hidhur dyshonte që vetë djali i tij nuk ishte sa duhej burrë. Në këtë ai gabohej, por kush nuk do të ishte gabuar në vendin e tij? Ai e shikonte djalin e tij pre të ateizmit, të shpirtit, të mendjelehtësisë së dhënë pas qejfeve të francezëve; në sfond shikonte shushunjën e madhe, merimangën e skepticizmit, dhe ai dyshonte për fundin e pandreqshëm të një zemre që nuk është mjaft e fortë si për të keqen si per të mirën, të një vullneti të thyer që nuk urdhëron më, që nuk eshtë më i zoti të urdhërojë. Por ndërkohë u rrit tek djali i tij ai lloj i rrezikshëm dhe më i fortë i skepticizmit (kush e di se sa e ndihmuar nga urrejtja e babait, pikërisht, dhe nga malli i akullt i një vullneti të braktisur në vetvete?): skepticizmi i karakterit burrëror kokëkrisur i cili është farefis i afërt i gjenisë së luftës dhe i pushtimit dhe që në figurën e Frederikut të Madh bën hyrjen e tij të parë në Gjermani. Ky skepticizëm përçmon dhe megjithatë josh më vete; ai gropos dhe shtie në dorë; nuk beson, por duke bërë këtë gjë nuk humbet; i jep shpirtit liri të rrezikshme, por frenon rreptësisht zemrën: është forma gjermane e skepticizmit e cila, si vazhdim dhe fuqizim shpirtëror të frederikizmit ka nënshtruar për një kohë jo të vogël Evropën ndaj sundimit të shpirtit gjerman, ndaj mosbesimit të saj kritik dhe historik. Në sajë
të karakterit burrëror shumë të pamposhtur dhe të qëndrueshëm të filologëve të mëdhenj dhe kritikëve gjermanë të historisë (të cilët, po të duash, t'i shohësh, në tërësi ishin të gjithë artistë të shkatërrimit dhe të shpërbërjes), pak nga pak dhe me gjithë çfarëdolloj romantizmi, në muzikë dhe në filozofi, u përhap një koncept i ri i shpirtit gjerman në të cilin lulëzoi fort prirja drejt një skepticizmi burrëror: për shembull si guxim i vështrimit, trimëri dhe ashpërsi e dorës që copëton, si vullnet i qëndrueshëm i udhëtimeve të rrezikshme për zbulime, për ekspedita shpirtërore në Polin e Veriut nën qiej të shkretuar dhe të rrezikshëm.
Duhet të kenë qenë motive të fuqishme nëse njerëz me shpirt human, me gjak të ngrohtë dhe të përcipte, kanë bërë shenjën e kryqit pikërisht përpara këtij shpirti: ky shpirt fatalist,ironik,mefistofelik, quan, jo pa të dridhura, Michelet. Por në qoftë se dëshirojmë të dëgjojmë se sa karakteristike është kjo frikë “e burrit" në shpirtin gjerman, përmes të cilit Evropa u rizgjua nga "gjumi i saj dogmatik", të sjellim ndër mend konceptin e dikurshëm që me anë të një karakteri të tillë burrëror u kapërcye, dhe se si pa kaluar ende shumë kohë që kur një grua e burrëruar, me mendjemadhësi të papërmbajtur, mundi të guxojë të lidhë gjermanët në vëmendjen e Evropës si të ëmbël, zemërmirë, te dobět nga vullneti dhe torollakë poetikë. Më në fund, të kuptohet deri në fund habia e Napoleonit kur mundi të takonte Gëten: ai zbuloi atë që për shekuj me radhë ishte marrë me mend për "shpirtin gjerman".
"Voilà un homme!" që donte të thoshte: “Ky është një burrë! Ndërsa unë prisja vetëm një gjerman !"